Kebap me kërpudha

Përbërësit:

  • 500 gr kërpudha mesatare
  • 600–700 gr mish i grirë
  • 1 qepë mesatare
  • 3-4 thelpinj hudhër
  • 1 lugë çaji kripë
  • 1 lugë çaji piper i zi
  • 1 lugë çaji kumin
  • 1 lugë çaji rigon
  • 1 lugë çaji spec i kuq pluhur
  • 1 lugë çaji spec i kuq i grirë
  • 1 lugë çaji salcë speci
  • 1 lugë gjelle gjalpë

Përgatitja:

Vendosim mishin e grirë në një enë. Shtojmë qepën, hudhrën e grirë imët, salcën e specit, kripën dhe të gjitha erëzat. E përziejmë mirë derisa të lidhet mirë masa. Formojmë toptha sa madhësia e një arre dhe i vendosim mënjanë. Pastrojmë kërpudhat duke i qëruar lehtë (pa i larë që mos të bëhen të lëngshme në gatim). Në një tavë vendosim një kërpudhë, një qofte, duke i alternuar njëra pas tjetrës. Nëse mbetet hapësirë në mes, e mbushim me domate të vogla. Shtojmë sipër copa të vogla gjalpi të shpërndara dhe e vendosim tavën në furrë të parangrohur në 220°C, me nxehtësi sipër e poshtë, pa mbulesë. E pjekim për 45–50 minuta, derisa të marrë ngjyrë të artë sipër.