Këndi i Ekspertit/ Testamenti, si bëhet dhe procedurat ligjore që duhen ndjekur

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Pensioni im”, si çdo javë ishte i ftuar eksperti i mirënjohur i problematikave të pensioneve Prof. Dr. Fadil Kepi.  Eksperti ynë ka folur këtë javë fillimisht për testamentet. Profesor Kepi ka sqaruar se sa i rëndësishëm është testamenti, kur bëhet ai dhe se cila është baza ligjore dhe cilat janë procedurat që duhen ndjekur. Më pas profesor Kepi u është përgjigjur live disa pyetjeve rreth problematikave të pensioneve.

Do të flasim për testamentet. Sa i rëndësishëm është testamenti? Kur bëhet ai? Kur hapet? Cila është baza ligjore dhe cilat janë procedurat që duhen ndjekur?

Çfarë është një testament?

Mbështetur në Kodin Civil dhe në Ligjet për Noterinë, testamenti është një veprim juridik që personi, sa është gjallë, ka dëshirë që pas vdekjes së tij, pasurinë t’ia lërë me dokument të rregullt, me kërkesën e tij, pjesëtarëve të tjerë të familjes. Testament mund të bëjë çdo person, që sipas kartës së identitetit ka mbushur moshën 18 vjeç, por testamenti lëshohet kur ai ka pasurinë e vet të dokumentuar. Testamenti bëhet individualisht, para noterit, për pjesën e pasurisë që ka personi, i cili dëshiron t’ia lërë një personi tjetër. Pra, testamenti bëhet vetëm te noteri, i cili është i regjistruar dhe i licensuar, si edhe është anëtar i Dhomës së Noterëve. Pra, personi mund të bëjë testament bëhet vetëm për pjesën e vet të pasurisë, të cilën ai ka të drejtë apo dëshiron që t’ia lërë një pjesëtari tjetër të familjes së tij.

Testamenti bëhet individualisht para noterit për çdo person dhe fillon kështu: “Sot në datën, p.sh. 17.04.2019, të shkruar edhe me fjalë (shtatëmbëdhjetë prill dymijë e nëntëmbëdhjetë), ditën e mërkurë, në orën 14:10, unë noteri (ose noterja, që shënon edhe emrin) jam anëtar i Dhomës së Noterisë dhe në këtë orë e në këtë ditë u paraqit personi X (shënohet emri i personit), i biri (emri i babait dhe i nënës), i datëlindjes (data, muaji, viti), me zotësi të plotë juridike, me kartë identiteti me nr., deklaroj që pjesën time të apartamentit (ose çdo lloj tjetër pasurie e luajtshme apo e paluajtshme) që ndodhet në këtë adresë (shënohet adresa e saktë), e regjistruar (shënohet numri i regjistrit), ia lë personit Y (shënohet emri i personit të cilit i lihet testamenti)”.

Pra kjo është mënyra sesi përpilohet një testament te noteri. Testamenti firmoset në çdo faqe të tij, duke shënuar emrin, mbiemrin dhe firmën e personit. Gjithashtu shkruhet: “Ky testament u përpilua në dy kopje, në datën dhe në orën (shënohet data dhe ora e saktë), në zyrën e X noteri (shënohet emri i plotë dhe i saktë i noterit)”. Zakonisht, një kopje të testamentit e mban noteri dhe një kopje e mban vetë personi që ka bërë testamentin.

Në testament, personi që është gjallë, mund të përjashtojë pjesëtarë të familjes, pra pasurinë e vet ia lë vetëm një personi, ose mund ta ndajë ndërmjet disa personave në pjesë të barabarta ose jo. Kjo është në varësi të dëshirës së personit që bën testamentin. Por personi që bën testamentin nuk ka të drejtë që të përjashtojë nga testamenti fëmijët e mitur, të cilët vazhdojnë shkollën ose fëmijë me aftësi të kufizuara. Në këtto raste nuk ka të drejtë dhe testamenti quhet i pavlefshëm.

Personi mund ta ruajë testamentin në shtëpinë e vet dhe në zyrën noteriale e ruan noteri. Sipas nenit 409 të Kodit Civil, testamenti quhet i pavlefshëm edhe në ato raste kur ai është hartuar nën ndikimin e dhunës së një personi tjetër, nën ndikimin e mashtrimit, nën ndikimin e kanosjes, kur personi ka qenë i dehur ose kur ka qenë i droguar.

Testamenti i një date të mëvonshme, hedh poshtë testamentin e bërë më përpara. Për një pasuri mund të ekzitojnë dy ose më shumë testamente. Në këtë rast njihet i vlefshëm testamenti i përpiluar në datën më të vonë, pra testamenti i fundit.

Testamenti hapet kur personi që e ka bërë atë, ndërron jetë. Te noteri që ka përpiluar testamentin, paraqitet një ose më shumë pjesëtarë të familjes së personit që ka vdekur dhe duke i paraqitur certifikatën e vdekjes së personit dhe certifikatën e gjendjes familjare, ku shënohen trashëgimtarët e tij, i kërkojnë noterit që të hapë dhe të lexojë testamentin që ka lënë i afërmi i tyre. Vetëm ata kanë të drejtë të kërkojnë hapjen e testamentit. Kur pjesëtarët e familjes dyshojnë te vërtetësia e firmës së personit që ka firmosur testamentin, ose kur nuk janë dakord me testamentin sepse personi mund të ketë përjashtuar p.sh., fëmijët e mitur që vazhdojnë shkollën, ose ndonjë pjesëtar tjetër të familjes që është me aftësi të kufizuara, atëherë ky testament bëhet i pavlefshëm dhe pasuria e personit ndahet nga gjykata.

Flas nga Shkodra. Jam i vetëpunësuar në bujqësi dhe jam 64 vjeç. Kam 37 vite pune. I kam paguar që të gjitha kontributet, por më ka dalë një problem. Për vitin 1993 nuk më njihen 9 muaj pune. Te Sigurimet Shoqërore të Shkodrës më kanë thënë që më njihet periudha që nga tetori i vitit 1993. Për këtë periudhë unë i kam paguar kontributet e sigurimeve shoqërore në vitin 2000. Kam mandatin e pagesës, kam librezën e kontributeve që kam paguar, të firmosur e të vulosur nga Sigurimet Shoqërore të Shkodrës.

Sipas Ligjit për Sigurimet Shoqërore, me nr. 7703, të datës 11 maj 1993, thuhet në fund të tij: “Ky ligj hyn në fuqi më 1 tetor 1993”. Punonjësit e Sigurimeve Shoqërore të Shkodrës, kanë gabuar në këtë rast dhe këtë gabim do ta shlyejnë po Sigurimet Shoqërore. Ligjet duhen lexuar me kujdes e saktë, në mënyrë që të interpretohen dhe të zbatohen drejt. Nëse punonjësit atje janë të paaftë, atëherë nuk duhet të punojnë në atë vend pune sepse nuk është e drejtë që t’u krijohen probleme njerëzve. Gabime të tilla janë bërë në shumë raste. Zotëria ka paguar që nga 1 janari 1993 kontributet e sigurimeve shoqërore, pra ka paguar për 9 muaj. Në fakt, Sigurimet Shoqërore nuk duhej që t’i kishin marrë lekët. Por për këtë, në një vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave, me nr. 551, të datës 27 korrik 2016, në pikën 12 të tij thuhet kështu: “Lekët e marra padrejtësisht nga Sigurimet Shoqërore, t’i kthehen qytetarit”. Prandaj zotëria duhet që të shkojë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër dhe të takojë drejtoreshën. Ajo është juriste dhe besoj se do ta zgjidhë këtë problem, duke i kthyer lekët zotërisë. Gjithashtu lekët i kthehen qytetarëve edhe në ato raste kur personi banon në fshat por nuk ka tokë dhe ka blerë vetëm shtëpinë në fshat, sepse ai nuk ka të drejtë kur nuk ka tokë, që të paguajë kontribut të sigurimeve shoqërore si i vetëpunësuar në bujqësi. Kontribute të sigurimeve shoqërore si të vetëpunësuar në bujqësi ata persona që kanë marrë tokë sipas Ligjit nr. 7501, të datës 19 korrik 1991 dhe ata që kanë marrë tokë në përdorim, me dokumente të rregullta, të noterizuara, me vendime gjykate. Aktualisht në Shkodër dhe në Tiranë, si bujk, paguhen 38.400 lekë të rinj në vit ose 3.000 lekë të rinj në muaj. Pra, kontributi i sigurimeve shoqërore si i vetëpunësuar në bujqësi është në vlerë më i lirë sesa kontributi i sigurimeve shoqërore vullnetare. Zotëria duhet që t’i bëjë kërkesë me shkrim Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Shkodër. Në qoftë se nuk do të bindet nga përgjigjja zyrtare që do të marrë nga kjo drejtori, atëherë zotëria ka të drejtë që t’i bëjë një ankesë me shkrim Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Tiranë.

Flas nga Vlora. Jam 65 vjeç. I kam dorëzuar dokumentet për pension. Kam vetëm 22 vite pune në minierë. Sa mund të më dalë vlera e pensionit?

Sipas ligjit në fuqi, vlera e pensionit varet nga dy faktorë: nga numri i viteve të punës dhe nga paga bruto me të cilat paguen kontributet e sigurimeve shoqërore. Për të marrë pension të plotë, në vitin 2019 që jemi aktualisht, duhen 36 vite e 8 muaj punë e siguruar në vendin tonë, përfshi këtu edhe periudhën e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, përfshi edhe periudhën e asistencës, përfshi edhe ditët me raporte mjekësore, përfshi edhe periudhën kur merr pagesë papunësie ose periudhën kur paguhesh me pension invaliditeti të plotë apo të pjesshëm. Të gjitha këto periudha mblidhen dhe njihen si vjetërsi pune për pension, pavarësisht se mund të kesh punuar në kooperativë bujqësore, në sektorin shtetëror, në sektorin privat apo në minierë, por që nga mosha 16 vjeç e lart. Zotëria ka gjithsej 22 vite pune dhe e ka plotësuar moshën për të dalë në pension dhe në këto kushte, nuk ka më të drejtë që të paguajë kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore për të shtuar vitet e punës. Me 22 vite pune gjithsej, zotëria do të marrë një pension me vlerë të ulët, rreth 60% të vlerës së plotë të pensionit. Nëse zotëria do të ishte interesuar më përpara se të plotësonte moshën 65 vjeç, atëherë sipas dëshirës së tij dhe sipas mundësive të tij financiare, mund të paguante kontribut vullnetar të sigurimeve shoqërore për të shtuar numrin e viteve të punës. Unë i sugjeroj zotërisë që të shkojë në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të Vlorës dhe të takojë drejtoreshën e kësaj drejtorie, e cila është një juriste me eksperiencë.

Përfitoj nga rasti, që t’u rikujtoj të gjithë qytetarëve që na ndjekin, megjithëse e kam theksuar shpeshherë këtë gjë, që të mos presin ditën kur mbushin moshën për të dalë në pension, por të interesohen për pensionin e tyre, për vitet e tyre të punës më përpara. Interesimi në kohë shmang dhe zgjidh shumë probleme, të cilat mund t’u krijohen më pas, kur nuk kanë më mundësinë dhe kohën për t’i zgjidhur ato.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Guri i Kamjes: 19/04/2019 10:06

    Qe ne fillim me duhet te them se z. Fadil Kepi eshte njeri me vlera, i ditur dhe nga te rrallet qe njeh shume mire fushen e sigurimeve shoqerore. Besoj se do te me mirekuptoje lidhur me disa verrejtje qe une kam ne lidhje me kuptimin e testamentit. Se pari: Testatori (ai qe le testament) nuk eshte i detyruar te pershkruaje ne testament me hollesi te dhenat per sendin (sendet) qe ai do te lere trashegim, sidomos kur testamenti eshte i pergjithshem. Ne kete rast noteri do te shprehet ne pergjithesi: "Çdo pasuri, e luajteshme apo e paluajteshme, kudo qe te ndodhet qe do te me gjendet ne çastin e vdekjes apo mund te vije ne emer tim mbas vdekjes, t'i kaloje x,y, te cilin e kam emeruar trashegimtarin tim te vetem testamentar".Pra ndodhemi para nje testamenti te pergjithshem, per te cilin noteri do te shprehet ne pergjithesi (siç permendet edhe ne shkrim, por pa e perzjere me sende te individualizuara) Edhe per testamentet me titull te pergjithshem(universal), apo te pjesshem (partikolar), testatori nuk eshte i detyruar te pershkruaje te dhenat e pasqyruara ne dokumenta mbi sende te ndryshme qe do t'i kaloje te dikush mbas vdekjes. Testamenti eshte i vlefshem edhe kur jepet vetem nje e dhene per nje send te caktuar dhe kjo mund te mos jete e dokumentuar. Psh: "shtepine ku banoj qe ndodhet ne lagjen, me 2 kate etj...". Testamenti do te quhet i vlefshem edhe kur s'ka asnje dokument mbnasi sendi eshte ne ndertim e siper, apo eshte i ndertuar e testatori per shkak semundje te rende nuk mund te levize per te siguruar dokumenta.Se dyti: Rezerva ligjore mbron vetem femijet e mitur te trashegimlenesit, pra ata qe jane nen moshen 18 vjet. Mbi kete moshe, vazhdojne ose jo shkollen, nuk perfitojne nga ligji, pra nuk mund ta godasin testamentin. Ne rast se trashegimtari eshte i martuar e ka femije te mitur, atehere kete do te perfitojne pjesen qe do te perfitonte prindi i tyre po te plotesonte kushtet. Ne keto kushte e drejta zbret poshte ne te paslindurit pa kufizim sipas vijes se drejte zbritese duke u ngjitur i paslinduri ne vendin e te paralindurit te tij(te tyre) qe s'trashegon per arsye te ndryshme. Ne vijen e terthorte te trashegimise zevendesimi trashegimor nderpritet deri te vellezerit e motrat e mitur te trashegimlenesit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare