Argjentina dhe Franca luajnë nesër në 16:00 për finalen e Botërorit "Katar 2022". Dueli i "Lusail Stadium" është komentuar edhe nga trajneri i Francës. Didier Deshcamps ka dalë para mediave këtë paradite, duke treguar se gjendja e ekipit është e mirë dhe se për pesë lojtarët që janë në gjendje gripale (Adrien Rabiot, Dayot Upamecano, Kingsley Coman, Raphael Varane, Ibrahima Konate) do merret një vendim nga stafi mjekësor. Deschamps ka cekur edhe problemin me dëmtimet e Benzema dhe formën e Mbappe.
"Konteksti i një finaleje është gjithmonë i veçantë. Ekziston një anë emocionale që mund të jetë e ndryshme për çdo lojtar. Kur është finalja e parë për një lojtar, ka më pak të dhëna dhe referenca. Të luash disa finale ndihmon. Ekziston një menaxhim emocional që është i rëndësishëm. Në lidhje me këtë, fjalimi im apo bisedat që mund të bëj me të gjithë lojtarët, natyrisht, nuk janë identike për secilin prej tyre", tha fillimisht trajneri.
Më pas Deschamps u pyet për gjendjen shëndetësore të lojtarëve dhe mungesat.
"Lojtarët ishin duke fjetur kur unë shkova në konferencën për shtyp, nuk kam informacion. Mundohemi t’ia dalim sa më mirë, me qetësi. Sot do të ketë informacione të reja. Do të kemi lajme sonte dhe deri nesër për t’u siguruar që jemi gati për këtë lojë të madhe", vijoi Deschamps.
Trajneri i Francës u ngacmua edhe për një rikthim të Benzema për finalen.
"A përhapet fjala tek gazetarët e huaj? Nëse nuk përgjigjem, do të thoni më vonë se jam i zemëruar. Kam lojtarë që janë lënduar më parë. Karim është njëri prej tyre. I fundit që u lëndua ishte Lucas Hernández. Që atëherë, kam 24 lojtarë për të menaxhuar. Parashtrimi i pyetjes për këta lojtarë është, për të thënë të paktën, pak i vështirë. Grupi është atje. Nuk jam i shqetësuar për ftesat nga lojtarët, ish-lojtarët apo lojtarët e lënduar. Nuk e di kush do të jetë atje. Ne kishim një grup në fillim dhe për shkak të asaj që ndodhi, ne humbëm tre prej tyre, me Nkunkun në fillim. Ata ishin pjesë e fillimit të aventurës", tha trajneri.
Deschamps tregoi edhe për befasinë e skemës nga kundërshtarët dhe eksperiencën e lojtarëve të tij në finale.
"Në 2018 ishin shtatë lojtarë që janë sot këtu. Në të vërtetë nuk është i njëjti ekip. Nuk do të krahasoj, nuk ka kuptim. Ishte në raundin e 16-të. Por gjashtë ndeshjet e luajtura, me lojtarë të ndryshëm, sisteme të ndryshme, janë të dobishme. Kemi tre analistë që i kanë parë të gjitha ndeshjet. Kjo na lejon të kemi informacion të saktë. Argjentina mund të bëjë diçka ndryshe nesër, por edhe ne mundemi. Maroku, në gjysmëfinale, e nisi me një mbrojtje pesëshe. Nuk e kishin bërë më parë. Duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë", tha trajneri i "Gjelave".
Deschamps u ndal edhe në formën e Mbappe, lojtarit më të mirë që francezët kanë.
"Mbappe? Kur duhet të flasë, ai flet. Ka folur herë pas here. Kylian ka nevojë për qetësi, qetësi. Ai është i fokusuar në fushë, në atë që duhet të bëjë në fushë. Ai është në një gjendje të shkëlqyer shpirtërore. Nuk dua t’ia prish qetësinë shpirtërore, gjendjen shpirtërore", përfundoi Deschamps.