Prej datës 28 gusht Policia e Shtetit po kryen kontrolle gjatë vijës bregdetare, për të zbuluar nëse ka magazina me kanabis, apo personat që po e trafikojnë drogën drejt Italisë.

Operacioni po zhvillohet nga Velipoja deri në Butrint, ku janë të angazhuar 1140 polic, mjete lundruese dhe helikopterë. Siç mund të dallohet nga pamjet e Policisë, po kontrollohen çdo kasolle pranë bregdetit, varkat e peshkimi si dhe zonat me pyje pranë detit, ku shpesh trafikantët fshehin drogën, para se ta nisin drejt Italisë.

[gallery]23695[/gallery]
Në operacion në bregdet mbi 1 mijë policë dhe helikopterë
Policia bën me dije se po kontrollohen objektet e pabanuara, stanet e bagëtive, tunele etj. Policia në këtë operacioni, i cili përfundon mesnatës e së premtes synon që të arrestoj personat që trafikojnë drogën, si dhe të zbulojë sasitë e kanabisit që mbahen të fshehura nga trafikantët. Në dy ditët e para të operacionit janë arrestuar 32 persona të shpallur në kërkim, si dhe janë gjetur 900 kg kanabis dhe 102 gr kokainë.

Për sasitë e drogës, uniformat blu kanë arrestuar 8 persona, duke e çuar numrin e personave të ndaluar në 40. Gjatë aksionit policia ka gjetur edhe 6 armë zjarri, 2987 fishekë si dhe dy mjete lundruese pa dokumentacion.
 
Burime të Report TV nga Policia e Shtetit thanë së aksioni është në vazhdimësi të kontrollit të territorit. Edhe Guardia Di Financa ka kontrolluar njëkohësisht vijën bregdetare. Pritet që pas bregdetit Policia të kryejë të tjera kontrolle në disa vende ku dyshohet se trafikantët ruajnë sasi kanabisi për trafikuar drejt Italisë.

Njoftimi i policisë:
Operacion masiv për kontrollin e zonës bregdetare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e trafikut të lëndëve narkotike që mund të kryhen nëpërmjet kufirit detar.

Operacioni po zhvillohet nga toka, deti dhe ajri, duke koordinuar veprimet midis forcave pjesëmarrëse në operacion.

Operacioni është i shtrirë nga Grykëderdhja e lumit Buna në Shkodër deri në Kepin e Qefalit - Butrint.

Në këtë operacion janë përfshirë 1140 forca policore, 10 mjete lundrues , 30 automjete si dhe helikopteri i policise.

Në këtë operacion marrin pjesë strukturat e Drejtorive Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Durrës, dhe Shkodër.

Në mbështetje të veprimeve të tyre janë angazhuar forcat e Komisariateve të Ndërhyrjes së Shpejtë (F.L.O) Shkodër, Tiranë, Fier, Njësia Speciale “Delta”, QNOD-ja dhe Reparti i Helikopterëve.
Veprimet në hapësirën detare po mbështeten edhe nga Nukli i Kufirit Detar të “Guardia di Finanza” Durrës e Vlorë, QNOD dhe Rojen Bregdetare.

Operacioni policor po kryhet në gjithë zonën bregdetare të vendit tonë dhe në hapësirën detare, në rrugët nacionale dhe rurale që të çojnë në bregdet dhe në Pikat e Kalimit Kufitar me qëllim:

• Kontrollin e territorit në zonën bregdetare, si objekte të pabanuara, tunele, qendra zjarri, stane, etj.

• Goditjen e aktivitetit të paligjshëm të trafikimit të lëndëve narkotike që mund të kryhet nëpërmjet kufirit detar.

• Kapjen dhe arrestimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet të kundraligjshëm, dokumentimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve;

• Bllokimin dhe sekuestrimin e lëndës narkotike, të mjeteve lundruese, si dhe i mjeteve të tjera që ndihmojnë për transportin e mallit.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 900 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, 102.4 gramë lëndë e dyshuar Kokainë, si dhe janë arrestuar 8 persona për trafik të lëndëve narkotike.

Janë kapur 32 persona në kërkim.

Janë sekuestruar dy mjete lundruese pa dokumentacion.

6 armë zjarri, 2987 fishekë.

Operacioni masiv ka nisur më datë 28 Gusht dhe do përfundojë mbrëmjen e sotme.