Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Si përfitohen pensionet private, dokumentesh që duhen

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi. Eksperti ynë ka folur këtë javë fillimisht për pensionet private. Profesor Kepi ka folur për institutet private të sigurimeve duke sqaruar se çfarë janë ato. Eksperti i problematikave të pensioneve sqaron kushtet që duhen plotësuar për t’u siguruar në institutet private si dhe si përfitohen pensionet private dhe çfarë dokumentesh duhen. Më pas eksperti ynë u është përgjigjur pyetje live nga qytetarët në Report TV për problematika të ndryshme që ata kanë rreth çështjeve të pensioneve.

Sot do të flasim për institutet private të sigurimeve. Çfarë janë ato? Cilat janë kushtet që duhen plotësuar për t’u siguruar në këto institute. Si përfitohen pensionet dhe çfarë dokumentesh duhen?

Në vendin tonë, përveç Institutit shtetëror të Sigurimeve Shoqërore, i cili administron rreth 650.000 pensionistë gjithsej, ose në vitin e kaluar, më 2018, kanë dalë 37.000 persona në pension dhe këtë vit, më 2019, parashikohet që të dalin në pension 27.000 persona. Ky institut administron, përveç kontributeve që grumbullon për pagesën e pensioneve, në pamundësi që t’i përballojë të gjitha pagesat e pensioneve me kontributet, rreth 30% e financon buxheti i shtetit. Ndërsa instituteve shtetërore private për sigurimet e pensioneve, buxheti i shtetit nuk u financon asnjë lek, por ato grumbullojnë kontributet nga ata persona që duan të marrin dy pensione, një në shtet dhe një në institut privat, dhe nëpërmjet kontributeve kanë efektet e veta financiare. Këto institute janë krijuar me Ligjin nr. 7943, nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në datën 1 qershor të vitit 1995, u miratua një ligj i veçantë nga Kuvendi i Shqipërisë, pra kanë kaluar 24 vite. Në këtë ligj thuhet: “Për institutet private të pensioneve”. Në vendin tonë janë disa institute private që zhvillojnë aktivitetin e tyre, jo vetëm për grumbullimin e kontributeve për ata persona që dëshirojnë të marrin dy pensione, një në shtet dhe një në privat, por edhe për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve, për sigurimin vullnetar të shtëpive dhe të bizneseve nga fatkeqësitë natyrore, siç janë p.sh. rrëshqitjet e tokës, tërmetet, breshri e të tjera. Këto pra administrohen nga institutet private të sigurimeve.

Të flasim pak për kontributet vullnetare të sigurimeve në institutet private, të cilat bëhen për të marrë pensione. Në vendin tonë kemi disa nga këto shoqëri. Së pari, qytetari duhet të bëjë një kontratë me njërën nga këto shoqëri private sigurimesh, në të cilën shprehet dëshira e tij për t’u siguruar vullnetarisht. Qytetari mund të marrë pension në shtet, por niveli i tij i jetesës ndoshta nuk përballohet ashtu siç e do ai në moshën e pensionit, sepse dihet që gjithnjë vlera financiare e pensionit është më e ulët se vlera e rrogës. Në këtë rast, qytetari ka të drejtë që t’i drejtohet një instituti privat sigurimesh. Vlera më e ulët e kontributit vullnetar të sigurimeve që paguhet në një institut privat sigurimi, është 1.000 lekë të rinj në muaj ose 12.000 të rinj në vit. Këtë shumë nuk e paguan të gjithën, menjëherë, por paguhet me kuota 3-mujore, 6-mujore dhe vjetore. Sa më i lartë që të jetë kontributi vullnetar i sigurimeve, aq më i lartë del pensioni në institutin privat.

Çfarë përfitohet?

Së pari, përfitohet pension pleqërie i parakohshëm, jo 3 vite përpara ploësimit të moshës së pensionit, siç është rregulli i Institutit shtetëror të Sigurimeve Shoqërore, por 5 vite përpara. Pra përfitohet pension i parakohshëm pleqërie.

Së dyti, merret pension pleqërie kur plotësohet mosha e daljes në pension sipas Ligjit “Për Sigurimet Shoqërore”, 65 vjeç për burrat dhe sivjet 60 vjeçe e 10 muaj për gratë, si edhe për të dyja gjinitë vjetërsia e punës është 36 vite e 8 muaj. Ndërsa për të marrë pension minimal, duhet të paktën që të kenë 15 vite punë.

Së treti, përveç pensionit të plotë të pleqërisë, si edhe atij të parakohshëm, merret edhe pensioni i invaliditetit, kur personi bëhet i paaftë, kur Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë e vendos këtë, sipas diagnozës.

Së katërti, merret edhe pensioni familjar. Pra, merret pensioni familjar në shtet, por merret pension familjar edhe në institutin privat të sigurimit, kur personi i siguruar ndërron jetë.

Së pesti, merren edhe pagesa të parakohshme, në çdo rrethanë që i siguruari dëshiron.

Jam nga Malësia e Madhe. Jam 63 vjeç. Kam punuar me këshillin e bashkuar që nga viti 1971 deri kur u mbyll, në vitin 1996. Librezën të vulosur e kam, por janë zhdukur dokumentet që nga viti 1971 deri në vitin 1990. Kam një vit që po përpiqem, por nuk po gjej zgjidhje.

Zotëria do të dalë në pension në moshën 65 vjeç. Dhe bën shumë mirë që interesohet për dokumentet e tij përpara mbushjes së moshës për pension. Për problemin që i është krijuar, zotëria ka të drejtë që t’i bëjë një kërkesë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër. Atje sigurisht që ka juristë me eksperiencë. Natyrisht që duhet të paraqisë edhe dokumentet që ka.

Deri në vitin 1992 ka pasur këshilla të bashkuara, të cilat i përkisnin sistemit të kaluar. Nga viti 1992 kur u bënë zgjedhjet, u formuan komunat, të cilat nuk janë njëlloj me këshillat e bashkuara. Pra, në vitet 1992-1996 kemi komunat.

Siç thashë, zotëria duhet t’i bëjë një kërkesë me shkrim Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër, ku t’i sqarojë se që nga viti 1971 deri në vitin 1992 në këshillin e bashkuar dhe nga viti 1992 deri në vitin 1996 në komunë. Gjithashtu të parashtrojë edhe problemet që ka për të zgjidhur. Në rastin konkret zotëria po interesohet 2 vite para se të mbushë moshën për pension dhe unë jam i bindur se koha është e mjaftueshme që ai të gjejë zgjidhjen e problemit të tij.

Jam 80 vjeç. Kam dalë në pension të parakohshëm, para vitit 1994, në moshën 60 vjeç, me 32 vite punë. 3 vitet e fundit e kam pasur rrogën 20.000 lekë. Pensioni që marr është i vogël dhe nuk kam përfituar asnjë shtesë.

Në vitin 1994 nuk ka pasur asnjë punonjës që të merrte pagën 20.000 lekë në muaj. Unë në atë kohë kam qenë drejtor dhe jam paguar më pak. Zotëria duhet të flasë me shifra të sakta. Nga 1 qershori i vitit 1991 deri më 2 prill të vitit 2019, pensionet janë shtuar me përqindje të ndryshme, sipas mundësive financiare që ka pasur shteti. Dhe asnjë pensionist nuk ka mbetur pa marrë shtesat e pensioneve. Tani, për problemin që ka, duhet që t’i bëjë një ankesë me shkrim Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë. Vërtet ai mund të marrë pension të ulët sepse edhe rritjet e pensionit kanë qenë të vogla. Por, aq sa kanë qenë, ai i ka marrë. Edhe shpërblimin për festën e Vitit të Ri e ka marrë. Por, meqenëse zotëria është i pakënaqur me pensionin që merr, ka të drejtë që të kërkojë rillogaritjen e pensionit të tij. Dhe e vetmja mënyrë është kërkesa zyrtare me shkrim drejtuar komisionit të ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë, në mënyrë që edhe përgjigjen ta marrë po ashtu zyrtare.

Jam nga Tirana. Jam 50 vjeç dhe jam i siguruar në dy vende pune. A mund ta kaloj njërin nga sigurimet në pension privat?

Kush është i punësuar në dy qendra pune, sigurisht që do të paguajë kontribut të sigurimeve shoqërore në të dyja qendrat e punës. Kur vjen koha për të dalë në pension, të dyja pagat mblidhen dhe shuma që del do të shumëzohet me koeficientët përkatës, për efekt të llogaritjes së pensionit. Unë i këshilloj që të mos kalojë asnjërin nga sigurimet që paguan tani tek institutet private të sigurimeve, por, zotëria ka të drejtë që të shkojë te njëri nga këto institute dhe të kërkojë që të sigurohet. Kështu që kur të plotësojë moshën për pension, do të marrë dy pensione: njërin në shtet dhe që mendoj se do të jetë një shumë e mirë sepse do t’i mblidhen të dyja rrogat bashkë, dhe një pension nga instituti privat i sigurimeve. Unë i sugjeroj zotërisë, që të takojë zotin Naim Hasa sepse është specialisti më i mirë në Shqipëri për pensionet, gjithashtu edhe njëri nga hartuesit e ligjit të ri për pensionet. Jam më se i bindur se do ta sqarojë zotërinë ashtu siç duhet.

Jam nga Tirana. Jam 68 vjeç. Kam dalë në pension në vitin 2016. Kam punuar 24 vite si ekskavatorist me kategorinë e 7-të. Kam punuar 1 vit e gjysmë në kohën e demokracisë. Jam siguruar 11 vite te sigurimet private të fshatit, kam 7 vite që jam kujdestar i një fëmije tetraplegjik, pra gjithsej më bëhen 23 vite e gjysmë. Pensioni më ka dalë 20.000 lekë të rinj në muaj. Ky pension është sikur të kem punuar gjithë kohën në kooperativë bujqësore. Nuk ma kanë njohur fare vështirësinë që kam punuar në të gjitha zonat e Shqipërisë.

Vitet që ka punuar si ekskavatorist nuk i njihen me vështirësi. Është hequr vështirësia e ekskavatoristëve që njihej dikur. Personat që kanë dalë në pension nga viti 2010 e më përpara, i njihet si punë me vështirësi të kategorisë së 2-të. Këta persona përfitonin se dilnin në pension në moshën 55 vjeç dhe nuk merrnin pension shtesë. Kjo është hequr. Zotëria duhet të lexojë me kujdes librezën e pensionit sepse aty janë shënuar vitet e punës që i janë njohur si vjetërsi. Në qoftë se ai nuk është i bindur për numrin e viteve që i janë shënuar aty, pra janë më pak sesa ato që ai ka punuar, atëherë duhet të bëjë një ankesë me shkrim në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, ku të bëjë të qartë problemin e tij dhe të kërkojë se cilat vite pune nuk i janë njohur dhe përse nuk i janë njohur. Dhe jam shumë i bindur se do ta sqarojnë. Ndërsa për shtesë pensioni si ekskavatorist, nuk duhet të shpresojë fare, sepse siç thashë, nuk njihet më vështirësia për këtë profesion. Njihen si vite pune të zakonshme.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Eni: 08/05/2019 14:40

    Kam motren qe jeton ne Italia para tre vitesh i ka vdekur burri dhe nuk ka te ardhura se nuk ka punuat ne itali i shoqi ka patur nemtembedhjet vite pune ne shqiperi ishte i ditelindjes 1960 a perfiton ndonje pension motra

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar