Numri i të vdekurve nga aksidenti hekurudhor i së dielës në Spanjë ka arritur në 41. Bilanci i të plagosurve është 122, nga të cilët 41 janë në spital. Në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Cordoba, janë kryer 23 autopsi. Një total prej 27 mjekësh ligjorë po marrin pjesë në to. Identifikimet po kryhen duke përdorur gjurmët e gishtërinjve. Deri më tani janë identifikuar 7 prej tyre, raporton RTVE. 

Përveç kësaj, Garda Civile ka ngritur pesë pika në Madrid, Kordoba, Sevilje, Huelva dhe Malaga për mbledhjen e mostrave të ADN-së. Ndërkohë vijon puna për nxjerrjen e trupave të tre personave që kanë mbetur të bllokuar brenda njërit prej vagonëve të trenit Alvia, në të cilët ende nuk është arritur të hyhet dhe pritet të fillojnë punimet me makineri të rëndë për të larguar vagonët.

Një tren i kompanisë Iryo, që mbulonte linjën Malaga–Madrid me 317 persona në bord, doli nga shinat në orën 19:40 të së dielës në tre vagonët e fundit dhe pushtoi linjën ngjitur, në të cilën qarkullonte një tjetër tren, një Alvia i Renfe-s me rreth 184 pasagjerë, i cili ishte nisur nga Madridi dhe po drejtohej për në Huelva. Shkaqet e aksidentit janë nën hetim.

Sipas një investigimi të publikuar nga Reuters, është gjetur një shkëputje në shina. Vagonët që dolën nga shinat u përplasën me trenin që po vinte përballë, duke e shtyrë atë jashtë shinave dhe poshtë një dige.

Teknikët në vendngjarje, teksa analizonin shinat, thanë se bëhet fjalë për konsumim në lidhjen midis segmenteve të shinës, të njohur si “fishplate”, për të cilin thanë se tregonte se defekti kishte qenë aty prej disa kohësh, tha burimi.

Lidhja e dëmtuar kishte krijuar një hapësirë midis segmenteve të shinës, e cila ishte zgjeruar me kalimin e trenave mbi atë linjë. Burimi, i cili kërkoi të mbetej anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, tha se teknikët besojnë se kjo lidhje e dëmtuar është kyçe për të identifikuar shkakun e saktë të aksidentit.

Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga autoritetet apo institucionet.

Álvaro Fernandez Heredia, president i Renfe-s, e cila operon trenin e dytë që doli nga shinat, tha për radion Cadena Ser se ishte ende herët për të folur për shkakun. Megjithatë, ai shtoi se aksidenti ndodhi në “rrethana të çuditshme” dhe se “gabimi njerëzor është praktikisht i përjashtuar”.

Vagonët e parë të trenit të operuar nga kompania spanjolle Iryo kaluan mbi hapësirën në shina, por vagoni i tetë, dhe i fundit, doli nga shinat, duke tërhequr me vete edhe vagonët e shtatë dhe të gjashtë, tha burimi.

Iryo është një operator privat hekurudhor, në shumicë në pronësi të grupit hekurudhor italian të kontrolluar nga shteti, Ferrovie dello Stato. Prodhuesi i trenit Iyro, Hitachi Rail, kreu një inspektim të trenit më 15 janar si pjesë e mirëmbajtjes rutinë dhe nuk gjeti asnjë anomali, tha burimi. Treni është një Freçiarossa 1000, i njëjti model që përdoret në rrjetin e trenave me shpejtësi të lartë në Itali.