TIRANË- Opozita po diskuton që në zgjedhjet e 25 prillit të shkojë me 2 ose me më shumë lista kandidatësh! Një fakt i tillë është konfirmuar nga kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, (FRPD), Belind Këlliçi. I ftuar në studion e Report TV, në emisionin "5 pyetje nga Babaramo", Këlliçi tha se kjo vjen si detyrim për shkak të ndryshimeve të njëanshme siç i quan ai, të Kodit Zgjedhor.

"Pritet të ketë 2 ose më shumë lista, se të tillë na e ka bërë Rama koalicionin. Ne do të jemi në kualicion me çdo parti që përqafon programin ekonomik tonë. Ato që nuk i kandidoi Basha në 2017? Kushdo është i mirëpritur. Ka emra që janë propozuar në këto lista, që dikur janë larguar nga PD, por që në asnjë moment nuk kanë qëlluar me gur PD, çdo kush që ka kundërshtar Edi Ramën, vendin e ka në opozitë", tha Këlliçi.

Gjithashtu, Këlliçi ka sjellë të vërtetën e tij  lidhur me "përplasjen" me punonjësit e Landfillit të Sharrës, të një dite më parë. Përballë gazetarit Ilir Babaramo, Këlliçi tha se nuk kanë tentuar në asnjë moment që të futen në brendësi të landifllin, por të bënin një deklaratë ku të artikulonin akuzat e tyre. Kjo gjë sipas tij është penguar nga disa punonjës. Kanë tentuar herën e parë, por nuk kanë mundur dhe në largim janë ndjekur me makina nga disa punonjës, të cilët i kanë denoncuar në polici. Më pas Këlliçi sqaron se janë rikthyer dhe sërish janë përballur me punonjësit. Kjo sipas kreu të Forumit Rinor tregon se në këtë landfill po fshihet diçka.

"Nuk kemi tentuar që të futemi me forcë në Landfill. Ka patur një punonjës që na thotë futuni, u kemi thënë patjetër të mbarojmë deklaratën dhe të filmojmë malin me plehra. Jemi larguar në zonën e Kombinatin, na kanë gjëmuar me makina personale të cilët targat, i mbaj mend i kemi referuar në policinë e Tiranës. 30 minuta më pas jemi kthyer, për të bërë deklaratën tonë sërish jemi refuzuar, kemi hasur punonjësit me jelek të verdhë dhe nuk kemi mundur që të japim atë deklaratë. E gjitha ka përfunduar ditën e djeshme ku dje kemi bërë kallëzimin penal në drejtorinë e policinë, për agresion nga ana e punonjësve për të dhënë një deklaratë. Nëse nuk kemi të bëjmë me një aferë, pse gjithë kjo dhunë për të ndaluar dy opozitarë të bëjë deklaratën. Nëse u gënjej le të më kallëzojnë për shpifje. E gjithë kjo tentativë bëhet për të fshehur një aferë shumë të madhe korruptive, persona pa eksperiencë, që kanë hapur kompanitë 24 orë para se të bëhen pjesë e garës kanë fituar tenderin 128 mln euro. Nuk bën sens që dikush që ka punuar kamerier, brenda 6 vitesh të fitojë një tender 128 mln euro. Në Elbasan, pronare është bashkëjetuesja e Mirel Mërtirit. Në Fier kanë gjetur një kompani fiktive italiane, që ka fituar procedurën dhe më pas kjo kompani ia shet Zotës", tha Këlliçi, edhe pse kjo agresoni bga ana e punonjësve në drejtim të dy opozitarëve është u mohua menjëherë nga kompania.