GARISA (Kenia) 22 nëntor /ATSH-AFP/ - Islamikët radikalë somalianë shebab ekzekutuan sot të paktën 28 pasagjerë të një autobusi në verilindje të Kenias, pranë kufirit somalian, duke lënë gjallë myslimanët, si reprezalje për mbylljen e xhamive radikale të konsideruara nga Nairobi se kanë lidhje me kryengritësit.
Sulmuesit bënë në mëngjes një pritë ndaj autobusit, që transportonte 60 pasagjerë drejt Nairobit, pak pas nisjes së tij nga Mandera, rajon kufitar me Somalinë. Ata i detyruan të ndalojnë, para se t'i nxirnin në cep të rrugës dhe të ekzekutonin pasagjerët e identifikuar si jo myslimanë, sipas shefit të policisë të departamentit të Manderas, Noah Mwavinda.
Kenia, dhe në veçanti rajoni kufitar me Somalinë, kanë qenë teatër i një serie sulmesh terroriste pasi Nairobi dërgoi trupat e veta për të luftuar islamikët në jug të Somalisë në tetor 2011.
Në korrik, shebabët kishin marrë përsipër sulmin e një autobusi në Kenia, në rajonin e arqipelagut turistik të Lamus, rreth njëqind kilometra nga kufiri somalian ku u vranë shtatë persona.
Një seri sulmesh të marra përsipër nga islamikët radikalë, shebab, në qershor dhe korrik në këtë rajon, ku janë shënjestruar fshatra dhe automjete, kanë bërë rreth 100 të vdekur./
/G.S/









