Në emisionin e mirënjohur të Report Tv, “Këndi i Ekspertit” të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Prona ime”, ditën e hënë është folur për kompesimin fizik dhe financiar të pronave të ish-pronarëve.
Në këtë emision ka qenë i ftuar një nga ekspertët më të mirë të çështjeve të pronave, Gjergji Begaj, drejtuesi i studios ligjore “Bylis”. Eksperti ynë ka sqaruar në mënyrë të detajuar se si veprohet me kompesimin financiar por edhe me atë fizik të isj-pronarëve. Po kështu Begaj ka sqaruar edhe mënyrën e veprimit me dosjet problematike.
Sot do të flasim për kompensimin fizik dhe financiar të pronave të ish-pronarëve. Çfarë ka ndodhur me këto dosje, të cilat kanë filluar që në vitin 1993? Sa dosje janë shqyrtuar dhe janë rregulluar ashtu siç duhet? Cfarë ka ndodhur me disa ish-pronarë, të cilët i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut? Cila ka qenë vlera dhe kostoja që ka marrë qeveria shqiptare nga Gjykata e Strasburgut? Gjithashtu do të diskutojmë edhe rreth buxhetit që ka parashikuar qeveria shqiptare për kompensimin e ish-pronarëve, gjatë vitit 2019 dhe në çfarë faze është ky proces?
Tema e kompensimit fizik ose financiar të ish-pronarëve ka shumë vite që diskutohet. Pra, ish-pronarët po presin prej shumë vitesh që të kompensohen për pronat e tyre. Mund ta marrim si të mirëqenë që 60% e ish-pronarëve janë kompensuar fizikisht për pronat e tyre dhe pjesa tjetër, rreth 40% po presin ende nga vendimet e Komisionit të Kthimit të Pronave që të kompensohen për pronat e tyre.
Në vitin 2017 vlera buxhetore e qeverisë për kompensimin e ish-pronarëve ka qenë 1,8 miliardë lekë të rinj, ndërkohë për vitin 2018 buxheti ka qenë 2,5 miliardë lekë të rinj. Për vitin 2019 është parashikuar që buxheti të jetë 4 miliardë lekë të rinj.
Kjo është një gjë e mirë sepse kemi rritje të buxhetit që qeveria jep për kompensimin e ish-pronarëve, por që gjithsesi nuk mjafton, por këto janë mundësitë reale të buxhetit të shtetit. Megjithatë, nëse ne u referohemi viteve të kaluara 2017 dhe 2018, shohim se për vitin 2019 vlera e buxhetit që qeveria ka parashikuar për kompensimin e ish-pronarëve pothuajse është dyfishuar. Unë do të thekssoja që do të ishte një gjë e mirë dhe e drejtë që shteti të vinte në dispozicion të ish-pronarëve prona fizike në terren, në mënyrë që të mos rëndohej buxheti financiar i shtetit. Afërsisht gjendet një fond pyjor prej 50.900 hektarësh d.m.th. që është i gatshëm për kompensim dhe 26.000 hektarë që janë toka bujqësore ose që janë në imventarin e shtetit.
Janë të identifikuara këto toka?
Po. Janë pasuri që shumë mirë mund të kalojnë për kompensimin fizik në terren të ish-pronarëve. Dhe kjo do të ishte një gjë e mirë, e cila do të lehtësonte buxhetin e shtetit.
Sa toka të lira dhe të identifikuara mund të jenë bërë deri në këto momente?
Afërsisht, siç e thashë, është një shifër prej 26.000 hektarësh që janë të identifikuara në zërin kadastral si toka bujqësore dhe si livadhe, të cilat janë në pronësi të shtetit. Por është edhe një fond pyjor prej gati 51.000 hektarësh, i cili është në dispozicion të pasurisë së shtetit ose i ësshtë dhënë Komisionit të Kthimit të Pronave për kompensim fizik të ish-pronarëve. Nuk e di numrin e saktë të dosjeve të ish-pronarëve, por me aq sa di është rreth 26.000 dosje, të cilat në rreth 70% të tyre janë përpunuar, pra u është nxjerrë edhe vlera. Pritet që të nxirret vlera edhe për pjesën tjetër të dosjeve që kanë mbetur pa u përpunuar.
Duhet përmendur se nga këto dosje të përpunuar, disa prej tyre janë kthyer mbrapsht për t’u rishikuar. Këto dosje që kthehen mbrapsht për rishikim, a rishikohen sërish apo quhet e mbyllur si dosje? Si funksionon sepse besoj se ka shumë ish-pronarë, të cilët e kanë hasur këtë lloj problematike.
Sigurisht që ka shumë të tillë. Normalisht që dosjet rishikohen. Të gjitha dosjet kalojnë te një grup specialistësh, të cilët janë: hartografi dhe juristi, për çdo lloj praktike. Ata shikojnë se çfarë dokumentesh ligjore përmban dosja. Pra, këto janë çështje juridike dhe hartografike. Në rast se specialistët konstatojnë mangësi apo defekte në këto praktika, atëherë i kthejnë të interesuarit përgjigjen që ai duhet të plotësojë dosjen, brenda një afati të caktuar, normalisht 15-30 ditë, dhe i interesuari është i detyruar që të plotësojë praktikën. Në rast se kjo praktikë nuk plotësohet, atëherë dosja rrezikon që të mbyllet sepse, normalisht që nuk është faji i shtetit në qoftë se të interesuarit i caktohet një afat kohor për plotësimin e dokumentacionit dhe ai nuk e bën këtë.
A mund të themi që është lajm i mirë për ish-pronarët, vlera e rritur e buxhetit të parashikuar për kompensimin e tyre?
Është lajm shumë i mirë sepse shifra prej 4 miliardë lekësh të rinj që qeveria ka parashikuar për kompensimin e ish-pronarëve, nuk është pak, sidomos për një shtet si i yni, duke pasur parasysh vlerat e mëparshme të viteve të kaluara, që kur ka filluar kompensimi i ish-pronarëve. Pra, kjo është një gjë shumë e mirë dhe është një vlerë buxheti e konsiderueshme, në fakt.
A mund të rritet numri i dosjeve në shqyrtim për kompensimin e ish-pronarëve, me këtë vlerë buxheti?
Normalisht që po. Por është mirë që të racionohet sasia e parave e caktuar për kompensimin e ish-pronarëve, në mënyrë që ajo të ndahet në proporcion për të gjitha ato dosje që janë shqyrtuar dhe që kanë rezultuar pa probleme e pa mangësi. Vlerat e pronave të ish-pronarëve janë të ndryshme, por duke racionuar vlerën e buxhetit, e mira është që të gjithë ish-pronarët të marrin nga një sasi lekësh. Pra, e mira është që të përpjesëtohet ky buxhet me anën e një grafiku, që të përfitojnë të gjithë dhe jo dikush ta marrë të plotë kompensimin dhe dikush të mos marrë fare.
Na shkruan zoti Agron Xhaferaj: “Si mund të lidhen me Agjencinë e Trajtimit të Pronave emigrantët, të cilët kanë aplikuar për pronat e tyre, por që nuk kanë mundësi të jenë fizikisht në Shqipëri dhe që duan të interesohen për fatin e dosjeve të tyre. Shumë ndërtime të para vitit 1990 janë rrënuar dhe nuk shfrytëzohen më nga ndërtuesit, në të njëjtën kohë ish-pronarët kërkojnë kompensim. Përse të mos u kthehen ish-pronarëve këto sipërfaqe?”.
Emigrantët duhet të hyjnë në faqen zyrtare të Agjencisë së Trajtimit të Pronave sepse çdo institucion shtetëror dhe privat sot, ka një adresë dhe një faqe zyrtare në portal, në ëebsite dhe aty sigurisht ka një adresë të postës elektronike e-mail, dhe qytetarët mund të komunikojnë nga çdo cep i botës. Pra, thjesht duhet të klikojë tek Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe patjetër që aty do të gjejë një adresë e-maili. Ndërsa për sa u përket ndërtimeve të para vitit 1990 që zotëria pretendon se mund t’u kthehen ish-pronarëve, kjo është një çështje që duhet parë mirë nga ana e dokumentacionit sepse duhet mbështetur diku. Në rast se zotëria ka lënë një apartament dhe është larguar para procesit të privatizimit, normalisht që i lind e drejta që me një certifikatë familjare, me anën e të cilës vërtetohet që zotëria ka qenë banor dhe duhet të shkojë edhe tek Enti i Banesave për të bërë kontratën me këtë institucion. Kjo për sa u përket apartamenteve. Në rast pastaj se do të flasim për ndërtesat e vjetra, kjo është një çështje tjetër sepse është kompentecë e Komisionit të Kthimit të Pronave për t’i kthyer këto prona.
Thamë që buxheti i shtetit i parashikuar për kompensimin e ish-pronarëve për vitin 2019 është 4 miliardë lekë të rinj, pra është një shifër më e lartë se ajo e buxhetit të vitit 2018.
Kjo tregon se është punuar mirë në mbledhjen e buxheteve dhe i është dhënë rëndësi kompensimit monetar të ish-pronarëve, kjo jo vetëm nga qeveria shqiptare, por edhe Komuniteti Evropian dhe Gjykata Ndërkombëtare e Strasburgut, disa herë kanë kërkuar që të trajtohet me kujdes kjo çështje. Qeveria shqiptare është penalizuar në disa raste, kur disa çështje janë dërguar nga të interesuarit për shqyrtim në Gjykatën e Strasburgut. Prandaj qeveria ka marrë masa që të zmbrapsen këto dosje dhe të mos shkojnë më shqiptarët dhe të kërkojnë të drejtat për pronat e tyre në Gjykatën e Strasburgut, por këtë gjë e ka zgjidhur me anën e ligjit, e ka thjeshtuar d.m.th. që ish-pronarët të marrin për pronat e tyre pjesën e kompensimit financiar brenda buxhetit të parashikuar, por të marrin edhe kompensimin fizik në terren, të cilat caktohen nga Komisioni i Kthimit të Pronave. Pra, është ndërhyrë me ligj dhe janë bërë sistemime që shqiptarët t’i zgjidhin problemet e pronave të tyre në Shqipëri dhe jo nëpër gjykatat e Evropës. Gjithashtu edhe brenda Shqipërisë, synohet që të shmanget sa më shumë zgjidhja e këtyre çështjeve nga gjykatat shqiptare. Pra, çështjet të zgjidhen sa më drejtë me anën e legjislacionit shqiptar.