Vapa dhe nxehtësia shpeshherë sjellin enjtje të këmbëve, por edhe mungesë të energjisë. Specialisti i bimëve mjekësore, Ylli Merja, dha disa alternativa lehtësuese në emisionin “Rreze Dielli” në Report Tv,  nëpërmjet çajrave dhe bimëve që ndihmojnë në shumë raste, kur njerëzit nuk kanë patologji shëndetësore.

“Artkiumlapa, ose siç njihet në gjuhën popullore, rrodhja e madhe, është një nga bimët më efikase, por duhet të keni kujdes të mos ta ngatërroni me gjembaçin e gomarit”. Merja shpjegoi se artkiumlapa gjendet në toka të thata gurishtore, zhvillohet në trajtë xhufkash, gjethen e ka me push të ashpërsuar, si gjethja e fikut. Kjo bimë përmirëson funksionin e mëlçisë. Merret vetëm rrënja e saj e drunjëzuar, largon toksinat, pasi ka një substancë që rizgjon energjinë e brendshme të trupit. Atë mund ta përgatisni si një çaj. Ziejeni në gjysmë litri ujë dhe pijeni gjatë ditës. Tonifikon qarkullimin e gjakut, ngushton venat varikoze. Gjethet e saj mund të përdoren për kompresa në rast se keni irritime të lëkurës. Kjo bimë është ndër më të studiuarat nga Agjencia e Mjekësisë Europiane.

Një çaj shumë efikas do të ishte:

Përzieni gjethet e gingobilobës bashkë me rrënjët e artkiumlapës. Për të fuqizuar funksionin e sistemit tretës, shtoni edhe mëndër të butë. Nëse doni ta pasuroni me acide që ndihmojnë në uljen e kolesterolit, shtoni fruta pylli dhe ziejeni 3-4 minuta. Ky çaj heq lodhjen e këmbëve, përforcon sistemin venoz. Në verë përdoret edhe i ftohtë. Pasurojeni edhe me produkte të tjera, shtoni feta kastraveci ose shtrydhni limon.

Specialisti i bimëve mjekësore, Merja, sqaroi për publikun se enjtja e këmbëve në verë mund të vijë edhe nga insuficienca kardiake, e cila jep enjtje te të dyja këmbët. Merja shpjegoi se, nëse keni gulçim në kraharor, kollë dhe sekrecione me gjak, duhet të shkoni te mjeku për të bërë disa ekzaminime. Ndërsa, nëse keni vetëm enjtje këmbësh dhe nuk keni shqetësime të tjera, përgatisni këtë çaj ose përdorni një çaj hithre, që tonifikon, nxit diurezën, largon kripën dhe ujërat e tepërta. Hithrat mund t'i bëni edhe byrek, duke shtuar lakra të egra dhe majdanoz. Nëse hithra thahet, humbet pak vlerën e saj. Mos harroni, çaji ndihmon zorrën dhe mëlçinë duke larguar toksinat.

“Por kujdes! Nëse keni insuficiencë renale, keni ënjtje këmbësh, duarsh dhe të kapakëve të syve, problemin e keni te veshkat. Nëse enjtet vetëm njëra këmbë, mund të keni probleme me veshkën ose me mëlçinë.Ndërsa, nëse ju ënjten të dy këmbët është problem nga zemra. Shkoni te kardiologu!”, këshillon Merja.

Në temperaturat e larta, venat varikoze fryhen, lirohen nga vapa dhe s'kanë fuqi kontraktimi. Fillon ndezja e këmbëve, sepse gjithë uji, kripërat dhe acidet janë mbledhur në këmbë. Një çaj i mirë do të ishte edhe përzierja e gjetheve të hurmës me dy gjethe fiku, majat e lastarëve të ferrës dhe një litër ujë. Kjo ju jep fuqi muskujve të këmbës.

Nëse ju fryhen këmbët natën dhe ju zjejnë sidomos shputat, kjo do të thotë që nuk keni qarkullim të mirë të gjakut. Në darkë ngushtohen arteriet e fryra. Merrni një legen, shtoni ujë të ftohtë, kripë dhe uthull molle. Mbajini këmbët për 15-20 minuta. Në këtë mënyrë kontraktohen enët e gjakut. Kjo do t'ju ndihmojë duke ju hequr ndezjen e këmbëve.

Një përzierje e mirë është edhe ajo e degëve të pishës së detit. Merja shpjegoi se një çaj i mirë mund të përgatitet duke marrë lastarët, t'i zhvishni nga gjethet. Lëkurat e tyre janë të pasura me një substancë që ndihmon në kontraktimin e arterieve dhe venave. Lëkurat hidhini në çajnik, në një litër ujë, shtoni një lugë gjelle me lëvore pishe, shtoni boronicë dhe fruta pylli ose hithra. Ziejini për 2-3 minuta. Kjo do t'ju sjellë përmirësim të qarkullimit venoz.