Tre persona janë vënë në pranga nga policia e Fierit, pasi ushtronin aktivitet të këmbimit valutor në mënyrë të paligjshme.

Aksioni u zhvillua në kuadër të operacionit të koduar “Transaksioni”, i organizuar nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale.

Në pranga ranë Ramazan Koçiu, 64 vjeç, banues në Lushnjë, Edmond Shkurti, 67 vjeç dhe Abaz Idrizi, 57 vjeç, të dy banues në Fier.

Sipas policisë, ata u kapën në flagrancë duke ushtruar aktivitet të këmbimit valutor pa licencë, në kundërshtim me ligjin.

Gjatë kontrollit, uniformat blu sekuestruan shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme, përfshirë 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga dhe, 2 500 korona. 

Operacioni vjen në vijim të kontrolleve në terren dhe verifikimeve në subjekte të ndryshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive që kryhen në informalitet.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë 

Ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor, në mënyrë të paligjshme, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen shuma të konsiderueshme parash në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë, paund dhe franga).Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Fier, në vijim të kontrolleve në terren dhe verifikimeve në subjekte të ndryshme, për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive që kryhen në informalitet, organizuan dhe finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin policor e koduar “Transaksioni”. 

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit: -R. K., 64 vjeç, banues në Lushnjë; -E. Sh., 67 vjeç, banues në Fier; -A. I., 57 vjeç, banues në Fier.  Këta shtetas dyshohet se ushtronin aktivitetin e këmbimit valutor në Fier dhe në Lushnjë, pa licencën nga organet kompetente.   Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve dhe kontrollit në banesat e tyre, u gjetën 4 200 000 lekë, 17 300 euro, 1 400 paund, 300 dollarë, 200 franga, 2 500 korona, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 5 celularë.   Në vijim të veprimeve për këtë rast, u vu në hetim shtetasi E. K., 67 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një shumë e vogël parash e përfituar nga këmbimi i kundërligjshëm.     

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për hetime të mëtejshme, për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.