LEZHË-Vazhdon puna për shkatërrimin e anijes së mallrave Milton në portin e Shëngjinit.
 
Edhe pse është bërë apel në lidhje me ndotjen që po shkakton deri tani asnjë institucion shtetëror nuk ka reaguar kundrejt këtij skandali.
 
Marrja e lejeve për shkatërrimin e anijes 1597 tonëshe është jashtë çdo standarti, pasi për të bërë një veprim të tillë në Ballkan është vetëm një port në Turqi.
 
Ndërsa në Shqipëri i vetmi port që bën demolimin e anijeve të dala jashtë funksionit është porti i Rraguzës në Karaburun.
 
Format se si është përfituar leja për shkatërrimin e anijes Milton i di vetëm Autoriteti Portual Durrës dhe ai i Shëngjinit.
 
Ndërsa autoritetet kompetente nuk vënë në dispozicionin lejen mjedisore për këtë veprim që shkakton pasoja të rënda ekologjike.

[gallery]22117[/gallery]
Ja si po shkatërrohet anija në breg të detit
Me 3 maj nisi shkatërrimi i anijes së mallrave në portin e Shëngjinit.

Anija disa tonëshe 'MILTON' është ankoruar prej dy muajsh në këtë port, por së fundmi ka nisur edhe prerja e saj. Report Tv publikoi lajmin në lidhje me këtë katastrofë ekologjike që po ndodh në portin e Shëngjinit.

Drejtori i këtij porti, Gjovalin Tusha tha se kjo anije është ankoruar prej disa kohësh dhe kishte bllokuar një pjesë të portit, sipas tij shkatërrimi i saj do të bëhej brenda pak ditësh, sipas tij janë bërë kërkesa në ministrin e Transporteve në lidhje me ankorimin dhe demolimin e saj në portin që ai drejton.

Por vetë ministri i ka kthyer një përgjigje ku i kërkon drejtorit Tusha të krijojë lehtësira për demolimin sa më të shpejtë të anijes 1597 tonëshe.

Banorët e zonës dhe qytetarë të shumtë kanë shprehur keqardhje në lidhje me një katastrofë të tillë që po i bëhet bregdetit të Shëngjinit, pasi shkatërrimi i një anije të tillë mallrash përveç ndryshkut ka edhe mbetje hidrokarburesh, të cilat do të përfundojnë në det dhe më pas edhe në rërën e plazhit.

Në lidhje me ankorimin dhe demolimin e anijes “Milton” për në portin e Shëngjinit është bërë edhe një memo nga drejtori i Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme Detare, Gazmir Tahiri, i cili ka informuar Ministrin e Transporteve Sokol Dervishaj.

Këtij të fundit Drejtori i Përgjithshëm i thotë se demolimi i një anije të tillë në portin e Shëngjinit do të ishte një katastrofë ekologjike. 

Madje sipas Tahirit ky lloj veprimi do të shkaktonte një impakt shumë të keq në media dhe për pasojë edhe kaos në port. 

Por as edhe kjo kërkesë e drejtorit nuk është marrë në konsideratë nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës.

Ministria e Transportit ka informuar drejtorin e Përgjithshëm detar Gazmir Tahiri duke iu referuar një ligji për anijet e mbytura, ndërkohë që anija "Milton" ka lundruar vetë deri në portin e Shëngjinit.
 
Report TV u interesua edhe në Agjencinë Rajonale të Mjedisit në Lezhë, por ky institucion nuk ka pranuar të flasë në lidhje me skandalin që po ndodh në plazhin e Shëngjinit.

Nuk dihen shkaqet se pse ky institucion hesht kundrejt një katastrofe të tillë ekologjike.

Nga ana tjetër autoriteti Portual Shëngjin nuk pranon që të japë asnjë dokumentacion sa i përket lejeve që janë lëshuar në lidhje me ankorimin e kësaj anije mijra tonëshe e cila po shkatërrohet pa marrë asnjë masë paraprake për evadimin e mbetjeve të rrezikshme që mund të ndodhen në brendësi të saj.

Siç shikohet edhe në pamje fare pranë anijes, peshkatarë të ndryshëm janë duke peshkuar ndërkohë që ambienti pranë tyre është tërësisht i ndotur.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com