Katër kryeministra të rinj do të marrin pjesë këtë të enjte në samitin e liderëve të Bashkimit Europian në Bruksel, duke ndryshuar ekuilibrat politikë brenda institucionit më të fuqishëm vendimmarrës të bllokut. Ndryshimet vijnë vetëm tetë javë pas mbledhjes së fundit të Këshillit Europian dhe në një moment kur BE-ja po përgatitet për përballje të vështira mbi buxhetin e ardhshëm prej 2 trilionë eurosh, politikat energjetike dhe çështjet e politikës së jashtme.
Mbi samitin rëndon edhe një pyetje tjetër: kush do të marrë rolin që për vite me radhë e mbajti Viktor Orbani. Ish-kryeministri hungarez u bë i njohur për bllokimin, vonimin dhe përdorimin si mjet presioni të vendimeve të Bashkimit Europian. Tani që ai nuk është më në pushtet, diplomatët në Bruksel po përpiqen të kuptojnë se ku mund të shfaqet kundërshtimi në kapitullin e ri të Këshillit Europian.
“Ndryshimi më i madh me këta katër është ai që nuk do të jetë aty”, tha një diplomat europian për POLITICO, duke iu referuar Orbanit.
POLITICO ka profilizuar katër liderët e rinj që do të marrin pjesë për herë të parë në samit dhe ndikimin që mund të kenë në vendimmarrjen e BE-së.
Konservatori pro-BE-së: Peter Magyar
Vetëm 40 ditë pas marrjes së detyrës më 9 maj, pas një fitoreje të thellë që tronditi politikën hungareze, Peter Magyar ka ndryshuar ndjeshëm marrëdhëniet e Budapestit me Brukselin.
Qeveria e tij ka zhbllokuar miliarda euro fonde evropiane që ishin ngrirë prej vitesh gjatë qeverisjes së Viktor Orbanit. Duke mos penguar Ukrainën dhe duke lejuar nisjen e fazës së parë të negociatave të anëtarësimit në BE këtë javë, Magyar ka forcuar më tej profilin e tij si një lider konstruktiv dhe pro-evropian.
Ish-diplomat në Bruksel dhe ish-eurodeputet, ai konsiderohet njohës i mirë i institucioneve evropiane dhe pritet të shmangë stilin përplasës që karakterizonte paraardhësin e tij.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se në cilat fusha do të ruajë elementë të politikave të Orbanit.
Në energji, Magyar është zotuar të ulë varësinë e Hungarisë nga importet ruse, por vetëm deri në vitin 2035, shumë më vonë se objektivi i BE-së për vitin 2027. Edhe në migracion ai ka sinjalizuar vazhdimësi, duke mbështetur ruajtjen e gardhit kufitar të ngritur nga Orbani në vitin 2015 dhe duke kundërshtuar kuotat e shpërndarjes së emigrantëve.
Vizita e tij e parë si kryeministër ishte në Varshavë. Ai ka kërkuar gjithashtu ringjalljen dhe zgjerimin e grupit Visegrad 4.
Edhe pse tensionet me Brukselin mund të rikthehen në të ardhmen, Magyar do të mbërrijë në samit me një mandat të fortë elektoral dhe me marrëdhënie të përmirësuara me Bashkimin Evropian.
Skeptiku i Ukrainës: Rumen Radev
Ish-presidenti i Bullgarisë i dha fund bllokimit politik në vend kur dha dorëheqjen në janar, krijoi partinë e tij dhe fitoi zgjedhjet që pasuan.
Megjithëse ka marrë pjesë edhe më parë në samitet e BE-së për shkak të një veçorie kushtetuese bullgare, kjo do të jetë hera e parë që merr pjesë si kryeministër.
Ardhja e tij mund të komplikojë përpjekjet për të ruajtur unitetin e BE-së për Ukrainën.
Radev deklaroi vitin e kaluar se Ukraina është “e dënuar” në luftën kundër Rusisë dhe kundërshtoi rritjen e ndihmës ushtarake evropiane për Kievin. Ai akuzoi gjithashtu liderët evropianë se mbështetja e kundërofensivës ukrainase ka sjellë “qindra mijëra” viktima.
Në vitin 2023 ai pati një përplasje publike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një takimi të transmetuar drejtpërdrejt.
Sipas diplomatëve evropianë, Bullgaria mund të kthehet në një pengesë gjatë negociatave për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë, që BE synon të miratojë në muajt e ardhshëm.
Megjithatë, disa diplomatë dyshojnë se Radev do të jetë i gatshëm ose i aftë të luajë rolin bllokues që kishte Orbani.
Mbrojtësi i Izraelit: Janez Janša
Një figurë e njohur në Bruksel, Janez Janša rikthehet për herë të katërt si kryeministër i Sllovenisë.
Kthimi i tij sjell në tryezë një tjetër populist të djathtë, admirues të deklaruar të Donald Trump dhe me marrëdhënie shpesh të tensionuara me mediat.
Janša ka disa ngjashmëri me Orbanin, por ekziston një dallim i madh. Ai është një nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës në Evropë dhe mbështet si ndihmën ushtarake ashtu edhe anëtarësimin e Kievit në Bashkimin Evropian.
Megjithatë, ai mund të bëhet më problematik në çështjen e Izraelit.
Disa vende të BE-së kërkojnë vendosjen e sanksioneve ndaj ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, për trajtimin e shtetasve evropianë të ndaluar në një flotilje ndihmash për Gazën.
Janša pritet të kundërshtojë masa të tilla, së bashku me vende si Gjermania dhe Republika Çeke.
Në javët e fundit ai ka shkuar edhe më tej, duke hequr embargon sllovene të armëve ndaj Izraelit dhe ndalimin e hyrjes për Ben-Gvirin dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Më pas Izraeli njoftoi planet për hapjen e një ambasade në Lubjanë, një vendim që Janša e përshëndeti si “një epokë të re në marrëdhëniet mes Sllovenisë dhe Izraelit”.
Skifteri i Rusisë: Andris Kulbergs
Parlamenti i Letonisë votoi muajin e kaluar për ta zgjedhur Andris Kulbergs kryeministër të ri, pas një krize politike të shkaktuar nga një seri incidentesh me dronë ukrainas që hynë aksidentalisht në hapësirën ajrore letoneze.
Kulbergs, një biznesmen i apasionuar pas makinave që më pas hyri në politikë, u bë deputet në vitin 2022. Ai nuk i përket asnjë partie politike dhe nuk ka mbajtur më parë poste ministrore, por gëzon mbështetjen e një koalicioni të gjerë.
Me vetëm katër muaj deri në zgjedhjet parlamentare, prioriteti i qeverisë së tij është forcimi i mbrojtjes kundër dronëve dhe siguria e hapësirës ajrore.
Kjo përputhet me diskutimet që liderët evropianë do të zhvillojnë në samit për mbrojtjen e kufirit lindor të Bashkimit Evropian dhe sigurinë ajrore.
Kulbergs ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së fortë për Ukrainën dhe nënshkroi një marrëveshje për dronë me Kievin që në ditët e para të mandatit të tij.
Letonia vazhdon të renditet mes vendeve me shpenzimet më të larta për mbrojtjen në BE dhe mes vendeve më të ashpra ndaj Rusisë, së bashku me Poloninë, Lituaninë dhe Estoninë.
Samiti i Brukselit do të japë sinjalet e para për mënyrën se si do të funksionojë Bashkimi Europian pas largimit të Orbanit nga pushteti. Për momentin, diplomatët shohin katër liderë me profile shumë të ndryshme, por ende nuk është e qartë nëse ndonjëri prej tyre do të jetë në gjendje të luajë rolin që ish-kryeministri hungarez pati për vite me radhë në tryezën e liderëve europianë.
Komente







