KAZAKISTAN - Dinamo ka përjetuar një nga mbrëmjet më të bukura evropiane të viteve të fundit, duke siguruar kalimin në turin e dytë kualifikues të Conference League pas një fitoreje spektakolare 1-4 ndaj Astanës në transfertë.

Pas fitores minimale 0-1 në ndeshjen e parë, skuadra kazake e nisi në mënyrën më të mirë edhe sfidën e kthimit, duke kaluar në avantazh që në minutat e para. Megjithatë, Dinamo reagoi në mënyrë të jashtëzakonshme, duke dominuar lojën dhe përmbysur gjithçka në pjesën e dytë.

Dita, Berisha dhe Vila realizuan golat që i dhanë epërsinë skuadrës shqiptare, ndërsa Koma vulosi kualifikimin me golin e katërt në minutën e 124-t të kohës shtesë, duke i dhënë fund çdo shprese të vendasve.

Një triumf i merituar për Dinamon e Ilir Dajës, e cila u shfaq superiore në lojë, karakter dhe shpirt gare, duke siguruar me plot meritë kalimin në raundin e dytë të kompeticionit. Deri tani Dinamo ka fituar 700 mijë euro shpërbim nga UEFA për këtë arritje.

Në turin e ardhshëm, Dinamo do të përballet me skuadrën humbëse të çiftit Alumini – Sherif Tiraspol, sfidë e vlefshme për turin e parë kualifikues të Europa League. Ndeshja e parë mes tyre është mbyllur në barazim pa gola, 0-0.