PROFILI/ Kryetar i partisë falë një afere seksuale, kush është njeriu që pretendon ta rrëzojë Erdoganin

PROFILI/ Kryetar i partisë falë një afere seksuale, kush është njeriu që pretendon ta rrëzojë Erdoganin

Kemal Kilicdaroglu

Opozita po kërkon prej kohësh një kandidat të përbashkët për të sfiduar presidentin Recep Tajip Erdogan në zgjedhjet e ardhshme. Ajo duket se më në fund e ka gjetur atë: Kryetari i Partisë Popullore Republikane (CHP), Kemal Kilicdaroglu do të garojë kundër Erdoganit në zgjedhjet e 14 majit. Por kush është njeriu që pretendon ta rrëzojë Erdoganin – njeriun që është në pushtet për mbi 20 vjet?

"Burokrati i vitit"

Kemal Kilicdaroglu lindi si fëmija i një nëpunësi në vitin 1948 në një fshat në rajonin e Anadollit lindor në Tunceli. Rrjedh nga një familje alevite. Alevitët janë një pakicë etnike-fetare në Turqi. Ai është i katërti nga shtatë fëmijët dhe i vetmi në familje që ka studiuar.

Ka diplomuar për ekonomi dhe financa në Ankara, ndërsa karrierën e filloi më 1971 si këshilltar në Ministrinë e Financave të Turqisë. Ai gradualisht u ngrit në administratën turke dhe në vitin 1992 u bë drejtor i Agjencisë së Sigurimeve Shoqërore (SSK). Në vitin 1994 u shpall "Burokrati i Vitit” nga një revistë financiare. Në vitin 1999 doli në pension.

Kemal Kilicdaroglu është shquar gjithmonë për ndershmëri dhe besueshmëri – cilësi që nuk merren si të mirëqena në politikë, veçanërisht në Turqi. Si burokrat, ai luftoi korrupsionin. Falë punës së tij shumëvjeçare në industrinë e sigurimeve, thuhet se ai ka fituar aftësinë për të gjetur një gjilpërë në një grumbull kashte: "Në një dhomë plot me dosje qeveritare, Kilicdaroglu mund të gjejë të gjitha parregullsitë dhe korrupsionin menjëherë", thotë një anëtar i CHP për DW dhe shton: "Të qëndrosh i sinqertë për këtë nuk është vetëm një virtyt, është një detyrë e nevojshme."

Karriera politike

Kilicdaroglu bëri emër në publik si burokrat anti-korrupsion. Karriera e tij politike filloi kur përgatiti një raport korrupsioni me kërkesë të partisë kemaliste socialdemokrate CHP. Raporti u prit mirë nga lideri i atëhershëm i partisë Deniz Baykal dhe nxiti hyrjen e Kilicdaroglut në politikë. Hyrja e tij e parë në parlamentin turk erdhi pas zgjedhjeve të vitit 2002, në të cilat presidenti aktual Erdogan erdhi në pushtet.

Në vitin 2007 ai u bë nënkryetar i grupit të CHP. Ekspozimi i tij mediatik u rrit ndjeshëm kur publikoi disa prova për korrupsionin në vend. Në famën e tij kontribuoi edhe lufta me fjalë me disa deputetë nga radhët e partisë konservatore islamike AKP të Erdoganit. Në vitin 2009 ai kandidoi për kryetar bashkie të Stambollit dhe humbi nga kandidati i AKP-së.

Kryetar i partisë falë një afere seksi

Kur një skandal seksual rrëzoi kreun e partisë, CHP Deniz Baykal nga posti në vitin 2010, Kilicdaroglu kandidoi për udhëheqjen e partisë. Në kongresin e partisë ai mori të 1189 votat e vlefshme. Edhe pse shumica dërrmuese e mbështetësve të CHP-së mbështetën kandidaturën e tij në atë kohë, popullariteti i tij është zbehur që atëherë. Sot, baza e partisë është më e ndarë kur bëhet fjalë për Kilicdaroglu.

Ai fitoi famë ndërkombëtare kur shkoi nga Ankaraja në Stamboll në vitin 2017. Ai dhe mbështetësit e tij udhëtuan rreth 420 kilometra si pjesë e protestës së "Marshimit të Drejtësisë", e cila donte të tërhiqte vëmendjen ndaj represionit në rritje nga qeveria e AKP-së. Arsyeja e marshimit 25-ditor ishte dënimi me burg i politikanit dhe gazetarit të CHP, Enis Berberoglu.

"Nuk zemërohem kurrë"

Kilicdaroglu, i cili mund të bëhet presidenti i 13-të i Republikës Turke, njihet edhe për qetësinë e tij. Nofkat e tij publike janë "Gandhi-Kemal" për shkak të ngjashmërisë së tij në pamje dhe stil me Mahatma Gandhi ose "Forca e Qetë" dhe "Xhaxhai Demokratik".

Ai një herë tha në një intervistë se "nuk zemërohet kurrë". Gruaja e tij e konfirmoi këtë me fjalët e mëposhtme: "Ai është i këndshëm dhe shumë i qetë. Pak tepër i qetë. Kemali nuk e ngre kurrë zërin, ai nuk bërtet kurrë. As që mund të debatosh me këtë burrë. Fakti që është kaq i qetë ndonjëherë vërtet më çmend”, thotë Selvi Kilicdaroglu.

Deputeti dhe nënkryetari i CHP-së, Bülent Kusoglu e njeh Kilicdaroglun prej vitesh. "Të punosh me të duket e lehtë - por është mjaft e vështirë. Ai është jashtëzakonisht i durueshëm, i vendosur, i orientuar drejt detajeve dhe punëtor," tha Kusoglu për DW.

Ai konsiderohet si politikani fizikisht më i sulmuar, ndaj të cilit janë bërë edhe përpjekjet më të shumta për atentat, në historinë politike të Turqisë. Kjo përfshin edhe tentativën për linçim në vitin 2019 në Ankara. Në një intervistë për DW, një politikan i CHP shpjegon se si u shfaq Kilicdaroglu pas sulmit: "Ne pritëm para derës së tij. Ai doli jashtë. Ai kishte të nxira në fytyrë, por nuk dukej aspak i pakënaqur. Ai na ftoi në zyrën e tij dhe porositi çaj për ne. Tha se nuk kishte asgjë për ta tepruar. Ne ishim më emocionalë dhe më të zemëruar se ai. Por ai ishte shumë i qetë. Sikur ne i mbijetuam linçimit dhe jo ai."

Kilicdaroglu i ka mbijetuar deri tani disa atentate - një sulm të armatosur nga milicia kurde PKK, një sulm në parlament dhe një tentative sulmi me bombë nga IS (Shteti Islamik) gjatë marshimit të tij për drejtësi.

Kandidati më i mirë?

Pavarësisht imazhit pozitiv, Kilicdaroglu është kritikuar publikisht për vite të tëra se nuk është mjaft karizmatik për të paraqitur një alternativë të kapshme për elektoratin kundër Erdoganit.

Kandidimi i tij ka shkaktuar përçarje në koalicionin opozitar, i cili përbëhet nga gjashtë parti opozitare. CHP dhe pesë parti të tjera opozitare kanë punuar së bashku për më shumë se një vit për të rritur shanset e tyre për të fituar kundër Erdoganit. Këto parti janë takuar disa herë në të ashtuquajturën "tavolina e të gjashtëve”.

Megjithatë, "tavolina e të gjashtëve" është bërë një kohë "tavolina e të pestëve": Partia e dytë më e madhe në tryezë, partia LYI me orientim nacionalist, kërcënoi se do të largohej nga tavolina pasi u bë e qartë se Kilicdaroglu do të jetë kandidati i opozitës. Shefi i LYI-it, Meral Aksener, ka bërë fushatë kundër kandidaturës së Kilicdaroglu për muaj të tërë, me shpjegimin se ai "nuk mund të fitojë kundër Erdoganit". Aksener mendon se kryebashkiaku i Stambollit Ekrem Imamoglu dhe homologu i tij nga Ankaraja, Mansur Yavas janë kandidatë më të fuqishëm. Në fakt, Kilicdaroglu nuk ka fituar kurrë në zgjedhje.

Pas shumë negociatash në prapaskenë, kriza në opozitë duket se është qetësuar për momentin: Aksener është rikthyer në tavolinën e partive opozitare dhe tani e mbështet kandidaturën e Kilicdaroglu. Konsensusi: Imamoglu dhe Yavas duhet të emërohen "zëvendëspresidentë" në të ardhmen. Të dy ata kanë fituar zgjedhjet për kryebashkiak në dy qytetet më të mëdha të Turqisë në vitin 2019. Ata gëzojnë mbështetje të fortë në shoqëri. Plani i opozitës është të forcojë kandidaturën e Kilicdaroglut. Pesë kryetarët e partive të tjera do të emërohen gjithashtu "zëvendëskryetarë". Sipas kushtetutës turke, presidenti mund të emërojë një numër të pakufizuar zëvendësish. Pas disa javësh në zgjedhje do të shihet nëse ky lloj uniteti i brishtë mjafton për fitore kundër Erdoganit./DW

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 08/03/2023 09:41

    Opozita turke beri gafe me Kemal Kilicdaroglu qe e perzgjodhi per kanditat,kundra Erdoganit.Ky nuk ka fituar asnjehere ne votime.Problemi i ketij eshte se nuk eshte karizmatik,kur flet dhe e degjon te ze gjumi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë