Këta kërcimtarë të rinj të Ansamblit ‘Folk-Trevar” janë trashëgimtarët e një pasurie të madhe të shpirtit shqiptar, tashmë pasuri e gjithë botës. “K’cimi i Tropojës”, për Skënder Haklajn, nismëtar i grupit të punës për hartimin dhe dorëzimin e dosjes në UNESCO është shumë më shumë se një valle.
“Duhet ta kuptojmë që nuk është valle. K’cimi i Tropojës flet vetë. Është pjesë e brendshme e ritualit, ndërsa vallet janë pjesë sipërfaqësore e ritualit. Pse e brendshme? Sepse flet për ritualin, flet për ritet, për legjendat, tragjeditë, për vetë kulturën e atij populli që jeton në atë mjedis të mrekullueshëm.”, - thotë Haklaj.
Ndër shekuj element identifikues i krahinës së Tropojës, sot, asnjë prej ceremonive festive tradicionale kudo në trojet shqiptare, si: dasma, fejesa, ditëlindje, festa fshati dhe raste të tjera shoqërore, përfshirë ato që janë më pak zyrtare, dhe shpesh mjaft spontane, nuk mund të mendohet pa “K’cimin e Tropojës”.
“K’cimi i Tropojës nga fillestarët mund të mësohet me pesë lëvizje bazë.”, - thotë Rolinda Rrushi, kërcimetare dhe asistent profesore në ansamblin “Folk Trevar”, ndërsa tregon në praktikë se cilat janë këto lëvizje.
Ndërsa nxënës të ansamblit tregojnë se çfarë i shtyu të mësojnë kërcimin e Tropojës. Nga ana tjetër, etnokoreografi Haklaj vëren se interesi për të mësuar kërcimin e Tropojës është shumë i madh, madje edhe të huaj.
“Nuk ka dasmë që nuk bëhet pa “K’cimin e Tropojës”. Tropoja ia dhuroi kombit këtë art të bukur.”
Vallja ka lëvizje ritmike dhe shoqërohet me tupan, çifteli dhe fyell, ndërsa valltarët mbajnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë.
Dosja për “K’cimin e Tropojës” u dorëzua në UNESCO tre vjet më parë bashkë me 'Transhumancën" dhe "Xhubletën", të cilat gjithashtu janë marrë nën mbrojtje nga UNESCO. “K’cimi i Tropojës” është shpallur më herët nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave në Shqipëri, si pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.