TIRANË - Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore ka reaguar sot duke shprehur shqetësim për akuzave pa dallim gjyqtarëve, por edhe mbështetjen për reformën në sistemin e drejtësisë.

KEKGJ është mbledhur ditën e sotme me nismë të 1/3 të anëtarëve për të shqyrtuar situatën e krijuar kohët e fundit. KEKGJ shpreh shqetësimin e të gjithë gjyqtarëve për deklarata e qëndrime publike të ditëve të fundit  të cilat i drejtohen në masë e pa dallim të gjithë gjyqtarëve.
 
KEKGJ: Shumica e gjyqtarëve të përgjegjshëm, punojnë me përkushtim
“Deklarata të tilla vetëm sa e përkeqësojnë imazhin e gjyqësorit dhe përbaltin misionin e punën e përditshme  të gjyqtarëve. Nuk duhet harruar se shumica e gjyqtarëve në ushtrim të funksionit të tyre janë të përgjegjshëm e punojnë me përkushtim e integritet, duke përballuar tensionet e një pune  delikate e  voluminoze,   pavarësisht se përballë kanë persona me rrezikshmëri të lartë” – thuhet në reagimin e KEKGJ.

Sipas KEKGJ, etiketimi  i masës së përgjithshme  të gjyqtarëve dhe identifikimi i tyre në tërësi  me fenomenet negative e vështirëson punën e çdo gjyqtari, cenon pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe dëmton misionin e dhënies së drejtësisë.

Duke u distancuar nga çdo shfaqje korruptive në sistemin e  drejtësisë, Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore i bën apel institucioneve dhe organeve shtetërorë të të gjitha pushteteve, medias e opinionit publik që të kontribuojnë për të luftuar pa kompromis këtë fenomen të shëmtuar,

“Kjo luftë kërkon masa e veprime konkrete, ndaj personave e individëve përgjegjës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin, pa bërë përgjithësime denigruese.” –theksohet në deklaratë.
 
KEKGJ: Mbështesim reformimin e sistemit gjyqësor, proces jetik
KEKGJ si organi përfaqësues i Konferencës Gjyqësore Kombëtare deklaron se është i ndërgjegjshëm për sfidat dhe detyrat që shtrohen përpara pushtetit gjyqësor, pasi përcaktohen qartë edhe në Progres-Raportet e BE

“Në këtë kuadër, është mëse urgjente të angazhohemi për forcimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, për rritjen e efektivitetit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies si dhe luftës pa kompromis  kundër korrupsionit.”-nënvizohet në deklaratën e KEKGJ.

Për arritjen e objektivave të mësipërme, sipas KEKGJ pushteti legjislativ dhe ekzekutiv kanë në dorë mjetet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për reformimin e mëtejshëm të  pushtetit gjyqësor.

“Por në këtë proces është e nevojshme bashkëpunimi me të gjithë operatorët e sistemit të drejtësisë. Pushteti gjyqësor mbështet këto nisma, mbështet reformimin  dhe shpreh gatishmërinë të kontribuojë në këtë proces të rëndësishëm dhe jetik për vendin.”-thuhet në deklaratën e KEKGJ.

Në përfundim të mbledhjes së KEKGJ është marrë në konsideratë edhe mundësia e thirrjes në të ardhmen të Konferencës Gjyqësore Kombëtare.
 

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)