Në tregun e së shtunës në Verres, një qytet me 20 mijë banorë rreth tridhjetë kilometra nga Budapesti, nga njëra anë ishte stenda e Tiszas, me kalimtarë që ndalonin për të biseduar me vullnetarët; nga ana tjetër një kamion me ushqime me sallamë të Fideszit, me mini-postera elektoralë të kandidatit lokal. Një pamje domethënëse e dy mënyrave të ndryshme për të tërhequr votues dhe për të rekrutuar kandidatë: në furgon është portretizuar një ministër, ndërsa sfiduesi i tij, i pranishëm fizikisht në stendë, është Marton Endre Laszlo, një ish-barelier ambulance i kthyer në sipërmarrës të vogël dhe themelues i një fondacioni për ndihmën pediatrike. Duket si Davidi kundër Goliathit, por Marton është favorit në këtë distrikt rreth kryeqytetit, Pest 05. Ata që e kanë nxjerrë në pah janë vullnetarët e “ishullit Tisza” lokal, një nga qindra rrjetet qytetare që me mobilizimin e tyre i dhanë shtysën vendimtare ish-funksionarit të panjohur të partisë së Orbánit.

“Gjatë një vizite këtu, në nëntorin e kaluar, Péter Magyar më propozoi të kandidoja sepse kishte dëgjuar për angazhimin tim në komunitet”, tregon ky 55-vjeçar energjik për Corriere della Sera, i cili më pas duhej të kalonte primaret me dy kandidatë të tjerë përpara se të konfirmohej. Të përpiktë dhe të vlerësuar në territor: kështu i ka dashur “shefi”. Përzgjedhja e kandidatëve ka qenë një nga pikat vendimtare të “fenomenit Magyar”, ish-besniku i Orbánit që në dy vjet është shndërruar në makthin e tij më të madh. Ky avokat 44-vjeçar energjik dhe i vendosur, me një karrierë pas vetes në ndërmarrjet publike, u ka mbijetuar fushatave të ndryshme shpifëse, të cilat shpesh i ka çaktivizuar paraprakisht pikërisht sepse i njeh mirë taktikat e ish-shokëve të partisë. Fidesz ka pasur vështirësi të gjejë një pikë të dobët tek ai.

Disa kanë pasur rezerva kur, sapo ishte divorcuar, ai publikoi një audio ku ish-bashkëshortja e tij diskutonte për presionet qeveritare të marra kur ishte ministre e Drejtësisë mbi procedime gjyqësore të lidhura me korrupsionin, një regjistrim i bërë pa dijeninë e saj. Por arsyeja, denoncimi i korrupsionit të regjimit, i zbehu kritikat, ndërsa edhe akuzat për dhunë nga ish-bashkëshortja u perceptuan si pjesë e fushatës denigruese të nisur nga Fidesz.

I rritur në një familje kristiane-demokrate, post-komuniste, babai avokat, nëna gjyqtare në Gjykatën Supreme, gjyshi komentator politik, ai ishte magjepsur nga Orbáni i “parë”, pro-europian. Si fëmijë kishte një poster të tij mbi shtrat, siç ka treguar vetë. U regjistrua në partinë Fidesz në vitin 2002, ndërsa ende studionte drejtësi në universitetin katolik të Budapestit, vatër e elitës konservatore. Gjatë një Erasmusi në Hamburg u mik me Gergely Gulyás, sot figurë kyçe e qeverisë së Orbánit.

Ishte pikërisht Gulyás ai që e prezantoi me Judit Vargan, e cila do të bëhej bashkëshortja e tij dhe një nga figurat kryesore të Fideszit. Çifti jetoi për vite në Bruksel, ku Magyar filloi të punonte për institucionet e Bashkimit Europian pas vitit 2010. Me kthimin në Hungari në vitin 2018, ndërsa karriera e Vargas ishte në ngjitje, fillimisht Sekretare Shteti dhe më pas ministre e Drejtësisë, ai nuk arrinte të merrte role politike dhe ky ishte burim frustrimi. Drejtuesit e Fideszit e konsideronin tepër të pavarur dhe pak të prirur për kompromis. Ky tension i fshehtë çoi në vitin 2023 në fundin e martesës. Ai filloi të përjashtohej nga detyrat dhe të izolohej nga partia. Kur në vitin 2024 doli se qeveria e Orbánit kishte falur një burrë të dënuar për fshehjen e një skandali abuzimi seksual në një jetimore, presidentja hungareze dhe Varga dhanë dorëheqjen. Magyar reagoi me një postim shumë të ashpër në rrjetet sociale, duke akuzuar zyrtarët e Fideszit se i kishin përdorur dy gratë si koka turku.

Pasoi një valë indinjate kolektive. Në atë moment Magyar e shfrytëzoi rastin për të hyrë në skenë. Dhe e bëri me një intervistë në kanalin YouTube Partizán: dy orë transmetim live për të denoncuar korrupsionin e sistemit, 2.6 milionë shikime, një e katërta e hungarezëve. Një muaj më pas themelon Tiszan dhe debutimi në zgjedhjet europiane, pak javë më vonë, ishte një triumf.

Pavarësisht mbi dy vitesh fushatë elektorale dhe një programi prej 240 faqesh, detajet mbi atë që do të bëjë saktësisht Magyar mbeten të paqarta. Një pjesë e madhe e kësaj është e qëllimshme, për të mos u dhënë kundërshtarëve pika sulmi që e etiketojnë si shërbëtor të Brukselit dhe si dikë që dëshiron të dërgojë hungarezët të vdesin në Ukrainë. Por edhe për të mbajtur të bashkuar frontin e larmishëm anti-Orbán që e mbështet.

Me përjashtim të çështjes së migracionit, ai ka premtuar një linjë më të ashpër se Orbán-i, duke hequr programin kombëtar për punëtorët e huaj, Magyar është zotuar të rikthejë shtetin e së drejtës, të përmirësojë marrëdhëniet me BE-në për të zhbllokuar fondet europiane të ngrira dhe të luftojë korrupsionin. Që nga mbrëmja e së dielës mund të fillojë ta bëjë këtë./Corriere della Sera