Një numër i madh denoncimesh nga e gjithë Shqipëria mbërritën në emisionin Repolitix në Report TV, pas masës drastike marrë nga qeveria për moshën e tretë, që ndalon në mënyrë kategorike daljen e tyre nga banesat. Një shkrim i publikuar në shqiptarja.com nga gazetari Carlo Bollino, i cili ofron një propozim alternativ për të mbrojtur edhe ata 81 mijë pensionistë që jetojnë vetëm në Shqipëri ngjalli reagime të shumta nga publiku shqetësimet e të cilëve u përcollën live në studion e Repolix.
Të moshuarit kërkojnë një fashë tjetër orari për të lëvizur kur të tjerët janë të izoluar, kjo për nevojat që ata kanë edhe për blerjen e ilaçeve. Çifti Dautllari është një nga të shumtat raste që mbërritën gjatë emisionit.
“Ne kemi nevojë edhe për ilaçe edhe për ushqime. Edhe pensionin. Ne dëshirojmë të kemi një fashë tjetër orari si pensionistë, vetëm për ne. Kur nuk ka dyndje. Ne kemi nevojë për ndihmë. Kemi nevojë për ushqime, gjëra jetike. Nuk kemi patur ndihmë nga askush. Tani është e pamundur të dalim. Ne jemi te sëmurë dhe kemi shumë ditë të izoluar. Para 5 ditësh bëmë pazar dhe momentalisht jemi pa ushqime-thonë për Repolitx çifti Dautllari.
“Jam baba i dy fëmijëve dhe për momentin jam pa ushqime, kam shkuar edhe tek bashkia për një zgjidhje dhe nuk më ndihmojnë. Kryefamiljar jam, kam dy javë pa punë dhe nuk e di se çfarë do të bëhet”-thotë i moshuari nga Durrësi
“Jam 60 vjeç dhe jetoj bashkë me bashkëshortin 80 vjeç, nuk kemi asnjë që të kujdeset për ne, kemi marr bukë që të premten. Nuk kemi askënd që të na bëjë pazaret. As pensionin nuk e kam marr sepse e marrim nëpërmjet bankës dhe kemi patur për ta marrë më datë 20”-sqaron e moshuara nga Tirana
“Kërkoj që të ndihmohen dy të moshuar nga Tirana. Ilirjana Gashi është e sëmurë me diabet dhe jeton vetëm fare, nuk ka askënd që ta ndihmojë gjithashtu edhe Bashkim Kodra në të njëjtën situatë. Të dy kërkojnë ushqime dhe pensionin që t'ia sjellin në shtëpi. Të dy i kam të afërm. Kam telefonuar tek të dy numrat e afishuara nga bashkia por nuk përgjigjen”-një tjetër qytetare bëri apel për ndihmë për dy, të moshuar që jetojnë të vetëm në Tiranë dhe vuajnë nga probleme shëndetësore.
Përveç telefonatave në studio ka pasur edhe shumë reagime në rrjetet sociale të emisionit, ku mosha e tretë kërkonte ndihëm për pazare.