Kembrixh, Topi dekoron CATS
College me Medaljen e Mirënjohjes

Kembrixh, Topi dekoron CATS <br />College me Medaljen e Mirënjohjes
TIRANE - Në një ceremoni të zhvilluar sot paradite në Universitetin e Kembrixhit, në praninë e drejtuesve më të lartë dhe trupës pedagogjike të këtij institucioni të rëndësishëm akademik të Mbretërisë së Bashkuar e njëkohësisht nga më të shquarit në botë, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi “CATS College” të Kembrixhit me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacion: “Për kontributin e dhënë në edukimin e nxënësve shqiptarë me kulturën britanike e evropiane.”

Në këtë ceremoni dhe gjatë takimit që pasoi mes Presidentit të Republikës, të shoqëruar nga Zonja e parë, Teuta Topi, Zëvendësministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Nikollë Lesi dhe delegacioni zyrtar shqiptar dhe drejtuesve të “CATS College” u theksua rëndësia e arsimit të lartë, roli parësor i universitetit në formimin e gjithanshëm të brezit të ri, si dhe u nënvizua rëndësia e nënshkrimit të marrëveshjeve të rëndësishme të bashkëpunimit mes universiteteve shqiptare dhe atyre prestigjioze britanike. Presidenti Topi “vlerësoi lart rezultatet e shkëlqyera të arritura nga studentët shqiptarë, të cilët i inkurajoi të japin kontributin e tyre në ndërtimin e së ardhmes evropiane të Shqipërisë”, njoftoi Presidenca.

Në “Cambridge Union Society” Presidenti Topi mbajti edhe një ligjëratë. Në vijim njoftimi i Presidencës shqiptare mbi këtë fjalim:

“Për një profesor universiteti me karrierë akademike, për një politikan nga rajoni i Evropës Juglindore dhe për një President i një vendi të vogël, por me një histori miqësie më se shekullore me Britaninë e Madhe, është nder e privilegj të jem i pranishëm në një prej 5-6 universiteteve më të njohura në botë, elitë dhe simboli dijes, shkencës dhe arritjeve. E konsideroj gjithashtu privilegj të prezantoj përpara jush një tematikë të njohur dhe njëherësh një realitet të ri në pjesën juglindore të Evropës” – u shpreh Presidenti Topi.

Duke u ndalur tek termi “Ballkan”, “një term lokal me konotacionin e një rajoni në krizë dhe paralajmërim për “ballkanizmin”, - pra ekzistencën e vatrave të krizave etnike e politike, Presidenti Topi vuri në dukje se kjo simbolikë e hershme, që sot, brezat e rinj të qytetarëve dhe politikanëve në rajon preferojnëqë të njihen dhe të cilësohen si pjesa juglindore e Evropës, pra si “një territor evropian jo vetëm gjeografik, por në brendësinë e tij, në identitet dhe kulturë evropiane. Ndryshimi midis dy termave, - theksoi Kreu i Shtetit, - nuk është çështje perceptimi, por modeli politik, modeli të kulturës politike dhe modeli të projektit për të ardhmen e përbashkët”.


Gjithashtu, duke përmendur periudhat e vështira të këtij rajoni, kur “për shkak të regjimeve autoritare apo ideologjike për më shumë se gjysmë shekulli distanca midis konceptit të Evropës, siç etiketohej “Evropa Perëndimore” dhe konceptit lindor nën influencën sovjetike, ishte tejet e madhe”, por dhe duke kujtuar përpjekjet e deritanishme të vendeve “ish komuniste të Evropës Juglindore për të krijuar një sistem demokratik qeverisës”, Presidenti Topi solli në vëmendje kalvarin e përpjekjeve e luftërave që pësuan shumë vende të saj, si në Kroaci, Bosnje e Kosovë, duke nënvizuar se “falë rolit të jashtëzakonshëm historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, aleatëve të tjerë në NATO dhe BE, - gjenocidi në Kosovë mori fund dhe sot, pas 13 vitesh, edhe pse me plagët ende të pambyllura, Kosova përbën shtetin më të ri demokratik, shumetnik dhe funksional në Evropë”.

“Sot Sllovenia, Bullgaria, Rumania e Kroacia janë në BE, Serbia ka avancuar statusin e saj kandidat, - vijoi më tej në ligjëratën e tij Presidenti Topi, duke vënë në pah se “Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi janë gjithashtu në fazën përmbyllëse të procesit integrues” dhe ku “pesë prej vendeve janë anëtare në NATO”. Në këtë kuadër, Kryetari i Shtetit shprehu mesazhin se “Koha e forcës i ka lënë vendin kohës së arsyes, periudha e izolimit është zëvendësuar nga një periudhë aktive e bashkëpunimit, partneritetit dhe shkëmbimeve shumëplanëshe bilaterale dhe multilaterale”.

Gjithashtu, në fjalën e tij, Presidenti Topi e vuri theksin tek ndihmesa e rëndësishme e bashkësisë ndërkombëtare dhe Britanisë së Madhe, duke marrë si shembull “rastin e Kosovës, një vend që njihet tashmë nga rreth 90 shtete të ndryshme të botës, përfshirë Britaninë e Madhe”, e cila “ka dëshmuar aftësi të jashtëzakonshme për shërimin e plagëve të luftës dhe krijimin e një shoqërie funksionale multietnike”. Në këtë drejtim, Kreu i Shtetit u shpreh se beson se “Serbia, fqinji verilindor i Kosovës, do të duhet të bëjë hapa konkrete në drejtim të njohjes së Kosovës si vend fqinj, shtet i pavarur, demokratik dhe shumetnik. Çdo skenar tjetër e politikës së pengjeve apo përdorimit të Kosovës si subjekt i retorikave dhe veprimeve elektorale apo ultranacionaliste, vetëm sa shkon në dëm të Kosovës, Serbisë dhe ardhmërisë evropiane si dhe prosperitetit së përbashkët të rajonit” – nënvizoi Presidenti Topi.

Duke vijuar me evidentimin e faktit që “Shqipëria është një vend relativisht i vogël në Evropë, me popullsi sa thuajse gjysma e banorëve të Londrës”, dhe “njëherësh Shqipëria është ndër vendet e vetme në botë që një kufijtë zyrtarë ka fqinj qytetarë shqiptarë, banorë të shteteve fqinje, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë”, Presidenti Topi vuri në dukje se “në këtë mënyrë faktori shqiptar në rajon është shumë më i madh sesa shteti shqiptar në rajon”, ndërsa shprehu ndër të tjera edhe krenarinë e veçantë për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti, i cili “u shpall nga Selia e Shenjtë mbrojtës i krishterimit, dhe se në kohët e sotme shqiptarët nxorën nga gjiri i tyre humanisten e njohur në botë, Nënë Terezën. Janë dy simbole që flasin shumë, dhe që përfaqësojnë më së miri kontinuitetin tonë historik në mbrojtje të vlerave evropiane”.

Duke u ndalur tek përparimet politike në rajon për stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë, Kreu i Shtetit theksoi se “Forcimi i demokracisë funksionale dhe elementëve të veçantë të saj, siç janë jetësimi i parimit të ndarjes së pushteteve dhe shtetit efektiv së të drejtës, bashkëveprimi efektiv në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, zgjerimi i demokracisë përfaqësuese qytetare dhe rritja e akteve të përgjegjësisë politike ndaj zgjedhësve, forcimi i besimit të institucioneve politike në publik përmes rotacioneve demokratike të elitave politike, si dhe një rol më aktiv të shoqërisë civile, medias së pavarur, komuniteteve akademike apo fetare, - përbëjnë sipas meje, paketën kryesore të sfidave me të cilat Shqipëria dhe shtetet e tjera të rajonit të Evropës Juglindore ndeshen e do të vazhdojnë ndeshet gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm” – tha Presidenti Topi.

Në fund të ligjëratës së tij, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi bëri këtë apel të rëndësishëm: “Vlerësoj se është koha të apeloj bashkësinë perëndimore për një prezencë e mbështetje të mëtejshme aktive në rajon, sidomos në Kosovë, Maqedoni, Bosnje e Malin e Zi. Asnjë pengesë lokale apo lodhje nga procesi i zgjerimit të BE-së nuk mund të lejohet të kthehet në skepticizëm apo braktisje të aspiratave të theksuara pro perëndimore dhe evropiane të shumicës absolute të shoqërive e shteteve të rajonit. Kriza ekonomike dëshmoi se problemet mund të vijnë edhe nga vende me demokraci të qëndrueshme, - tha më tej Presidenti Topi, duke shtuar se “Trendi ynë demokratik po shënon progres, po shoqërohet me stabilitet të brishtë ekonomik, dhe mbi të gjitha, ka një brez të rinjsh, me vullnet e vendosmëri për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe shoqëritë e tyre”.

Pas mbajtjes së ligjëratës, e cila u mirëprit dhe paraqiti një interes të veçantë për të pranishmit në sallë, të shprehur edhe në pyetjet që ata i drejtuan Presidentit Topi në përfundim, Kryetari i Shtetit shprehu kënaqësinë dhe emocionin e veçantë për mundësinë e nderimin që iu bë nëpërmjet këtij komunikimi të lartë akademik.

(im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!