Këndi i ekspertit/Fadil Kepi: Pensioni për artistët, kushtet që duhet të plotësojnë

Këndi i ekspertit/Fadil Kepi: Pensioni për artistët, kushtet që duhet të plotësojnë

Fadil Kepi në emisionin "Këndi i ekspertit"

Si çdo javë, profesor Fadil Kepi, ekspert për çështjet e pensioneve ka sqaruar qytetarët mbi problematikat e pensioneve, në emisionin “Këndi i Ekspertit” në Report TV, nën drejtimin e gazetares Valbona Mhilli. Profesor Kepi është ndalur fillimisht dhe ka sqaruar me detaje artistët, ata që ndodhen brenda dhe jashtë vendit, që kanë punuar në Teatrin Kombëtar, në teatrot profesioniste të rretheve, në estradat e të gjithë vendit tonë, në ish-seksionet e kulturës të Komiteteve Ekzekutive apo nëpër bashki, punonjëset e kulturës që punojnë në Ministrinë e Kulturës, dhe ato që punojnë në Kryeministri. Profesor Kepi ka sqaruar këtë kategori për kushtet që duhet të plotësojnë për të marrë pension.
Gjithashtu eksperti ka sqaruar qytetarët edhe për disa problematika të tjera që kanë të bëjnë me moshën, vitet e punës si dhe dokumentacioni i duhur për pension, sipas kategorive të ndryshme.

Na shkruajnë disa artistë të nderuar dhe pyetja e tyre është se cilat janë kushtet për të marrë pension. Disa prej tyre janë në Shqipëri dhe disa të tjerë janë jashtë Shqipërisë.

Femrat artiste, brenda dhe jashtë vendit, që kanë punuar në Teatrin Kombëtar, në teatrot profesioniste të rretheve, në estradat e të gjithë vendit tonë, në ish-seksionet e kulturës të Komiteteve Ekzekutive apo nëpër bashki, punonjëset e kulturës që punojnë në Ministrinë e Kulturës, dhe ato që punojnë në Kryeministri, këtë vit dalin në pension 60 vjeçe e 8 muaj dhe për pension të plotë, kur punojnë në këto profesione, i kërkohen gjithsej 15-36 vjet e 4 muaj punë të siguruara, duke përfshirë edhe periudhën e studimeve të larta ditën.

Ndërsa artistët meshkuj, të cilët kanë punuar në këto institucione, do të dalin në pension 65 vjeç, deri në vitin 2032. Nuk ka asnjë rritje të moshës së pensionit për meshkujt. Këtë vit do t’u kërkohen, ashtu si dhe femrave, 36 vjet e 4 muaj punë të siguruar. Meshkujve nuk u quhet periudha e shkollës së lartë ditën si vjetërsi pune, por u quhet periudha që kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Kjo është kategoria më e madhe e artistëve. Por kemi edhe një kategori tjetër artistësh, që bëjnë punë të vështirë. Në gjuhën juridike quhet punë e kategorisë së parë. Cilët janë këta? Femrat artiste, të cilat janë pjesëtare të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, pra solistet. Po kështu edhe solistet e Teatrit të Operës dhe Baletit. Pra, këngëtare ose valltare.

Gjithashtu janë edhe artistet e Cirkut, të cilat kanë punë të vështirë. Këtë vit, këto femra dalin në pension të plotë në moshë më të re, 57 vjeçe e 6 muaj. Pra, dalin 3 vjet e 2 muaj më përpara se artistet e tjera femra. Ndërsa për vite pune u kërkohen gjithsej 35 vjet punë, përfshi edhe shkollën e lartë ditën, por nga këto 3/4 ose 26 vjet e 3 muaj të kenë punuar në profesione të vështira. Ndërsa burrat që punojnë në Cirk, por edhe artistët që luajnë në vegla frymore të Orkestrës së Radiotelevizionit, në orkestrat frymore të bandave, barazohen njëlloj me valltarët dhe dalin në pension në moshën 62 vjeç e 2 muaj dhe jo 65 vjeç. Vite pune gjithsej u kërkohen 36 vjeç e 4 muaj, si të gjithëve, por 3/4 e tyre të kenë punuar në këto profesione të vështira.

Tani, përveç kësaj, ka edhe një ligj për pensionet e posaçme, për pensionet që kanë arritur rezultatet të dallueshme në fushën e artit dhe të kulturës. Në vendin tonë ka rreth 450 veta, të ndarë në 40 profesione, të cilët marrin pensione të posaçme, përveç pensionit të pleqërisë. Shuma e pensionit të posaçëm është 28.000 lekë të reja, e cila i shtohet pensionit të pleqërisë. Këto jepen me anën e një kërkese që i bëhet Këshillit të Qarkut. Pastaj Këshilli i Qarkut pasi e miraton, ia dërgon Këshillit të Ministrave dhe e vendos vetëm Kryeministri ose zëvendëskryeministri. Nga këta 450 veta gjithsej në vendin tonë, gati gjysma e tyre janë artistë. Po përmend disa prej tyre: Vaçe Zela, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Zyliha Miloti, Zef Deda, Luftar Paja, Fuat Boçi, Fadil Hasa, Dhorkë Orgocka, Skënder dhe Vitore Sallaku, Piro Milkani dhe bashkëshortja e tij, Roza dhe Dhimitër Anagnosti, Vera Grabocka, Nina dhe Avni Mula, Gaqo Çako, Luiza Papa etj., etj.

Flas nga Tirana. Jam 61 vjeçe. Në mars 2017 mbusha 60 vjeçe. Në muajin shtator duhej të më fillonte pagesa e pensionit. I kam dorëzuar të gjitha dokumentet në datën 1 shtator. Pensionin ma kanë llogaritur që nga data 1 tetor dhe nga 42 vite pune që kam gjithsej, më kanë quajtur 33 vite pune.
Sigurimet Shoqërore nuk kanë bërë asnjë kërkim për vitet e mia të punës. Faktikisht në librezën e punës i kam të shënuara të gjitha. Kam një vit, që nga muaji tetor e deri tani që nuk kam marrë pension. Kam bërë kërkesë në Drejtorinë e Sigurimeve Shoqërore dhe më thanë që po kërkojnë. Çfarë bënë një vit të tërë? Nuk e di çfarë të bëj.

Në qoftë se ju nuk bindeni me vitet e punës që keni në librezën e punës të shënuara, nuk ekziston asnjë ligj i Sigurimeve Shoqërore, që çfarë është shënuar në librezën e punës, të gjitha të quhen të mirëqena. Ka plot libreza pune që janë të falsifikuara. Sigurimet Shoqërore e kanë për detyrë që çdo gjë që është shënuar në librezën e punës, ta verifikojnë.

Ka një ligj për këtë, i cili thotë: “Në qoftë se i dorëzon dokumentet e pensionit dhe kur merr librezën e pensionit, vitet e punës nuk janë ato që personi pretendon, atëherë bëhet një ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore të rrethit ku banon. Kjo kërkesë dorëzohet në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, ku janë dorëzuar dokumentet e pensionit për herë të parë. Në Komisionin e Ankimit përjashtohet Drejtori i Sigurimeve Shoqërore, përjashtohet nëndrejtori i Sigurimeve Shoqërore, përjashtohet gjithashtu edhe financierja që ka llogaritur shumën e pensionit. Përgjigjja që do të merret, duhet të jetë zyrtare, e firmosur nga 4 persona. Për vitet e punës që nuk njihen, normalisht që shënohet edhe arsyeja se përse nuk njihen.

Nëse dhe me këtë përgjigje nuk bindesh, zonjë ke të drejtë t’i bësh një ankesë tjetër Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Këtë kërkesë nuk e dorëzon në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore, por e dërgon me postë-rekomande. Përsëri përgjigjen do ta marrësh në formën zyrtare, me shkrim. Edhe ky komision përbëhet nga 4 veta, specialistë juristë, financierë, ekonomistë, me eksperiencë. Nëse përsëri ti nuk bindesh nga përgjigjja, unë mendoj që të mos i drejtohesh menjëherë gjykatës sepse ka shpenzime rruga ligjore, por të vish këtu në emision, dhe të bëjmë një ballafaqim me nëpunësit që kanë firmosur shkresën.

Unë jam invalid i plotë. Vuaj nga zemra dhe diabeti. Nuk e di a më takon apo jo kompensimi i energjisë elektrike.

Me librezën e pensionit do të shkosh që nesër, në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore të rrethit ku merr pensionin. 2.000 lekë të reja marrin personat paraplegjikë e tetraplegjikë, të verbrit. Gjithashtu marrin dhe 1.000 lekë të reja për telefoninë fikse. Me ato sëmundje që ti ke, 648 lekë të reja është kompensimi i energjisë elektrike që të takon.

Por edhe atë e përfiton në rast se banon në shtëpinë tënde, jo në shtëpi me qira dhe librezën e energjisë elektrike e ke në emrin tënd, nëse i ke paguar të gjitha detyrimet ndaj shtetit për energjinë e konsumuar, dhe nuk banon me pjesëtarë të tjerë të familjes. Më konkretisht, shko në Agjencinë e Sigurimeve Shoqërore me librezën e pensionit dhe me certifikatën e gjendjes familjare. Kompensimin e energjisë elektrike, nga data 1 janar 2015, e përfiton vetëm një person, në emrin e të cilit është libreza e energjisë elektrike, kur nuk ka detyrime ndaj OSHEE-së dhe banon vetëm.

Na shkruan Besnik Saqja, nga Zvicra: “Jam 54 vjeç. Në Shqipëri kam punuar 8 vjet në Fabrikën e Qelqit në Tiranë dhe 2 vjet kam qenë ushtar. Në Zvicër kam punuar 20 vjet. Kur dal në pension në Shqipëri?”.

Legjislacioni shqiptar merr në mbrojtje të gjithë emigrantët kudo që janë, për vitet e punës që janë punuar në Shqipëri. Para moshës së pensionit, ata kenë të drejtë të vetësigurohen në vendin tonë, nëse kanë dy nënshtetësi ose nënshtetësi shqiptare. Ju shkruani që jeni 54 vjeç. Ju do të dilni në pension në vitin 2029, në moshën 65 vjeç.

Për pension do t’ju kërkohen 15-40 vite pune të siguruara. Ju keni vetëm 10 vite. Unë ju sugjeroj që të bëni sigurime vullnetare të paktën për 5 vite. Në një muaj do të paguani 5.184 lekë të reja, por për 12 muaj do të paguani 62.208 lekë të reja. Nëse do të paguani për vitet e kaluara, 2017, 2016 e me radhë, do të paguani këtë shumë. Kur të vini të Shqipëri, duhet të shkoni te Sigurimet Shoqërore dhe të paguani për vitin 2019, pra për vitin pasardhës dhe shumës 62.208 lekë të reja i zbriten 6%, e barabartë me 3.372 lekë të reja. Juve ju duhen 5 vjet se 10 i keni. 5 vjet shumëzuar me 3.372 lekë, duke paguar sivjet për vitin 2019, në vitin 2019 për vitin 2020 e kështu me radhë, juve do të paguani më pak rreth 20.000 lekë të reja.

Për vitet që keni punuar në Zvicër, i siguruar, do të përfitoni pension sipas ligjit zviceran. Për vitet që do të siguroheni në Shqipëri, të paktën 15 vjet duhen patjetër. Nëse i keni mundësitë financiare, mundohuni të paguani më shumë sigurime vullnetare, pra për më shumë vite, sepse kufiri minimal për të përfituar pension është 15 vjet. Pastaj ligji thotë që për çdo vit që shtohet mbi 15 vitet, pensioni shtohet rreth 2,7%. Pra, sa më shumë vite pune të keni, aq më i lartë ju del pensioni. Më vjen mirë që interesoheni që tani për pensionin edhe pse ju duhet ende kohë që të dilni.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen