Këndi i Ekspertit/  7000 dosjet e kthyera nga ATP, si duhet të veprojnë ish-pronarët

Në emisionin e mirënjohur të Report TV, “Këndi i Ekspertit”, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në Rubrikën “Prona Ime” ka qenë i ftuar eksperti i çështjeve të pronave Gjergji Begaj, drejtues i Studios Ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka sqaruar rastin e 7.000 dosjeve të ish-pronarëve, që janë kthyer nga Agjencia e Trajtimit të Pronave drejt Gjykatës Administrative. Begaj ka sqaruar fillimisht se përse u mor vendimi i kthimit të 7.000 dosjeve dhe më pas ka orientuar ish-pronarët se çfarë duhet të bëjnë pas këtij vendimi. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje që kanë mbërritur nga qytetarët.

Sot do të flasim për 7.000 dosjet e ish-pronarëve, që janë kthyer nga Agjencia e Trajtimit të Pronave drejt Gjykatës Administrative.

Përse u mor vendimi i kthimit të 7.000 dosjeve?

Kjo është një temë shumë e nxehtë dhe e prekshme, pasi kemi të bëjmë me një numër të konsiderueshëm dosjesh, 7.000 të tilla. Nuk janë pak. Këto doje kanë qenë për t’u trajtuar nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, por tashmë, që nga data 23 shkurt, që kemi të bëjmë me përfundimin e Ligjit nr. 131, të vitit 2015, i cili u ndërmor në atë kohë dhe u la një afat 3-vjeçar për përfundimin e këtyre dosjeve. Ky është efekti i ligjit që mbyllet. Vetë ligji mbyllet në këtë afat.

Në këtë rast, ligji nuk është realizuar.

Jo. Nuk është realizuar ai objektiv për të cilin u ndërmor, për të mbyllur të gjithë procesin e trajtimit të çështjeve të dosjeve për kthim dhe kompensim. Agjencia e Trajtimit të pronave tashmë do të merret vetëm me kompensimin fizik dhe financiar për dosjet që kanë qenë të shqyrtuara. Ndërsa 7.000 dosjet që nuk janë prekur ose nuk janë depozituar, meqenëse mbyllet vetë ligji, u kthehen nga Agjencia qytetarëve, të cilët njoftohen me shkresë zyrtare, që të shkojnë pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për të tërhequr dosjet e tyre. Më tej, këta ish-pronarë do të vazhdojnë rrugën e tyre me Gjykatën Administrative. Mund të ketë edhe raste që çështjet mund të trajtohen edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Përse ndodh kjo?

Sepse pjesa më e madhe e dosjeve që janë dorëzuar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, janë parë nga gjykatat e shkallës së parë. Tani do të rishikohen nga Gjykata Administrative dhe në qoftë se janë në rregull, atëherë vendimi do të merret nga gjykata, që do të thotë se për kompensim fizik apo në formën e ligjit që do të vendosë gjykata me ekspertët e saj.

Të gjithë ish-pronarët do të drejtohen te Gjykata Administrative e qytetit ku ata banojnë?

Po. Patjetër. Aty do të bëjnë edhe hapjen e gjyqit për vazhdimin e procedurës.

Flas nga Gramshi. Kur u nda toka, në vitin 1991, një pjesë ka qenë shkollë e fshatit dhe si tokë ka qenë e gjyshit tim. Mirëpo në vitin 1997, shkolla u prish fare. U rrënua dhe sot nuk ka më as themele, është vetëm fushë. Si mund ta përfitoj?

Në qoftë se ka qenë objekt shtetëror, që i ka shërbyer Ministrisë së Arsimit, përsëri është në inventarin e Ministrisë së Arsimit. zotëria duhet të interesohet pranë Ministrisë së Arsimit dhe të informohet nëse kjo ministri e ka në inventar këtë objekt apo e ka hequr nga inventari. Në qoftë se ministrisë nuk i intereson më ky vend, por ka ndërtuar një shkollë tjetër të re, zotëria duhet të ndjekë procedurën, siç e përmendëm, me anën e gjykatës, për ta rimarrë këtë pronë të vjetër. Por kjo varet nga Ministria e Arsimit. Duhet patjetër që të marrë informacion pranë Ministrisë së Arsimit.

Flas nga Fieri. Kam përfituar tokë nga Ligji nr. 7501, në vitin 1992. Toka ka qenë e shkollës bujqësore, që përdorej për veprimtari bujqësore. Komisionet e atëhershme të ndarjes së tokës, e kanë ndarë me vendime. Në vitin 1998 ishte një ligj për rindarjen e tokave bujqësore. Është hedhur në formularin 6, dhe më pas nuk është bërë shkarkimi nga ish-funksionarët e pushtetit të kaluar. Kam aplikuar për pajisjen me AMTP dhe bashkia ma ka refuzuar. Kam bërë ankesë pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe kjo ministri ma ka dhënë të drejtën, që ky nuk përbën rast përjashtimor. Tani jam në pritje të Ligjit nr. 171.

Në qoftë se zotëria është produkt i Ligjit nr. 7501, dhe nuk e ka marrë furnizimin e plotë me tokë për frymë, normalisht që duhet të vazhdojë procedurën për këtë tokë, e cila ka qenë pjesë e shkollës bujqësore që përdoreshin në atë kohë për eksperimente. Në qoftë se shkollë është nxjerrë nga inventari i Ministrisë së Arsimit, duhet që zotëria të vazhdojë procedurën. Në datën 21-22 mars hyn në fuqi edhe ligji i ri për kadastrat dhe do të ketë përmirësime të mëdha për Ligjin nr. 7501, kështu që zotëria duhet ta shikojë me vëmendje këtë ligj të ri se çfarë të mirash i sjell. Por ajo që i këshilloj është që zotëria të interesohet pranë Ministrisë së Arsimit nëse shkolla bujqësore është hequr apo jo nga inventari i kësaj ministrie. Në qoftë se ka mbetur pronë shtetërore, atëherë është detyrimi i Bashkisë së Fierit që të vazhdojë procedurat dhe ta pajisë zotërinë me një tapi, por gjithmonë nëse zotëria nuk është pajisur me normë për frymë. Në qoftë se zotëria ka marrë normë për frymë, atëherë ai duhet që t’i drejtohet gjykatës, ashtu si në rastet e ish-pronarëve.

Cili do të jetë fati i ish-pronarëve, tani që këto dosje u kthyen nga Agjencia e Trajtimit të Pronave?

7.000 dosje nuk janë pak. Është një volum i madh, por po të punohet nga të gjitha gjykatat dhe nga ekspertët, arrihet. Unë nuk mund të parashikoj kohën se kur, por po të punohet arrihet.

A do të ketë një zgjidhje me kalimin te Gjykata Administrative?

Absolutisht që po. Kush nga ish-pronarët ka dokumente të rregullta, që i ka marrë nga arkivat e shtetit dhe që i ka të ruajtura e të depozituara në dosjen që do të tërheqë nga Agjencia e Trajtimit të pronave, normalisht që do të arrijë një rezultat.

Flas nga Fieri. Kemi një pronë të trashëguar nga gjyshi. Në vitin 1993 dokumentet i kemi bërë bashkë me dajën, i cili tani nuk jeton më. Emri na ka dalë në gazetë, por tani na thonë se duhet që t’i përsërisim dokumentet. Te familja e mamasë sime kanë qenë 7 fëmijë. Ne i kemi bërë edhe veç e veç dokumentet, por kanë qenë në emrin e dajës. Tani na thonë që duhet t’i bëjmë edhe një herë, mirëpo ne jemi shumë nipa e mbesa. Shumë prej tyre janë larg dhe nuk mund të mblidhemi të gjithë bashkë. Ne i kemi firmosur një herë dokumentet, përse duhet që t’i përsërisim?

Kërkesa për përsëritjen e dokumenteve është e drejtë, sepse në krye të listës ka qenë daja i zonjës. Pra, ka qenë kryefamiljar dhe ka përfaqësuar familjen. Zotëria ka ndërruar jetë dhe është normale që të bëhet akti i trashëgimisë. Tani trashëgimtarë kanë dalë nipa e mbesa, ata që janë të radhës së parë. Është krejt normale. Zonja tha që disa prej tyre janë larg, edhe jashtë Shqipërisë. Por kjo nuk e pengon zonjën që të bëjë aktin e trashëgimisë. Akti i trashëgimisë bëhet pranë çdo zyre noteriale në qytetin ku ndodhet zonja. Zonja duhet të mbledhë certifikatat, që nuk e pengon ligji. Pra, një nga personat e interesuar mund t’i mbledhë të gjitha certifikatat, t’i dorëzojë pranë një zyre noteriale dhe të bëjë aktin e trashëgimisë. Pastaj ky akt trashëgimie dorëzohet pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave dhe bëhet vlerësimi. Është një problem që zgjidhet krejt normalisht. Problemi në këtë rast mund të qëndrojë te tërheqja e lekëve, sepse normalisht dhe ligjërisht, duhet që të jetë një person i pajisur me prokurë. Nëse personat nuk paraqiten vetë, kjo çështje pastaj mund të zgjidhet me një vendim të Gjykatës Administrative apo Gjykatës Civile, me anën e të cilit personat që janë dakord të marrin lekët dhe të tjerët që nuk duan t’i tërheqin, le t’i lënë atje në Agjenci. Edhe një herë që të sqarohet saktë zonja, po e përsëris, që Komisioni i Kthimit të pronave nuk mund të veprojë me shumë pjesëtarë. Gjithmonë kërkon që të jetë një pjesëtar i pajisur me autorizim, me prokurë të përgjithshme. Në rast se ju si pjesëtarë nuk arrini një marrëveshje mes jush, atëherë bëhet me vendim gjykate dhe gjithsecili merr pjesën e vet.

Flas nga Shkodra. Kam një pronë në Bushat, që është tokë bujqësore. Unë jam trashëgimtar i radhës së parë i babait. Faktikisht dosja ka qenë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave. Ka dalë edhe vlerësimi. Por mua më duket si paradoks sepse unë jam gjallë dhe tokën time, ndërsa ata që e kanë marrë me Ligjin nr. 7501 kanë vdekur. Toka atje është e lirë dhe e zotërojnë njerëz të tjerë, pa asnjë lloj dokumenti. Pse duhet që shteti të më paguajë mua, kur toka aktualisht është e lirë.

Zotëria thotë që toka e tij është e lirë dhe ata që janë pajisur me AMTP, nuk e kanë marrë atë tokë. Në këtë rast, zotëria duhet që të interesohet pranë qendrës administrative në të cilën ndodhet prona. Në rast se toka është refuzuar nga pronarët, që e kanë marë nga Ligji nr. 7501, zotëria shumë mirë mund t’i rikthehet kësaj çështjeje në gjykatë. Tani i jepet mundësia që ta refuzojë shpërblimin e dhënë nga Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe nëse prona është shtet, atëherë mund ta rishikojë me anën e gjykatës. E ka këtë të drejtë sepse toka është pronë shteti, nuk është e regjistruar dhe ai mund të vazhdojë me procesin gjyqësor dhe të bëjë kthimin e pronës së tij në origjinë.

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen