Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Vetësigurimet në bujqësi, përfitimet për pensionin

Këndi i Ekspertit/ Fadil Kepi: Vetësigurimet në bujqësi, përfitimet për pensionin

Emisioni Këndi i Ekspertit

Pas një ndërprerje gati një mujore ka rifilluar në Report Tv emisioni “Këndi i Ekspertit” nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli. Siç tashmë shikuesit e Report Tv e dinë çdo ditë të premte në këtë emsion është i ftuar një nga ekspertët më të mirë në vendin tonë për çështjen e pensioneve, Prof. Dr. Fadil Kepi.

Në këtë emision profesor Kepi është ndalur fillimisht tek çështja e sigurimit vullnetar, sidomos për të vetëpunësuarit në bujqësi. Eksperti ka sqaruar me hollësi se çfarë janë vetësigurimet në bujqësi dhe procedurat e kushtet që duhen plotësuar, duke informuar qytetarët edhe për përfitimet që ata kanë kur dalin në pension nga sigurimi vullnetar. Më pas profesor Kepi u është përgjigjur live telefonatave të shumta që kanë mbërritur në Report TV nga qytetarët për problematikat e ndryshme të pensioneve.

Disa shikues na shkruajnë dhe pyesin: “Ç’janë vetësigurimet në bujqësi? Cilat janë kushtet që duhen plotësuar? Sa lekë duhet të paguajnë dhe cilat janë përfitimet? Po sigurimet vullnetare? Cili është ndryshimi midis tyre?”.
Çdo moshë ka bukurinë e vet, edhe kur del në pension. Shumica janë prindër, por një pjesë e mirë janë edhe gjyshër. Prandaj në rini duhet të mendosh për pleqërinë. Në vendin tonë të vetëpunësuarit në bujqësi kanë të drejtë të sigurohen dhe avantazhet e tyre janë përfituese. Cilat janë kushtet? Në radhë ë parë, nga mosha 16 vjeç, pavarësisht nga gjinia, të gjithë shtetasit shqiptarë të cilët kanë marrë tokë sipas Ligjit 7501, dt. 19 korrik 1991, ose kanë blerë tokë ose kanë marrë tokë me kontratë, kanë marrë tokë me dokumente të rregullta, dhe banojnë në të njëjtin qark ku kanë tokën, kanë të drejtë të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi. Kanë këto avantazhe:

Së pari, kuotat vjetore për t’u siguruar janë të vogla, janë të ulëta, janë të leverdishme. P.sh., në zonat fushore paguajnë 38.400 lekë të reja në vit. Po ta pjesëtojmë këtë shumë për 12 muaj, i takon 3.200 lekë të reja në muaj. Po ta pjesëtojmë këtë shumë me 30 ditë, i takon një paketë cigare në ditë. Kështu që njerëzit të lënë duhanin dhe të sigurohen. Pse? Duke u siguruar, të gjithë fermerët tanë sigurohen për efekt të marrjes së pensionit të pleqërisë. Mirëpo në vendin tonë dalin në pension 100 veta në ditë dhe çdo familje ka mesatarisht një pensionist, se në vendin tonë ka 665.000 pensionistë.

Së dyti, duke u siguruar marrin pension invaliditeti. Përditë dëgjojmë që u përplasën me makina. Është tjetër punë se kush e ka fajin, por ai që është përplasur bëhet invalid dhe përfiton pension invaliditeti.

Atëherë, në zonat fushore një person për t’u siguruar, duhet të paguajë 38.400 lekë të reja në vit, ose 3.200 lekë të reja në muaj, pra sa një paketë cigare në ditë. Çfarë merr me këto? Merr pension pleqërie kur të plotësojë moshën. Merr pension invaliditeti në rast se sëmuret. Merr pension familjar gruaja dhe fëmija, në rast se vdes kryefamiljari. Në vendin tonë çdo ditë vdesin 62 veta. Jemi me fat sepse lindin 85 fëmijë në ditë. Pra, numri i lindjeve është më i madh se numri i vdekjeve. Nëse vdes një person, i cili ka qenë në marrëdhënie pune, qoftë në kooperativë apo në ndërmarrje shtetërore apo private, qoftë me sigurime vullnetare apo me vetësigurime në bujqësi, gruaja në moshën 55 vjeçe merr pensionin e burrit. Por njëkohësisht marrin edhe fëmijët që janë në shkollë, edhe në universitet.

Folëm për zonat fushore, por le të flasim pak edhe për zonat kodrinore. Janë 14 rrethe të zonave kodrinore, që fillojnë nga Malësia e Madhe, Hasi, Kukësi, Burreli, Mirdita nga veriu; nga jugu: Tepelena, Skrapari. Në të gjitha këto rrethe, personat paguajnë më pak sigurime vullnetare, 29.400 lekë të reja në vit. Këtë shumë po ta pjesëtosh për 12 muaj, i bie 2.400 lekë të reja në muaj.

Dhe po ta pjesëtojmë për 30 ditë pune, shuma ditore i bie aq sa për të blerë 6 cigare në ditë. Cigarja është helm, prandaj është më mirë të mos e pinë, por të paguajnë sigurime. Duhet të mendojnë për veten dhe familjen. Ndodh edhe kjo që, nëse gruaja është e siguruar dhe vdes, edhe burri në moshën 60 vjeç merr pension nga gruaja. Merr gjysmën e pensionit të gruas. Nga ana tjetër, duke u siguruar në këtë mënyrë, shteti del me humbje.

Të gjitha pensionet i financon buxheti i shtetit. Duke u siguruar vullnetarisht, nënat e reja përfitojnë lejen e barrë-lindjes. Dhe sa sigurime u duhen? Vetëm një vit. Përfiton lejen e lindjes, shpërblimin e lindjes. Gjithashtu leja e lindjes u quhet vjetërsi pune për pensionin e tyre të pleqërisë. Edhe kur të lindë fëmija i dytë, nëna nuk duhet të ketë shumë vite pune. Mjafton të ketë një vit punë.
U këshilloj njerëzve që të lexojnë ligjet e Sigurimeve Shoqërore që të kenë informacion se çfarë humbasin dhe çfarë përfitojnë.

Nëse s’i mbajnë dot mend apo nuk mund t’i lexojnë, le të na shkruajnë e le të na telefonojnë që t’i sqarojmë se për këtë qëllim jemi këtu. Çdo vit, 1/3 e buxhetit të shtetit shkon vetëm për pensionet. Shteti nga të ardhurat nuk grumbullon as 60% dhe 40% i shkon Sigurimeve Shoqërore. Njerëzit nuk mund të pretendojnë të përfitojnë pension, leje lindje apo shpërblime pa punuar dhe nëse nuk paguajnë sigurime shoqërore.

Flas nga Tirana. Jam 62 vjeç. Kam rreth 4 vjet punë në kooperativën bujqësore të Kasharit, por nuk e plotësoj maksimumin e ditëve të punës...
Ju do të dilni në pension pas 3 vjetësh, pra në vitin 2021. Për të marrë pension duhet të keni të paktën 15 vjet punë gjithsej, përfshirë edhe këto që keni punuar në kooperativë, kohën që keni qenë ushtar, edhe ndonjë periudhë tjetër kur mund të keni bërë sigurime vullnetare. Dhe për të marrë pension të plotë, në vitin 2021, juve do t’ju duhen 37 vjet e 4 muaj punë. Sa më shumë vite pune të keni, më i lartë del pensioni.

Vite pune në kooperativë, për efekt pensioni, quhen që nga mosha 16 vjeç, pavarësisht nga gjinia, burra dhe gra. Së dyti, për burrat duhen 280 ditë pune në një vit. Shifrën 280 po ta pjesëtojmë me 12 muaj, i takon 24 ditë pune në një muaj. Pra, kur keni plotësuar moshën 16 vjeç, që mund ta kesh plotësuar ta zëmë në dhjetor, nuk mund të quhet një vit pune. Por, nëse ke realizuar 24 ditë pune, atëherë quhet një muaj punë.

Të gjitha vitet e punës që keni nën 280, p.sh. në një vit tjetër keni bërë 140 ditë pune, pra gjysmën e 280-ës, ju njihet 6 muaj punë për pension. Në qoftë se në një vit tjetër keni realizuar 300 ditë pune dhe jo 280, ju quhet një vit pune dhe 300-280=20 ditë pune shkojnë kot. Pra, të gjitha ditët e punës që keni realizuar që nga mosha 16 vjeç, ju njihen. Pastaj bëhen llogaritë e duhura: mblidhen dhe pjesëtohen dhe kështu dalin vitet e punës. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore.

Flas nga Tirana. Vuaj nga diabeti dhe jam 55 vjeçe. Nuk kam punuar asnjëherë sepse gjithmonë kam qenë e sëmurë. Nga diabeti kam vuajtur që në moshë të re. Kam hequr njërën këmbë, por nuk përfitoj KEMP. Nuk ma japin. Çfarë rruge duhet të ndjek? Për të marrë pension invaliditeti, duhen plotësuar dy kushte: së pari, duhet të shtrohesh në spital dhe atje, pasi të bëhen analizat, të japin një fletë drejtimi për në KEMP-in e Sigurimeve Shoqërore, i cili është rrugën “Myslym Shyri”.
Në KEMP të kërkohet nëse ke punuar. Ti je 55 vjeçe dhe formula është kjo: 55-20=35x3=105:4=26, pra duhen 26 vite pune e 3 muaj, për të marrë pension të plotë. Për të marrë pension pleqërie sivjet duhen 36 vjet e 4 muaj punë, por kur je invalid shteti ka menduar dhe nuk të duhen vitet e plota, por 26 vjet e 3 muaj punë. Ti s’ke punuar asnjë ditë, prandaj nuk përfiton pension invaliditeti. Sigurimet Shoqërore nuk japin lëmoshë.

Së dyti, sikur ti të kishe 26 vite pune, duhej që në 4 vitet e fundit të kishe 12 muaj punë. Sot është data 20 korrik 2018, heqim 5 vjet, pra që nga data 20 korrik 2015 duhet të kesh 12 muaj punë. Dhe po të kishe 12 muaj punë, mund të merrje pension invaliditeti. Ti nuk ke as njërën, as tjetrën. Në këtë rast mund të kërkosh ndihmë ekonomike në Bashki, nëpërmjet administratorit që keni. Për pension mos u lodh kot, por bëni dokumentet për ndihmë ekonomike.

Flas nga Lushnja. Kam dalë në KEMP dhe marr 63.000 lekë të vjetra. Jam 58 vjeç. Më thonë që s’kam vite pune. Nuk mund të ndodhë që mosha ime të rrinte papunë, në kohën e Enver Hoxhës. Nuk i kam gjetur asgjëkund vitet e punës. Kam 5-6 vjet që kam dalë në KEMP. Kur dola në KEMP për herë të parë më kërkuan 16 vjet punë.
Ti ke dalë në KEMP në moshën 52 vjeç. Për të marrë pension të plotë invaliditeti, ty të duheshin 24 vite pune. Ti nuk i ke pasur 24 vjet punë. Të kanë kërkuar 16 vjet, por as ato nuk i ke pasur. Në qoftë se ti pretendon që i ke vitet e punës, por nuk gjenden, kanë humbur, janë djegur. Sigurimet Shoqërore i kanë grumbulluar dokumentet në Lundër, në Arkivin e Sigurimeve Shoqërore. Meqë dokumentet e tua nuk gjenden, atëherë ty të lind e drejta që me dy dëshmitarë të cilët vërtetojnë që ti ke punuar në kooperativë, vitet e punës mund t’i marrësh me anën e një procesi gjyqësor, pra vetëm me vendim gjykate.

Është një gjyq që zhvillohet shpejt sepse është për vërtetim fakti. Nëse ti i vërteton vitet e tua të punës, rrjedhimisht që do të shtohet edhe pensioni yt i invaliditetit. Por ti, përveç pensionit të invaliditetit, merr edhe nga Bashkia një shumë lekësh. Pra, kur qytetari merr pension të plotë invaliditeti, merr edhe nga Bashkia një shumë prej 33.000 lekësh të reja në muaj. Dhe në qoftë se nuk i ka vitet e punës, merr pension invaliditeti më të ulët. Pra nuk mund të marrësh pension të plotë kur nuk i ke të plota vitet e punës.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen