Të martën, më 23 qershor 2026, ora 19:00 (hyrja e lirë), në Sallën “Tonin Harapi” të Shkollës Artistike “Jordan Misja”, do të prezantohet “KËNGË DHE RITUALE” – Suitë Jazz, një koncert-performancë që ndërthur rrëfimin artistik, muzikën tradicionale shqiptare dhe gjuhën bashkëkohore të Jazz-it.
Vepra sjell në skenë tre histori të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare: “Vallja e Osman Takës”, “Fyejt e Gramshit dhe historia e Tanës” dhe “Udha e krushqve”, të përzgjedhura nga projekti “Heritage is Our Brand”. Përmes një qasjeje krijuese që bashkon traditën me estetikën moderne të Jazz-it, publiku ftohet të përjetojë një udhëtim artistik ku kujtesa, rituali dhe identiteti kulturor marrin jetë nëpërmjet tingullit, improvizimit dhe narrativës.
Koncepti artistik, përpunimet etno-jazz të materialit folklorik shqiptar dhe kompozimet origjinale janë realizuar nga pianisti dhe kompozitori Andi Kongo, i cili sjell një vizion bashkëkohor mbi trashëgiminë muzikore shqiptare. Performanca do të interpretohet live nga një ansambël muzikantësh të përbërë nga: Ermal Rodi (fyell / klarinetë), Andi Kongo (piano), Elona Islamaj (violinë / vokal), Iris Sula (vokal), Arbin Alimeri (bas) dhe Emiljan Dhimo (bateri). Dimensioni narrativ i koncertit do të realizohet nga Eno Basha dhe Iris Sula, të cilët do të udhëheqin publikun nëpër histori, rituale dhe emocione që janë pjesë e kujtesës kolektive shqiptare.
“KËNGË DHE RITUALE” propozon një formë të re dialogu ndërmjet trashëgimisë dhe krijimtarisë bashkëkohore, duke dëshmuar se historia dhe kultura tradicionale mund të komunikojnë fuqishëm me publikun e sotëm përmes gjuhës universale të muzikës.
Ky projekt është realizuar në kuadër të skemës së granteve të “Heritage is Our Brand”, një nismë e financuar nga Bashkimi Evropian dhe e zbatuar nga DMO Albania dhe EU Policy Hub.
Komente









