Kavajë,shtyhen zgjedhjet,Rama:
Tërheq kandidatin.Basha:Fitore

Kavajë,shtyhen zgjedhjet,Rama:<br />Tërheq kandidatin.Basha:Fitore
Ditën e diel nuk do të ketë zgjedhje lokale në Kavajë. Pas paralajmërimit të PD për protesta dhe mosbindje civile, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Partia Socialiste tërheq kandidatin për kryetar bashkie për të shmangur përplasjen me qytetarët, pasi PD ka një plan për destabilizimin e vendit. 
 
Ndërkohë që 2 orë më vonë deklaroi tërheqjen edhe kandidati i pavarur duke bërë që zgjedhjet për kryetarin e ri të bashkisë të shtyhen për një tjetër datë, pasi në datë 7 Maj asnjë komisioner nuk do të paraqitet për të marrë materialet e votimit. 
  
"Ka një plan për destabilizim të vendit, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë, por Shqipëria nuk do të destabilizohet nga ky plan që me vendosmëri do ta çojmë deri në dështimin e plotë.

Provokimit antikushtetues dhe antiligjor të të tmerruarve nga drejtësia dhe zgjedhjet politike ne nuk do ti përgjigjemi flakë për flakë, Kavaja nuk do të bëhet shesh i një përsheshi të neveritshëm që po e gatuan PD e që do të dështojë me turp.
 
I kam sugjeruar kandidatit tonë që të tërhiqet nga zgjedhjet e 7 Majit në Kavajë, i kërkoj të njëjtën gjë edhe kandidatit të pavarur.

Të pengosh njerëzit të votojnë është krim i rëndë, në këtë vend nuk mund dhe nuk do ta lejojmë që të kryhet në 18 qershor
" u shpreh Rama.
 
Negociatat, Rama: E pres Bashën deri në 7 Maj, në 18 qershor zgjedhje
Kryeministri Rama i është drejtuar Bashës me një tjetër ftesë për dialog, por me afat deri ditën e diel për të negociuar, ndërsa zgjedhjet e 18 qershorit nuk negociohen.
 
"18 qershori është përcaktuar sipas kushtetutës dhe nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet t’i garantojnë e jo ndërmjetësojnë të drejtat e popullit sovran.
 
I përsëris Lulzim Bashës, lëre tani Kavajën, hiqe nga mendja se mund ta shtysh me provokime, jo datën, por as afatin fundor të mundësisë për të hyrë në zgjedhje, që është 8 maji dhe fokusohu tek zgjidhja që të është ofruar deri në 7 maj.

Unë jam gati të ulem përsëri me Lulzimin, por këtë herë për të detajuar ofertën që ai ka në tavolinë e jo për të filluar nga e para avazin e qeverisë teknike dhe të shtyrjes së zgjedhjeve në kalendat greke, me sebepin qesharak të përgatitjes së votimit elektronik.

Zgjedhjet do të bëhen në 18 qershor dhe të hënën më 8 maj, unë nuk jam më në dispozicion për Lulzim Bashën dhe PD-në, nëse deri të dielën, ata nuk bien dot dakord për ofertën, për ndryshimin e menjëhershëm të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të ODIHR-it dhe zhbllokimin e Vetting-ut, natyrisht.

Kështu që edhe fare pak durim u kërkoj të gjithëve. Jemi në prag të një zhvillimi me rëndësi të madhe në vendin tonë. Dhe me PD, pa PD, më 18 qershor populli do vendosë jo thjesht se kë do ngarkojë për të qeverisur Shqipërinë për katër vitet që vijnë, por si do jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër
" deklaroi Rama.



Basha: Fitore! S'heq dorë nga qeveria teknike, javës tjetër protestë
Kryetari i PD, Lulzim Basha nga çadra para Kryeministrisë e ka cilësuar si fitore të Republikës së Re tërheqjen e PS nga zgjedhjet në Kavajë.
 
"Republika e re shënoi fitoren e parë, Rama u tërhoq nga plani ogurzi për të rikthyer monizmin. Kjo lëvizje nuk ndalet nuk shitet dhe nuk blihet. Fituam Kavajën, gati beteja për Shqipërinë" deklaroi ai.
 
Pas akuzave të Ramës për një plan për destabilizimin e vendit nga PD, Basha i ka kthyer përgjigje duke i thënë se destabilizimi i vetëm mund të vijë nga bandat kriminale.
 
E ndërsa ka theksuar edhe njëherë se nuk heq dorë nga kërkesa për qeveri teknike, Basha e ka cilësuar si ultimatum te papranueshem deklaratën e Ramës për negociata deri të dielën.
 
"Rruga e vetme është qeveria teknike. Demokracia do u kthehet shqiptarëve. Zgjedhjet e vetme që do të mbahen në Shqipëri do të jenë të lira, vetëm me pjesëmarrjen e opozitës, vetëm me zgjidhjen politike, e cila kalon nga qeveria teknike.
 
Ftesa qëndron e hapur për zgjidhje me dialog, por ultimatumet për 18 qershorin e rënë janë të papranueshme, ne i refuzojmë
' tha ai.
 
Pas anulimit të protestës së të dielës në Kavajë, Basha paralajmëroi një protestë të madhe javën tjetër në Tiranë.
 
"Javën e ardhshme tubim madhështore në Bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' dhe pas kësaj në cdo rrugë dhe shesh të Shqipërisë, ku vullneti i shqiptarëve për demokraci nuk zbrapset kurrë. Marshim paqësor, këto janë rrugët nga e cila kalon e ardhmja e Shqipërisë" përfundoi ai.
 
"Kavaja"/ Zhvillimet e fundit 

23:20 Anulohet tubimi në Kavajë, PD protestë të shtunën tjetër në Tiranë
Pas anulimit të tubimit ditën e diel në Kavajë, kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi se javën që vjen opozita e bashkuar do të organizojë një protestë mashështore në Tiranë.
 
Burime nga Partia Demokratike pohojnë për Report Tv se protesta e opozitës mund të bëhet ditën e shtunë.
 
Megjithatë, propozimi do te diskutohet nesër me kryetarët e degëve në orën 12:00 në selinë e Partisë Demokratike.

21:20 Burime nga PD: Basha nesër takim me kryetarët e degëve në 12:00 për organizimin e protestës javën tjetër në Tiranë

21:00 Shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë, ambasada gjermane: Dialog, jo dhunë
 Edhe ambasadorja Gjermane në Tiranë Schütz ka përshëndetur vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në Kavajë. 

20:00 Rama- Bashës: Fitore të tilla paç, po pse po zihen anëtarët e PD në KQZ tani?
Pas vendimit për tërheqjen e kandidati të PS në Kavajë, Lulzim Basha nga çadra e protestës e ka konsideruar si një fitore të partisë Demokratike. Për këtë “fitore” , kryeministri Rama nëpërmjet një statusi në Facebook, i shkruan se fitore të tilla të ketë gjithmonë.
 
 “Lulëzim fitore të tilla paç ngahera po a me thua dot si ka mundësi që anëtarët e tu në KQZ po zihen kundër tërheqjes së kandidatit tonë”, shkruan Rama. 

19:58 ‘Demokracia autoktone në Kavajë’ droni mbi zyrën e Ramës
Vendimi për tërheqjen e kandidatit të PS në Kavajë nga kryeministri Rama është konsideruar si një fitore për Partinë Demokratike.

Protestuesit në çadrën e opozitës ku po zhvillohet prej ditësh protesta kanë ngritur një dron mbi zyrën e kryeministrit Edi Rama ku shkruhej ‘Demokracia autoktone në Kavajë’. 

PD e ka konsideruar si fitore, por nga ana tjetër kryeministri Rama është shprehur se PD është mësuar me fitore imagjinare, dhe se Kavaja është e tillë. 

droni
(Droni mbi zyrën e Ramës)

19:55 Basha: Javën tjetër protestë në Bulevard, fitoi Republika e re
Kryetari i PD, Lulzim Basha nga çadra para Kryeministrisë e ka cilësuar si fitore të Republikës së re tërheqjen e PS nga zgjedhjet në Kavajë, ndërsa ka paralajmëruar një protestë javën e ardhshme në bulevardin 'Dëshmorët e Kombit' në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë.
 
Fjala e plote e Bashës
Republika e re sapo shënoi fitoren e saj të parë. Falënderimi im dhe mirënjohja jonë më e thellë, është për qytetarët fisnikë të Kavajës, për të rinjtë dhe të rejat e Kavajës, për kreshnikët e lirisë dhe demokracisë, që vulosën me qëndrimin e tyre tërheqjen e Edi Ramës nga plani ogurzi për të rikthyer monizmin në vendin që përmbysi diktaturën komuniste.

Dua të falënderoj nga zemra, ata qindra mijëra kavajas demokratë dhe luftëtarë të lirisë, të cilët me qëndresën e tyre u bënë një barrierë psikologjike e pakapërcyeshme për planet ogurzeza të mafi​as dhe krimit.

Dua të falënderoj po kështu, të gjithë qytetarët e Kavajës, edhe ata që dëshironin një alternativë me të vërtetë të majtë, por që vendosën të refuzojnë fasadën e shëmtuar kriminale që iu ofroi Rilindja dhe Edi Rama me datë 7 maj.
 
E gjithë Shqipëria e njeh kurajon e qytetit tuaj që solli demokracinë, 27 vite më parë. Tashmë ne e dimë, shqiptarët e dine, bota e di, dhe Edi Rama e njohu refuzimin tuaj masiv për të qenë pjesë e fasadës së diktuar nga krimi më 7 maj. Ky është paralajmërimi më i madh dhe kontributi i dytë historik që Kavaja jep për demokracinë dhe lirinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Do të mjaftonte qëndresa e kavajasve të lirë dhe refuzimi i çdo kavajasi dhe kavajase për të qenë pjesë e kësaj fasade kriminale, për mposhtjen dhe dorëzimin e planit ogurzi të Edi Ramës.

Pa dyshim, kjo është një betejë që Kavaja mund dhe do ta fitonte edhe e vetme, siç e nisi betejën kombëtare për liri dhe demokraci.
Por, ndryshe nga 27 vite më parë, tirania e krimit dhe e drogës që ka bërë folenë në republikën e vjetër e dinte dhe e di se me 7 maj nuk do të kishte para vetëm qytetarët fisnikë të Kavajës, por bashkimin më të madh të shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Eshtë ky bashkim i paprecedent i shqiptarëve me këtë lëvizje të madhe që kalon kufijtë e çdo partie dhe çdo aleance, eshtë ky bashkim i madh për Republikën e re të shpresës, të lirisë së vërtetë, të demokracisë së vërtetë, që e fitoi betejën e Kavajës, dhe bëhet gati të fitojë betejën për Shqipërinë europiane.
 
Kjo lëvizje nuk ndalet, nuk frikësohet, nuk manipulohet, nuk shitet as nuk blihet, por marshon drejt fitores.
 
E vërteta do të ishte e paplotë, pa konstatuar se Edi Rama kishte të drejtë ku, përveç frikës së refuzimit dhe përballjes me qytetarinë kavajase dhe me mbarë shqiptarët ditën e dielë, shprehu edhe frikën e destabilizimit.

Por Edi Rama e di, unë e di, partnerët tanë e dinë, kavajasit e dinë dhe është koha t’ia themi çdo shqiptari se, faktori i vetëm i destabilizimit në Shqipëri janë bandat e lidhura me pushtetin. Janë bandat kriminale, dhe shqiptarët duhet ta dine, se bandat që po bëheshin gati të lanin hesapet me njëri-tjetrin në Kavajë i përkasin një dhe vetëm një krahu politik, rilindjes së inkriminuar dhe krimit të rilindur.
 
Krimi i bërë njësh me pushtetin, droga dhe paratë e drogës janë faktori i vetëm i destabilizimit të Shqipërisë, rreziku numër një për zgjedhjet e lira, për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve. Ndaj sot, tani, është momenti të përsëris ftesën time drejtuar Edi Ramës, drejtuar mazhorancës, për t’u bërë pjesë e zgjidhjes politike.
Rruga e vetme për tu bërë pjesë e zgjidhjes është ndarja me krimin dhe drogën, dy faktorët kryesorë për destabilizimin e Shqipërisë, dy kërcënimet kryesore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
 
Rruga e vetme për tu bashkuar me shumicën dërrmuese të shqiptarëve që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndarjen me krimin dhe ndarjen me drogën, është qeveria teknike.
 
Paqësorë por të vendosur, kjo lëvizje që nisi si bashkimi më i madh i shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe sot është bashkimi më i pathyeshëm për republikën e re, do të vazhdojë.
 
Rruga e preferuar e kësaj zgjidhje politike, të parashtruar para historisë dhe momentit të diktuar nga krimi e droga me lidhje qeveritare që duan të asgjesojnë vullnetin e shqiptarëve, rruga e preferuar, mbetet rruga e dialogut të vërtetë për zgjidhje të vërtetë politike.
 
Sonte, ishte një mësim i madh për të gjithë skeptikët e pushtetit të inkriminuar. Ne jemi gati t’ju mirëpresim si qytetarë të Republikës së Re, por ne dhe gjithe shqiptarët nuk jemi dhe nuk do të jemi më kurrë qytetarë të republikës së vjetër.
 
Bashkohuni sa nuk është vonë me këtë vullnet të pandalshëm të shqiptarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. Bashkohuni dhe mos u bëni pengesë e të pandalshmes. Teatri i kukullave do të marrë fund, demokracia dhe Shqipëria do t’u kthehet shqiptarëve.
 
Zgjedhjet e vetme që do të mbahen në Shqipëri, do të jenë vetëm zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vetëm me pjesmarrjen e opozitës, vetëm me zgjidhjen politike, e cila, për këtë lëvizje, kalon nga qeveria teknike dhe garancia e nevojshme për votën e lirë të qytetarëve.
 
Ftesa qëndron e hapur për zgjidhje me dialog, por ultimatumet për 18 qershorin e rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht, janë të papranueshme dhe ne i refuzojmë. 18 qershori ka rënë politikisht, moralisht dhe ligjërisht.
 
Le të bashkohemi pra me një premtim të madh kombëtar ndaj brezave, për Shqipërinë europiane, përmes zgjidhjes së përcaktuar nga ky bashkim popullor dhe qytetar nga kjo qëndresë e pamposhtur 77 ditore. Përfundimi i vetëm i kësaj beteje do të jenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
 
Ultimatumet e republikës së vjetër, i refuzojmë. Bëhuni pjesë e zgjidhjes për Republikën e Re, republikën e qytetarëve shqiptarë, republikën e lirisë, zgjedhjeve të lira dhe demokracisë së vërtetë, ose përballuni me bashkimin dhe marshimin më të madh të qytetarëve javën e ardhshme në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe pas kësaj në çdo shesh e në çdo rrugë të çdo qyteti e të çdo fshati, ku vullneti i shqiptarëve për demokraci, nuk sprapset kurrë më.
 
Zgjedhje të lira dhe të ndershme. Luftë dy faktorëve të destabilizimit në Shqipëri, drogës dhe krimit. Preferojmë me dialog, por jemi të vendosur, për të marshuar paqësisht dhe vendosmërisht drejt zgjidhjes.
 
Këto janë rrugët nga e cila kalon e ardhmja europiane e Shqipërisë. Shpresa e çdo shqiptari të ndershëm, Republika e Re që po agon.




19:50 Komentuesi: U ndikove nga Lu, Rama: S’më detyron asnjë
Pas vendimit të kreut të qeverisë Rama për të tërhequr kandidati e PS në Kavajë, komentues të shumtë në Facebook, e kanë parë vendimin e tij si të ndikuar nga ndërkombëtarët.
 
Por kryeministri Rama u përgjigjet se nuk e detyron askush përveç interesit që Shqipërisë.
 
Disa qytetarë e kanë parë si vendimin e duhur të kreut të qeverisë Rama për të morën e vendit, e ndërsa disa të tjerë si një kthim mbrapa, sipas të cilëve u ka dhuruar “fitore” Bashës.
 
Por shefi i kabinetit qeveritar tha se PD është mësuar të gëzojë fitore imagjinare, dhe se dhe Kavaja është e tillë.   

19:45 Zgjedhjet në Kavajë zyrtarisht pa kandidat, tërhiqet edhe i pavaruri 
Kandidati i pavarur në Kavajë Astrit Haka në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se tërhiqet nga kandidimi në zgjedhjet lokale, ashtu sikur edhe kandidati i PS duke çuar zyrtarisht në shtyrjen e zgjedhjeve, pasi nuk ka asnjë kandidat në garë për në datën 7 Maj.

19:40 Ngjela: Ndërkombëtarëve u intereson 18 qershori e jo Kavaja
Avokati Spartak Ngjela ka komentuar tërheqjen e kandidatit të PS në Kavajë nga kryeministri Rama, ku sipas tij i është kërkuar nga ndërkombëtarët e megjithatë  ai shprehet se për ta e rëndësishme janë vetëm zgjedhjet e 18 qershorit.

19:35 Eduard Halimi: Fitore e Bashës dhe Kavajës
"Tërheqja e Ramës nga Kavaja, fitore e qytetarëve të Kavajës, fitore e Lulzim Bashës, fitore e qëndrestarëve në çadrën e lirisë.
 
Shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë ishte fitore e arsyes mbi arrogancën.
Fitore.
." shkruan Halimi.
 
19:30 Sekretari i Bashës: Kavaja do të të dukej lule para 18 Qershorit
Sekretari për organizim në Partinë Demokratike Eno Bozdo me anë të një statusi në “Facebook” ka reaguar pas vendimit të kryeministrit Edi Rama për të shtyrë zgjedhjet e Kavajës.
 
Ai shkruan se Kavaja para 18 qershorit do të dukej lule. “Frika ruan vreshtin, apo ruan idiotin? E pra, ti s’e ke idenë për 18 Qershorin.
 
Kavaja do të të dukej lule
!” shkruan Bozdo.

19:30 Ambasada Britanike: Të shmanget dhuna, opozita të futet në zgjedhje
Pas SHBA, edhe Ambasada Britanike në Shqipëri ka përshëndetur vendimin e Ramës për të tërhequr kandidatin nga Kavaja, ndërsa bën thirrje që opozita të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit.
 
"Në vijim të lajmeve të fundit, Ambasadori Britanik në Tiranë, Duncan Norman përshëndeti vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme në Kavajë.
 
Mbretëria e Bashkuar vazhdon t’i bëjë thirrje të gjitha partive politike për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive me qëllim sigurimin e pjesëmarrjes të plotë në zgjedhjet e ardhshme.
 
MB ripërsërit thirrjen ndaj të gjithë anëtarëve të partive politike të sigurohen për shmangien e dhunës gjatë periudhës parazgjedhore dhe vetë zgjedhjet
" mbyllet deklarata. 

19:05 Shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë SHBA mbështet Ramën:Jo dhunë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbështet vendimin e kryeministrit Rama për tërheqjen e kandidatit për zgjedhjet në Kavajë, ndërsa bën thirrje partive që të mos angazhohen në akte dhune, referuar deklaratave të PD për mosbindje civile, që janë paralajmëruar.
 
"Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet thirrjen e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve bashkiake në Kavajë me qëllim që të ruhet përqendrimi i qeverisë dhe opozitës tek procesi i dialogut.
 
Nxisim vazhdimin dhe përshpejtimin e procesit të dialogut sepse koha që mbetet për t’i zgjidhur çështjet me anë të negociatave përpara zgjedhjeve të 18 qershorit është e kufizuar.
 
Mbështesim të drejtat e shqiptarëve për të protestuar paqësisht dhe nxisim të gjitha palët që të tregojnë vetëpërmbajtje.
 
Iu bëjmë thirrje të gjitha partive që të mos angazhohen në akte që mund të nxisnin dhunë, veçanëritsht akte që ndikojnë në aftësinë e qytetarëve per të marrë pjesë në zgjedhje dhe për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar. Dhuna nuk ka vend në procesin demokratik
" deklarata e ambasadës së SHBA në Tiranë.

18:55 Ervin Salianji: Rama t'i thërrasë mendjes
Sekretari për aksion qytetar Ervin Salianji në një intervistë për Report Tv nga çadra është shprehur se  "Shpresoj që të jetë një ogur i mirë dhe Rama t’i ketë thirrur mendjes, të ketë reflektuar për situatën.
 
Nuk e shohim si një fitore tërheqjen e kandidatit për bashkinë Kavajë
" deklaroi ai.

18:40 LSI: Shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë ç'tensionon situatën, duhet dialog
Pas vendimit të PS për tërheqjen e kandidatit nga zgjedhjet në Kavajë ka ardhur edhe reagimi i LSI, që e mbështet një lëvizje të tillë për hir të dialogut politik.
 
Kryetari i ri i LSI, Petrit Vasili përmes një deklarate për mediat shprehet se shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë është në funksion të çtensionimit të situatës.
 
"Shtyrja e zgjedhjeve në Kavajë në funksion të çtensionimit të situatës.
 
Dialogu duhet të vazhdojë. Shtyrja e zgjedhjeve krijon qetësi publike.
 
Maturia në funksion të zgjidhjes politike të qëndrueshme. Dialogut i krijohet hapësira dhe qetësia e duhur.
 
Zgjedhjet me standarde mbeten sfidë madhore pa kthim
" deklaron ai.

18:35 Basha kthehet nga Kavaja, do të mbajë fjalim në çadër
Kryetari i PD kishte paralajmëruar një takim sot në 19:00 me strukturat për organizimin e protestës ditën e diel, por është kthyer nga rruga, pas tërheqjes së kandidatit nga PS.

18:35 PS tërheq kandidatin, demokratët e Kavajës festojnë para degës së PD



18:30 Gjata: KQZ nuk ka specifikë kur tërhiqet kandidati
Në lidhje telefonike në studion e lajmeve në Report Tv, Çlirim Gjata komentoi vendimin e kryeministrit Rama, ku gjatë deklaratës për shtyp i bëri thirrje kandidatëve të tërhiqeshin nga gara.



18:25 Ben Blushi: Edi Rama u tërhoq nga frika
"Edi Rama u tërhoq nga zgjedhjet në Kavajë.Pse mos tërhiqet edhe nga 18 qershori? Nuk ka asnjë ndryshim. Pyetja është kush ka të drejtë ta qeverisë Kavajën pa zgjedhje?
 
Dhe kush ka të drejtë ta qeverisë Shqipërinë pa zgjedhje?Kjo ishte një tërhiqje nga frika dhe jo nga detyrimi për marrëveshje.Pas Kavajës cdo mundësi për ta shtyrë 18 qershorin është e hapur dhe cdo mundësi për zgjedhje normale është mbyllu
r" deklaron Blushi.
 
18:20 Sali Berisha: Fitoi Kavaja! Fitoi Shqiperia
"Fitoi Kavaja! Fitoi Shqiperia! Kavaja mposhti Noriegen, qe per karrigen e tij mbi drogen dhe krimin do te asgjesoje voten e lire dhe pluralizmin politik.
 
Rrofte Kavaja! Rrofte Shqiperia! Rrofte Çadra e Lirise dhe revolucioni demokratik! Fitore!
" është shprehur Berisha pas tërheqjes së kandidatit nga PS.

18:00 Nishani: Vlerësoj Ramën që tërhoqi kandidatin në Kavajë
Presidenti Bujar Nishani ka vlerësuar qëndrimin e kryeministrit Rama për të tërheqjen e kandidatit për zgjedhjet lokale në Kavajë.
 
"Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani e vlerëson qëndrimin e Kryeministrit për shtyrjen e zgjedhjeve për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës si një mundësi për të vijuar dialogun politik mes palëve për të gjetur një zgjidhje kompromisi të krizës politike në vend.
 
Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës vijon të nxisë mbajtjen hapur në vijimësi të dialogut mes palëve
" shprehet Presidenti Nishani.


Fjala e plote e Rames
Kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet e publikut lidhur me përpjekjet e mia për një dialog konstruktiv në funksion të përfshirjes së Partisë Demokratike në zgjedhje.

Ndihem krejt i qetë në ndërgjegjen time, sepse kam bërë dhe po vazhdoj të bëj gjithçka është e mundur në këtë drejtim. E kam bërë dhe e bëj jo për ata që janë në çadër, por për demokratët e zakonshëm, njerëz të arsyeshëm që meritojnë vetëm respekt si bashkëqytetarë të këtij vendi.

 Mekanizmi i ri institucional që kemi propozuar për kontrollin e brendshëm të qeverisë gjatë zgjedhjeve në kohë reale garanton barazi dhe transparencë për të gjithë në garën zgjedhore. Kështu që dua t’u them në radhë të parë, shumë faleminderit për mbështetjen e pakursyer që më jepni dhe na jepni në këtë përpjekje aspak të lehtë, për të lidhur fillin e këputur të logjikës demokratike të PD-së dhe për të mos lënë asnjë gjë të mundshme pa bërë në funksion të gjithëpërfshirjes në procesin zgjedhor të 18 qershorit.

Shumëkush më përsërit pa pushim në rrjetet sociale, përmes mesazhesh, apo bisedash direkte, fjalinë: “Mos e lësho 18 Qershorin!”

Mos kini asnjë shqetësim në këtë pikë, sepse edhe po të doja të negocioja 18 qershorin nuk e kam të mundur, pasi nuk është në dorën time. 18 qershori nuk është një datë e zgjedhur nga unë, as nga partitë. Është data e përcaktuar në bazë të Kushtetutës për gjykimin e partive nga populli. Pra, 18 qershori, për sa më takon, nuk mund të jetë pjesë e asnjë negociate mes partive, sepse partitë duhet t’i garantojnë dhe jo t’i negociojnë të drejtat e popullit sovran.

 Të tjerë më thonë vazhdimisht “Mos ia zgjat shumë atyre!” “Pse ua zgjat atyre?” “Varja atyre!” “Boll me ata!” “Prapë me ata!” Ata si gjithmonë, në 27 vjet” e me radhë e me radhë...

Ju lutem të gjithë këtyre miqve, dashamirësve, qytetarëve, bëni durim dhe mos e harroni për asnjë çast, se unë nuk jam vetëm kryetar i partisë më të madhe shqiptare, por jam dhe Kryeministër i Shqipërisë. Ju siguroj se, nëse si kryetar partie s’kam as më të voglin shqetësim në qoftë se Partia Demokratike vendos t’i shkojë deri në fund një strategjie politike vetëvrasëse, si Kryeministër nuk dua të lë asnjë gur pa luajtur që qytetarët që duan ende të votojnë PD-në, të kenë mundësinë ta bëjnë këtë në 18 qershor.

Unë hyj tek ata që qeshin me alarmet infantile të llafazanëve profesionistë në klubet e katundit tonë mediatik për rrezikun që Shqipëria të mbetet pa opozitë, sepse historia e demokracisë mëson se për sa kohë ka zgjedhje dhe liri për të hyrë në zgjedhje, s’ka asnjë mundësi që të mos ketë opozitë në çdo vend ku bëhen zgjedhje.

Paria Demokratike, natyrisht është një parti historike, por nuk do të ishte as e para dhe as e fundit parti historike në historinë e demokracisë që do të dilte nga skena e historisë. E dhimbshme për ata që e duan akoma PD-në, por normale për jetën e gjallë, demokratike, që është një jetë në proces.

Ama një gjë është shumë e rëndësishme të mbahet mirë parasysh sot, kjo shumicë qeverisëse, jo vetëm nuk ka bërë asgjë për ta shtyrë Partinë Demokratike në rrugën e vetëshkatërrimit, ku të çon pa kthim dalja nga shinat e sistemit demokratik, por ka bërë gjithçka për të kundërtën. Kemi bërë gjithçka dhe do të bëjmë gjithçka deri në sekondën e fundit, gjithçka na takon për ta garantuar pjesëmarrjen e Partisë Demokratike në zgjedhje dhe për të mos i lënë votuesit e saj besnikë pa zgjedhje. Por, kur koha për mirëkuptim të ketë mbaruar, e nëse s’do ketë rezultat, ne do ta pranojmë me keqardhje të thellë çdo vendim të lidershipit të PD-së për të ikur në drejtim të paditur, si një e drejtë, por dhe si një përgjegjësi ekskluzive e atij lidershipi.

Kështu që këmbëngulja për dialog me kundërshtarin nuk është dobësi, është kthjelltësi. Durimi nuk është tipar i më të dobëtit, por virtyt i më të fortit. Mos e harroni, politika është shah. Shahu, - thonë, - është një lojë ku durimi strategjik çmonton çdo hile taktike.

Por ka dhe jo pak nga ju, ditët e fundit, që e kanë mendjen te e diela e ardhshme në Kavajë dhe janë të shqetësuar. Me të drejtë të shqetësuar. Një pjesë e shohin 7 majin si ditën kur shteti duhet të tregojë të gjithë forcën e ligjit, me çdo çmim. Të tjerë i druhen një përplasjeje që mund të pasoja fizike për qytetarët e pafajshëm, në shkelje të së drejtës së tyre themelore për të votuar. Të tjerë akoma i friken pasojave më të gjëra të një konflikti që synohet të provokohet në Kavajë, për të nxitur destabilizim në Shqipëri.  

Dua të jem shumë i sinqertë me të gjithë. Që ka një plan për destabilizim të këtij vendi, që çadra është ngritur për ta vënë në jetë këtë plan, që pas atyre që janë ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë, ka të tjerë që e duan destabilizmin për të dëmtuar Shqipërinë, këto nuk janë më hamendje. Janë fakt!

Por që Shqipëria nuk do destabilizohet nga ky plan, të cilin me durim dhe vendosmëri do e çojmë deri në dështimin e plotë, këtë ia siguroj të gjithëve, pa përjashtim dhe pa fijen e dyshimit. Por sfida jonë, e kam thënë dhe më parë, nuk është 7 maji i Kavajës ku ne qeverisim në nivel vendor e do vazhdojmë të qeverisim edhe në 8 maj e unë besoj edhe për shumë gjatë, akoma për çfarë kemi bërë, për sa shumë ka për të bërë dhe për besimin që kemi fituar në Kavajë.

Sfida jonë është të shkojmë deri në 18 qershor, duke bërë çmos që Shqipërisë të mos i hyjë asnjë gjemb në këmbë dhe asnjë shqiptari të mos i cenohet një fije floku nga konvulsionet e marrëzisë që ka pjellë frika nga zbatimi i reformës në drejtësi.

Sfida jonë është që mandatin tjetër, për të vazhduar të qeverisim Shqipërinë, ta marrim në 18 qershor, duke i provuar çdo qytetari të zakonshëm, edhe atyre që nuk na votojnë, se për ne, Shqipëria që Duam nuk është vetëm e socialistëve, por dhe e demokratëve. Nuk është vetëm e atyre që janë dakord me ne, por dhe e atyre që nuk janë dakord me ne. Nuk është shesh për përsheshet e kujtdo partie, në emër të njerëzve të zakonshëm, por është atdheu i përbashkët i njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, me shtet, me punë dhe me mirëqenie.

Prandaj, provokimit antikushtetues, antiligjor dhe antidemokratik të të tmerruarve nga drejtësia, nga drejtësia që po vjen dhe nga zgjedhjet politike që janë në prag, ne nuk duhet e nuk do t’i përgjigjemi flakë për flakë. Kavaja nuk do të bëhet sheshi për një përshesh të neveritshëm që Partia Demokratike po e gatuan verbërisht për turpin e saj më të madh. Turpi le t’i mbetet PD-së!

I kam sugjeruar kandidatit tonë të tërhiqet nga gara e të dielës e t’i kërkojë të tërhiqet edhe kandidatit tjetër, të cilit ia bëj dhe unë këtë apel, shumë miqësisht. Vjen gjithnjë një moment për të thënë fjalën e fundit dhe luajtur gurin  e fundit, po ky moment nuk është 7 maji.

Deri në 7 maj, unë do të përqendrohem i gjithi tek përpjekja për ta bindur Partinë Demokratike të bëhet pjesë e zgjidhjes së arsyeshme që kemi propozuar. Sepse 7 maji koinçidon dhe me fundin e kohës fizike për të garantuar procesin zgjedhor, pa cenuar punën e KQZ për përgatitjen e materialit të votimit në 18 qershor.

Ia kam komunikuar sot, këtë qëllim, edhe miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, të cilët gjithashtu kanë bërë e do të bëjnë deri në fund, përpjekjen për të mos e lënë Partinë Demokratike të kthehet nga fuqia që lindi për liritë e të drejtat e njeriut, në një shkelëse të dhunshme të lirisë e të drejtës së çdo njeriu të këtij vendi për të zgjedhur me votë, i pa penguar nga askush dhe asgjë.

E të jeni shumë të qartë, të pengosh njerëzit të votojnë, është krim i rëndë! Dhe ky krim që nuk ka ndodhur as në vendet më të humbura, me demokraci shumë më të dobët se Shqipëria, në këtë vend nuk mund, nuk duhet e nuk do ta lejojmë të kryhet. Nuk do e lejojmë ne e nuk do e lejojë askush nga familja e vendeve të lira ku bëjmë pjesë. 

Po as kemi arsye dhe as nuk është nevoja që ta bëjmë Kavajën pasnesër, vendin ku ky krim të tentohet e të ndëshkohet me çdo çmim. Sepse, nëse të ngujuarit në çadër, në dëshpërimin e tyre kërkojnë shesh për të bërë një stërvitje me përmbajtje kriminale në Kavajë, për të nxirë Shqipërinë sa të munden e për të cenuar e dëshpëruar kë të munden përpara 18 qershorit, as ne, as Shqipëria, as miqtë e partnerët tanë të pazëvendësueshëm nuk kemi pse bëhemi pjesë e kësaj stërvitjeje të shëmtuar, por kemi nevojë të zhvillojmë, pasi t’i kemi dalë çdo borxhi PD-së, ndeshjen e 18 qershorit.

Në përfundim, i përsëris Lulzim Bashës, lëre tani Kavajën, hiqe nga mendja se mund ta shtysh me provokime, jo datën, por as afatin fundor të mundësisë për të hyrë në zgjedhje, që është 8 maji dhe fokusohu tek zgjidhja që të është ofruar deri në 7 maj.

Unë jam gati të ulem përsëri me Lulzimin, por këtë herë për të detajuar ofertën që ai ka në tavolinë e jo për të filluar nga e para avazin e qeverisë teknike dhe të shtyrjes së zgjedhjeve në kalendat greke, me sebepin qesharak të përgatitjes së votimit elektronik.

Zgjedhjet do të bëhen në 18 qershor dhe të hënën më 8 maj, unë nuk jam më në dispozicion për Lulzim Bashën dhe PD-në, nëse deri të dielën, ata nuk bien dot dakord për ofertën, për ndryshimin e menjëhershëm të Kodit Zgjedhor, sipas rekomandimeve të ODIHR-it dhe zhbllokimin e Vetting-ut, natyrisht.

Kështu që edhe fare pak durim u kërkoj të gjithëve. Jemi në prag të një zhvillimi me rëndësi të madhe në vendin tonë. Dhe me PD, pa PD, më 18 qershor populli do vendosë jo thjesht se kë do ngarkojë për të qeverisur Shqipërinë për katër vitet që vijnë, por si do jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari