Teuta ka bërë autogol në shtëpi duke humbur përballë ekipit të Kastriotit me rezultatin 1-2 pas një ndeshje mjaft të fortë të zhvilluar në stadiumin ‘Niko Dovana’ të Durrësit. Kështu Teuta ka marrë humbjen e parë në shtëpi dhe në kampionat këtë edicion, pasi deri tani ishte ekipi i vetëm që nuk kishte humbur asnjë ndeshje.

Ndërsa Kastrioti që vinte pas disa rezultatesh negative rikthehet të fitorja që shijon akoma më shumë kur është përballë ekipit që kryeson renditjen e deritanishme në Superligë. Ndeshja ka qenë e fortë gjatë 90’ duke dhuruar shumë emocione për të pranishmit në stadium, sinjalin e parë e dha Murriqi në  të 14’, por që nuk arriti të shtynte topin në rrjetë pas një pasimi të saktë të Daniel Xhafës.

Në të 19-ën Ahmataj iu afrua shumë golit duke lëshuar një goditje të fortë që u devijua nga portieri Ilion Lika jashtë kuadratit. Pas disa aksioneve të miqve, kosovari Murriqi vallëzon mjaft mirë mes mbrojtjes së Kastriotit duke e çuar topin në rrjetë pas asistit të Daniel Xhafajt. Në minutën e 45’ është Abraham që pas disa minutave të mira të Kastriotit shënon golin e barazimit. Pas golit të barazimit ekipi i Teutës corientohet duke humbur kontrollin e ndeshjes dhe pësuar sërish me Turdiun në të 59’.  

Tepshi për miqtë e la skuadrën me 10 lojtarë pas një ndërhyrje të rëndë. Pas largimit të tij Kastrioti u tkurr dhe Teuta kishte një rast të mirë për të barazuar në minutën e dytë shtesë kur i vetëm në zonën e rreptësisë Mustafai gabon përballë Ilion Likës.  Teuta mbetet në krye të klasifikimit me pikë të barabarta me Skënderbeun që pret Partizanin, ndërsa Kastrioti ngjitet në vendin e 7-të me 12 pikë.


d.b/shqiptarja.com