Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka reaguar me entuziazëm ndaj zhvillimeve politike në Hungari, duke përshëndetur fitoren e opozitarit Péter Magyar ndaj kryeministrit Viktor Orbán. Por, reagimi i tij ka kaluar në një proces të gjatë redaktimesh, ku statusi i tij në Facebook duket se është ndryshuar katër herë brenda një kohe të shkurtër.
Në versionin fillestar, Noka vlerësonte Orbán-in për “lejimin e rrotacionit politik”, një formulim që duket se ka hasur në kontradiktë me realitetin e brendshëm të PD-së, ku koncepti i rrotacionit mbetet i papranueshëm. Statusi u përditësua më pas duke e cilësuar Orbán-in si “të shumëanatemuarin”, ndoshta për të ruajtur një distancë ideologjike më të sigurt.
Në një moment tjetër, postimit iu shtua edhe një foto e Edi Ramës me Orbán-in, përpara se të hiqej sërish, si një element që rrezikonte të krijonte lidhje të padëshiruara për një forcë që e konsideron veten konservatore, por selektive në aleanca vizuale.
Pas katër versioneve, statusi përfundimtar ngjan me një miniaturë të vetë politikës që Noka përpiqet të komentojë./TemA
Komente










