Këndi i Ekspertit/ Variçet, si ekzaminohen dhe si trajtohen

Në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, të drejtuar nga gazetarja Valbona Mhilli, në rubrikën “Mjeku im” këtë të javë ka qenë e ftuar Mjekja Ermira Zykaj, specialiste ekografie pranë Spitalit SALUS. Mjekja ka sqaruar sëmundjen e venave varikoze, ose variçet, siç i njohim në gjuhën popullore, komplikacionet që sjellin dhe mënyrat e ndërhyrjeve mjekësore. Ekspertja jonë ka sqaruar se si ekzaminohen variçet dhe si trajtohen ato, po edhe se cilët janë faktorët e riskut dhe çfarë rëndësie ka trajtimi i tyre në kohë. Në fund doktoresha Ermira Zykaj u është përgjigjur pyetje live në Report TV.

Sot do të flasim për venat varikoze ose variçet, siç i njohim në gjuhën popullore. Variçet nuk janë thjesht një problem estetik. Ato ndodhin te femrat dhe te meshkujt. Si ekzaminohen dhe si trajtohen ato? Cilët janë faktorët e riskut? Çfarë rëndësie ka trajtimi i tyre në kohë? Cila është grupmosha më e prekur nga kjo sëmundje?
Venat varikoze ose siç njihen në gjuhën popullore, variçet, është një zgjerim i venave sipërfaqësore të këmbës. Në disa raste mund të jenë sekondare, nga një zgjerim i venave të brendshme, por rrallëherë ndodh kjo. Ka disa momente kur këto vena zgjerohen. Me kalimin e moshës ato zgjerohen më shumë, pas shtatëzanive, nga një jetë sedentare, ose në persona të cilët kanë një predispozicion familjar. Ndodhin dhe në personat të cilët kanë një profesion të caktuar. Ne e quajmë ndryshe edhe sëmundja e kamerierëve, e kuzhinierëve, e parukierëve, e mësuesve, sepse kalojnë shumë orë në këmbë, pa lëvizur. Kështu që është e rëndësishme të njohim këto problematika sepse japin komplikacione me kalimin e kohës.

Siç e thashë, venat varikoze janë një zgjerim i venave. Kur venat zgjerohen, valvulat që ndodhen brenda venave, të cilat nuk lejojnë kthimin mbrapsht të gjakut, sepse venat punojnë kundër forcës së gravitetit, mbetet gjaku, stanjon brenda në venë dhe formohen mpiksjet e gjakut, ose siç quhen ndryshe, trombet. Dhe këto janë të rëndësishme nga ana mjekësore dhe mund të çojnë në komplikacione shumë të rëndësishme. Nëse këto trombe ndodhen në sipërfaqe, atëherë trajtimi është i një modaliteti të caktuar. Nëse këto ndodhen në thellësi, në venat e thella, në ato që çojnë gjakun drejt në mushkëri e pastaj në zemër, situata bëhet më problematike dhe ka nevojë për terapi më intensive.

Sëmundja e venave varikoze klasifikohet me stade. Venat varikoze janë vena në sipërfaqe. Në fillim, në stadet iniciale, kemi shfaqjen e venave retikulare, që shfaqen në ndryshimet hormonale, që në pubertet. Më tej kemi progresionin në venat varikoze. Njerëzit janë mësuar të shohin imazhin tipik të këtyre venave blu-astre. Dhe në stadet më të avancuara kemi komplikacione të rëndësishme, të lidhura me fryrjen e këmbëve dhe kemi shfaqjen e ulçerave.

Flas nga Berati. Më nxehen këmbët natën dhe nuk fle gjuhë. Më bëhen prush. I fus edhe në ujë të ftohtë. Nuk mund të fle natën.
Ky është një problem për të cilin njerëzit që vuajnë nga venat varikoze, ankohen shpesh. Venat varikoze nuk japin shqetësime në mëngjes. I japin në darkë ose gjatë natës, sepse gjatë ditës, kur rrimë në këmbë, venat fryhen, gjaku ngelet në fund të këmbëve dhe nuk oksigjenohen indet. Dhe duke mos u oksigjenuar ky gjak, krijon problemet e dhembjeve, të kruarjeve, të djegieve dhe duhet që herë pas here, njerëzit të ngrihen, t’i freskojnë këmbët me ujë të ftohtë.

Unë vuaj nga venat varikoze. Tani më është bërë si tip ekzeme. Ku duhet të drejtohem?
Në këtë rast kemi një stad të avancuar të venave varikoze. Gjëja kryesore është diagnoza e saktë, nëse kemi të bëjmë me vena varikoze apo me venat e sipërfaqes së këmbës, apo nëse kemi të bëjmë me një problem të venave të thella. Shpesh, problemi i venave është i lidhur edhe me patologjitë e zemrës, sepse është zemra ajo që e pompon gjakun nëpërmjet arterieve dhe ky gjak duhet të kthehet pastaj nëpërmjet venave. Nëse edhe zemra nuk e ka këtë forcë tërheqëse, duhet që personat mbi 50-60 vjeç, të bëjnë një konsultë me mjekun kardiolog, për të parë nëse kanë probleme me zemrën, ndonjë insuficiencë kardiake ose probleme të tjera. Pra duhet parë nëse gjaku përthithet siç duhet nga zemra. Në stadin ku është zonja, duhet patjetër që të bëhet fillimisht një vlerësim me eko-dopler, e cila është një ekografi që shikon me imtësi qarkullimin e gjakut në vena, shikon nëse këto vena janë të zgjeruara dhe nëse problemi i ekzemës zonjës i vjen nga venat. Shpesh këto problemet e ekzemave mund të vijnë edhe nga një infeksion lokal siç është rezipela, që është një infeksion i lëkurës. Këto lloje infeksionesh japin enjte dhe skuqje të lëkurës.

Stadi i fundit i variçeve shoqërohet me ekzema?
Ky është stadi final, ku nga ekzema fillojnë e shfaqen ulçerat. Dhe në momentin kur ulçerat shfaqen, duan patjetër trajtim. Ulçera është një prishje e strukturës normale të lëkurës dhe probabiliteti i futjes së baktereve brenda në lëkurë, e cila do kohë të mbyllet, sidomos në një terren të një vene varikoze. Në këto raste duhet patjetër të bëhet një ekzaminim me aparatin eko-kolordopler, pra një ekografi të venave, dhe një konsultë me mjekun kirurg-vaskular.

Duke ecur rrugës, kam ndjerë një dhembje poshtë kyçit të këmbës. Dhe këmba e majtë më është mavijosur. Ku duhet të drejtohem për këtë problem?
Zakonisht, kur dhembjet shfaqen gjatë lëvizjes, kemi të bëjmë ndonjëherë edhe me trauma të artikulacioneve ose të muskujve. Gjëja e parë në këtë rast, do të ishte një vlerësim nga mjeku ortoped, për të përjashtuar, sidomos pas njëfarë moshe, problemet e artikulacioneve dhe problemet e muskujve. Nëse mjeku ortoped i përjashton këto probleme, e drejton pastaj pacientin te kirurgu vaskolar ose për të bërë një eko-kolordopler. Në këtë rast pastaj mjekët specialistë do të vlerësojnë nëse ka apo jo trombozë. Nganjëherë edhe trombozat shfaqen të tilla, d.m.th. gjatë ecjes, një traumë e venës ose një mosqarkullim siç duhet i gjakut, shkakton trombin dhe si pasojë shkakton edhe dhembjen.

Si shkaktohen trombozat?
Në rastin kur variçet janë në një stad të avancuar, ato bëjnë tromboza ose, siç i quajmë ne, tromoflobite. Tromoflobitet janë inflamacion ose bllokim i venave varikoze në sipërfaqe, kurse trombozat janë bllokim i venave të thella. Dhe në këto raste, siç e përmenda edhe më parë, problemi bëhet më i rëndësishëm dhe ka nevojë patjetër për mjekun kirurg vaskolar dhe për një trajtim të menjëhershëm. Venat në sipërfaqe bëjnë qarkullimin e 10%-15% të gjakut në këmbë, kështu që problemi duhet marrë seriozisht. Kurse pjesa tjetër e gjakut qarkullon nëpërmjet venave të thella, të cilat gjenden në brendësi dhe kanë edhe muskuj, të cilët kontraktohen dhe ndihmojnë për t’u ngritur. Problemet e venave të thella janë më pak evidente. Megjithatë, për të dy rastet, diagnoza përcaktohet me anën e aparaturës eko-kolordopler, pra me ekografinë e caktuar, e cila shikon fluksin e gjakut dhe vlerëson nëse variçet janë primare, ose nëse problemi vjen nga vena të thella, të cilat vënë në komunikim këto dy sisteme, pra sipërfaqen me thellësinë. Ose nëse kemi të bëjmë pastaj me insufiçencë të venave të thella. Këtu pastaj hyn edhe problemi kardiak.

Flas nga Tirana. Jam 72 vjeçe. Në të dyja këmbët më kanë dalë variçe të vogla, si degëzime kapilarësh, si ekzemë. Këmba e majtë më rri gjithnjë e ftohtë. Më duket sikur më mblidhet, sikur më shtrëngon.
Me paraqitjen e venave varikoze, me kalimin e kohës edhe indet lëshohen, lëkura lëshohet dhe probabiliteti që të shfaqen edhe këto venat retrikulare ekziston. Duhet të theksoj që në periudhën e menopauzës, përgjithësisht venat nuk është se përkeqësohen sepse mungon një nga stimujt kryesorë që janë hormonet estrogjen dhe progresteroni, i cili favorizon shfaqjen e venave varikoze, prandaj shfaqen më kollaj pas shtatzanive ose gjatë shtatzanisë. Kështu që në menopauzë, problemet janë të lidhura edhe me qarkullimin arterial, sepse siç e thashë, gjaku shkon nëpërmjet arterieve. Nëse pacienti është në moshën mbi 70 vjeç dhe ka një problem me hipertensionin, apo ka një problem me diabetin, apo ka probleme me kolesterolin e lartë, duhet vlerësuar edhe nga ana arteriale. Kjo bëhet gjithnjë gjatë ekzaminimit me eko-kolordopler. Vlerësohen arteriet, nëse qarkullimi është sufiçent në atë zonë, sepse nga mosqarkullimi i gjakut mund të rrijnë edhe gjymtyrët e ftohta. Zakonisht venat varikoze japin gjymtyrë të nxehta, japin kruarje, enjtje, skuqje ose gjymtyrë të ngrohtë dhe jo të ftohtë.

Flas nga Mamurrasi. Gruaja ime është 59 vjeçe dhe ka disa variçe të brendshme. Është vizituar te mjekë në Gjermani, në Itali dhe në Francë dhe mendimi i tyre ishte se duhet ndërhyrje kirurgjikale. Unë di raste që edhe pse operohen, përsëriten prapë. Çfarë më sugjeroni?
Insufiçencë ne quajmë zgjerimin e venave dhe moskthimin mbrapsht të gjakut në zemër. Insufiçenca venoze mund të jetë e dy tipave: e venave në sipërfaqe ose e venave të thella. Në rastin e venave në sipërfaqe, ato mund të trajtohen në mënyrë kirurgjikale ose me lazer apo teknika të tjera të ndryshme. Në rastin e venave të thella nuk ka trajtim. Venat duhen mbajtur nën kontroll me çorape. Ka disa klasa çorapesh. Në rastin konkret është klasa e dytë, por unë, para se t’i këshilloja këtë zonjës, duhet të përjashtojmë që zonja vuan nga hipertensioni ose nga diabeti. Kështu që duhet bërë një vlerësim i mirë i qarkullimit arterioz. Terapia kompresive ose terapia me çorape, është një terapi shumë e vlefshme në rastin e venave varikoze, si për parandalimin, ashtu edhe për trajtimin e tyre. Në rastin e venave të thella, terapia me çorapet shtrënguese është e vetmja terapi e mundshme, nuk ka kirurgji sepse kirurgjia mund të përdoret për motive estetike në disa vena ose për të hequr tromoflobite lokale, por terapia afatgjatë është vetëm ajo me çorape, të cilat vishen në mëngjes sapo ngrihemi nga shtrati, dhe hiqen në darkë kur shtrihemi në shtrat. Marrja e çorapeve duhet të caktohet nga mjeku specialist, pas ekzaminimit me eko-kolordopler, me anën e të cilës shihet nëse ka bllokime arteriale apo jo.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump

Ministrat e kryeministrit kanadez Trudeau në Florida për bisedime me ekipin e Trump