KE: Shqipëria 2013, rezultate
zhgënjyese, bien të ardhurat

KE: Shqipëria 2013, rezultate<br />zhgënjyese, bien të ardhurat
TIRANE - Direktorati Ekonomiko-Financiar i Komisionit Evropian ka publikuar vlerësimin për situatën në vendet kandidate dhe në proces afrimi me BE, ku evidenton rritjen e borxhit publik në Shqipëri, krahas me rënien e të ardhurave.

Performancë zhgënjyese fiskale” e ka cilësuar situatën financiare në Shqipëri Direktorati Ekonomiko-Financiar i Komisionit Evropian, i cili ka publikuar dje raportin më të fundit lidhur me gjendjen në vendet në proces aderimi me BE. Raporti ve në dukje se në vendin tonë të ardhurat totale ranë me 0.2% me bazë vjetore dhe me 1 pikë përqindjeje si peshë ndaj PBB-së (në 24.5%) gjatë tremujorit të parë të këtij viti.

Ndërkohë, edhe shpenzimet ranë me 0.3% me bazë vjetore dhe më 1.1 pikë përqindjeje si raport ndaj PBB-së. Por, tendenca negative në këtë mes është fakti që rënia e shpenzimeve të tërësi u arrit vetëm nga reduktimi i investimeve.

Gjatë dy muajve të parë të këtij viti të ardhurat nga taksat ranë me 1.7%, teksa zëri kryesor, TVSH-ja, u tkurr me 8.7%. Kjo nuk u arrit të kompensohej nga një rritje në të ardhurat nga tatimi personal dhe tatim fitimi (me rritje përkatësisht 9.4% dhe 13.9%), si dhe përmirësimi me 4.9% i kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Raporti e vë theksin te rritja e borxhit publik, që ka arritur në 61.5% të PBB-s. Në të thuhet se deficiti i përgjithshëm buxhetor në 2012-n rezultoi më i lartë sesa plani, duke arritur në 3.4% të PBB-së, nga 3.0%, që ishte plani. Si rezultat i mbledhjes zhgënjyese të taksave, thekson raporti, të ardhura totale ranë me 0.2% me bazë vjetore dhe me 1 pikë përqindjeje si peshë ndaj PBB-së (në 24.5%).

Raporti thekson se vendimet e fundit për të hequr TVSH për çimenton dhe hekurin e përdorur në hidrocentrale dhe heqjen e tatimit mbi të ardhurat për pagat deri në 30 mijë lekë, mund të ushtrojë presion të mëtejshëm në kahun e të ardhurave.

Shpenzimet totale në janar-shkurt u rritën me 1.3% me bazë vjetore, si rrjedhojë e një zgjerimi prej 5.4% të shpenzimeve korente dhe një shtimi modest prej 2.4% të shpenzimeve kapitale. Por raporti thekson se rritja e shpenzimeve do të kishte qenë më e lartë, po të mos ishte për një bazë të lartë në 2012-n, si rrjedhojë e një huaje shtetërore prej 2 miliardë lekësh që iu dha KESH për financimin e importit të energjisë.

INFRASTRUKTURA

Punë publike bllokohen lejet

Volumet e punës në ndërtimin e rrugëve të ndryshme dhe autostradave janë reduktuar ndjeshëm. Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave konfirmojnë një ulje prej afro 82% në vlerën e lejeve për ndërtimin e rrugëve në raport me të njëjtën periudhë me një vit më parë.

Në tremujorin e katërt të 2012-ës kjo vlerë zbriti në vetëm 166 milionë lekë. Reduktim është shënuar gjithashtu edhe në punimet e tjera që kanë të bëjnë me investimet publike. Vlera e lejeve për ndërtimin e ujësjellësave, linjave të energjisë elektrike apo telekomunikacionit është reduktuar rreth 100% në raport me një vit më parë. në fund të vitit 2012, kjo vlerë ka zbritur në vetëm 32.5 milionë lekë.

Rënia e ndjeshme e volumeve të këtyre dy zërave ka ardhur si pasojë e uljes drastike të shpenzimeve kapitale të qeverisë. Kjo situatë i shtohet asaj të lejeve të ndërtimit nga pushteti vendor. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në gjithë Shqipërinë u dhanë më 2012, 73 leje të reja ndërtimi, me një rënie prej 89% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 13.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë