Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi nuk kursen akuzat për Erion Veliajt në çdo dalje publike. Së fundmi, në takimet me banorët në njësinë nr.9, kandidati i PD për Tiranën, Këlliçi takoi një zonjë të moshuar që shiste në rrugë, të cilës i tha se pas 14 majit nuk do të përballet më me policinë bashkiake.

 “Arsyeja se pse ndalova këtu, është se të pashë që po shisje dhe doja me dit, a të bezdis policia bashkiake dhe të të them që pas 14 Majit nuk do të të bezdisë më policia bashkiake, se do jesh rehat, as gjoba, asgjë” u shpreh Këlliçi. “Prej Durrësi kam ardh dhe që në fillim e deri më sot më kanë bezdis” ishte pohimi i gruas që po përpiqej të shiste mallin e saj në rrugë.

Në kuadër të turit “Jam këtu t’ju dëgjoj”, Këlliçi takoi disa tregtarë përgjatë rrugëtimit që pati në këtë zonë të Tiranës, me të cilët bisedoi për vështirësitë dhe problemet që ata hasin në punën e përditshme. Shqetësues për të gjithë ka qenë vazhdimisht policia bashkiake.

“Mua më kanë bezdis. Gjoba po, më kanë mbyll gjysmën e aktivitetit. Konkurrenca, dikush tjetër njeh dikë. Edhe më kanë kërcënuar” u shpreh një tregtar këpucësh që bashkëbisedoi me Këlliçin.

Gjatë rrugës, Këlliçi u takua me një nga banorët e Laprakës, që sapo kishte marrë nga bashkia fletë-thirrjen për prishjen e shtëpisë së tij.

“Nesër do më prishet shtëpia dhe do dal në rrugë të madhe” u shpreh ai.

“E di se jam marrë me problemin e Laprakës. Ka njerëzillik, edhe bashkia vjen ulet, të tregon planin, të shpronëson me vlerën e tregut, të thotë që do trajtohesh një vit apo dy vjet, por këto të tregojnë derën. Për sa kohë të kanë marrë taksat, ujin, dritat shteti të ka njohur. Mos firmos! Kujdes se po i bëjnë me pisllik! Shty edhe dy muaj e gjysëm!” ishin fjalët e kandidatit të PD për Tiranën.

Në takimet me banorët e njësisë nr.9 në Tiranë, Këlliçi ka dëgjuar ankesat dhe problemet e ndryshme të secilit. Në bazë të tyre do të hartohet programi për qeverisjen e kryeqytetit pas 14 Majit.