Keqkuptimet për
reformën territoriale

Prej dy muajsh mazhoranca ka ndërmarrë nismën politike për reformën e re territorial. Në gjashtë muaj në pushtet kjo është nisma e parë serioze politike dhe testi i parë i mazhorancës për të arritur një rezultat konkret. Prej atëherë janë zhvilluar rreth 15 tryeza politike, një risi në traditën e ligjeve të imponuara dhe në dukje, një veprim mëse transparent. Parlamenti ka ngritur një komision të posaçëm, i panjohur nga opozita, dhe zëra me rëndësi në vendimmarrjen politike, siç janë trupi diplomatik dhe pjesa më e madhe e partive parlamentare (disa edhe opozitare) janë bashkuar me nevojën për reformë. Miratim paraprak kanë dhënë edhe dy grupimet e qeverisjes vendore, shoqata e djathtë ku bën pjesë kreu i Bashkisë Tiranë dhe shoqata e majtë e drejtuar nga kreu i Bashkisë Pogradec. Zyrtarisht opozita nuk është shprehur kundër reformës, por duke e lexuar atë si aksion politik të ditës, ka zgjedhur të qëndrojë jashtë procesit. Për pasojë, reforma që të gjithë duan dhe pranojnë, ndodhet në sprovë, nëse do bashkojë vullnetet politike ose do sforcohet me një vendimmarrje të imponuar nga pazaret e fshehta parlamentare midis qeverisë dhe një pjese të partive opozitare.

Kur flitet për reformë territoriale të gjithë bashkohen në disa parime: e para se jemi të vonuar dhe duhet bërë; e dyta se sistemi aktual vendor është jofunksional; e treta se procesi duhet sa më profesional dhe efekti afatgjatë; e katërta se përmes procesit synohen më shumë kursime dhe më shumë efektivitet qeverisës; e pesta se struktura lokale si qarku janë provuar si të tepërta dhe duhen hequr; e fundit, se ndarja e re do të imponojë rregulla e formulë të re në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ku ndahen palët? Tek merita e reformës, tek e drejta e vetos absolute në vendimmarrjen finale parlamentare, tek dëshira për të mos marrë përsipër koston e pakënaqësive që do lindin pas reformës, tek frika se mund të imponojë dizavantashe në zgjedhjet lokale, si dhe tek tradita politike, - gjithçka që mendon pala tjetër është e papranueshme për palën time!

Presioni i jashtëm, raporti i thellë i përfaqësimit parlamentar, si dhe trendi i politikës ditore mund të çojë në një rezultat konkret, miratimin e reformës përpara vjeshtës, në mënyrë që më pas të vijohet me reformën zgjedhore dhe në pranverën e ardhshme me zgjedhjet e radhës. Por në të gjithë këtë histori gjëja më pak e rëndësishme do të duhej të ishte ajo që praktikisht të gjithë përmendin, - takimin midis dy kryetarëve, konsensusi, vota e mazhorancës, etj. Në thelb, reforma mbart elementë të tjerë më me rëndësi, që fatkeqësisht injorohen.

Së pari, ka një keqkuptim të madh kur thuhet se reforma do u japë fund praktikave sunduese të çifligarëve vendore. Kjo alibi vlen për skenarët e portokallisë, por jo në praktikë, në jetën reale. Çfarë do të ndodhë? Vërtetë nuk do kemi më rreth 400 kryetarë që copëtojnë territorin, sundojnë në zona dhe konsumojnë para publike pa ndonjë efektivitet të madh. Vërtetë nuk do kemi më mijëra këshilltarë fisesh që kanë prodhuar sistemi aktual. Por çfarë do kemi? Me sistemin e ri me 4-5-6-7-8 qarqe, pavarësisht nga numri, këto 400 çifligarë të vegjël do zëvendësohen nga 4-5-6-7-8 apo 20-30 çifligarë më të mëdhenj, ose me disa pashallarë të rinj. Kush jep garanci se një kryetar bashkie për Vlorën e rrethinat, Durrësin e rrethinat, Shkodrën e rrethinat, Tiranën e rrethinat, Kamzën e rrethinat, Korçën e rrethinat do ketë ndonjë dallim nga stili autoritar dhe abuzues që aplikojnë disa prej drejtuesve aktualë të këtyre njësive? Askush. Ndaj nëse nuk ndryshon koncepti I qeverisjes, modeli dhe sjellja, nuk rritet transparenca e kontrolli, nuk merr më shumë vlerë vota qytetare sesa emërimi partiak, me siguri pas ca vitesh këtu do jemi përsëri në debat, për të kërkuar mekanizma ligjorë për mënjanimin e pashallëqeve personale që do krijohen me reformën e re.

Së dyti, keqkuptimi lidhet edhe me financat dhe politikat vendore. Ideja se drejtuesit e shumtë vendor janë abuzuesit më të mëdhenj është relative. Koha ka treguar se një kryetar komune është shumë më pak i pushtetshëm në abuzime sesa një ministër abuzues, apo një funksionar tjetër i lartë. Reforma e premtuar nuk ka zgjidhur ende thelbin e problemit, mbi çfarë baze do bëhet financimi lokal, sa autonomi lokale do i jepen njësive vendore, a do vazhdojmë ta votojmë kryetarin e bashkisë me premtime për shkolla, kopshte, ujë, spitale, punësim, etj, kur de facto që të gjitha këto kompetenca janë qendrore, jo lokale. Tek ne mësues, mjekë, policë, e gjithçka tjetër e emërojmë nga lart, - kurse llogari u kërkojmë drejtuesve vendorë. A do ndjekim parimin se zona më me shumë kontribute në ekonomi do ketë përfitime më të mëdha apo logjikën e derisotme, zona që ka dy hidrocentrale nuk ka drita për vete, ndërkohë që prej saj ndriçohet shumica e territorit?

Së treti, cili do jetë roli i shtetit dhe përgjegjësitë e tij në përmbushjen e detyrimit kushtetues për kujdes social, shërbime sociale dhe përgjegjësi të tjera që nuk lidhen me numrin e banorëve atje apo me largësinë e zonës? Cili sistem do zëvendësojë zyrat e shërbimit ditor në këto zona, si do zgjidhen mosmarrëveshjet midis zonave dhe cili mekanizëm do përcaktojnë prioritetet në investimet publike? A do ketë referendum apo formë tjetër testi për banorët nëse u imponohet një zgjidhje nga lart, apo politika do imitojë vitin 2008 kur kontratën me qytetarët e ndryshoi brenda pak orësh duke mos përfillur qytetarët dhe pritshmëritë e tyre ndaj sistemit politik? Projektet e deritanishme nuk I kanë dhënë ende zgjidhje këtij problemi, palët i janë shmangur debatit dhe qytetarët praktikisht në shumicë janë ende të painformuar sa duhet.

Së katërti, ndarja e re territorial pritet të ketë një produkt politik në zgjedhjet 2015: do u japë përfaqësim vetëm partive të mëdha që arrijnë një numër 4-7 mijë vota për këshilltarë, duke mënjanuar tërësisht partitë e vogla politike. Pra nga sistemi 2-3 partiak qendror do kalojmë në sistemin 2-3 partiak lokal, duke e kufizuar ndjeshëm hapësirën konkurruese dhe demokratike, si dhe duke forcuar ndjeshëm partitë e mëdha politike. Me ndarjen e re shanset për kandidatët e pavarur janë vetëm teorike, rrezikojmë p.sh, që këshilltarët dhe kryetarët të vijnë vetëm nga zonat e mëdha në qendër të qarqeve duke lënë periferinë pa përfaqësim, gjithçka do vendoset nga partitë e mëdha, dhe se për shkak të sjelljes zgjedhore të njohur, vetë zgjedhjet do kenë vlerë vetëm në 30% të zonave; në 70% dihet paraprakisht rezultati. A duhej që reforma e re të japë garanci se sistemi bipolar qendror nuk do përkthehet në sistem bipolar lokal? A duhet të gjenden mekanizma për kandidatët e pavarur, për përfaqësim propocional të zonave që përbëjnë njësitë apo për një formulë që krijon përfaqësim proporcional të vullnetit elektoral me trupës së zgjedhur? Palët as për këto çështje me rëndësi, ende nuk kanë përgjigje.

Së fundi, reforma territoriale ka vlerë kur bëhet me konsensus, kur merr mbështetje qytetare, kur mendohet për 10-20 vitet e ardhshme, pra kur sjell dobi në sistemin politik dhe qeverisës. Do të duhej të kishte më shumë se dy projekte (mazhoranca flet për projekte por ende nuk ka diçka organike, opozita nuk ka madje ende asnjë projekt), do të duhej të kishte më shumë hapësirë për ekspertët dhe OJF-të e fushës (politika do të duhej të ishte instanca e fundit, me komisionin parlamentar ajo është kthyer në instancë e parë!), do të duhej të kishte transparencë për të gjitha anët pozitive e negative (për këto të fundit nuk flet askush), siç do të duhej të kishte reflektim të dukshëm nga praktikat e gabuara të së kaluarës (në debatin aktual po përsëriten të njëjtat gabime, si p.sh, krijimi i zonave duke pasur parasysh emra të veçantë në zgjedhjet e ardhshme lokale!).

Reformat e mëdha kërkojnë kurajë, përkushtim, transparencë, aftësi dhe mbi të gjitha vullnet dhe vizion, - cilësi që tradicionalisht tek ne kanë munguar. Këshilla e ditës se reformat e mëdha kërkojnë vetëm konsensus midis dy politikanëve, apo se janë çështje votash parlamentare, apo se mund të imponohen përmes klimës së presionit publik, - kanë pasur dhe kanë jetë të shkurtër. Që të mos ndodh më kjo, që reforma territoriale të ketë jetëgjatësi dhe efektivitet, që projekti të jetë serioz dhe vendimmarrja sa më optimal, do të duhet të kalohet nga debati formal dhe politik, tek debati real, - në përmbajtjen e tematikës, në pritshmëritë, kostot, përfitimet dhe pasojat në sistemin politik, sistemin qeverisës dhe jetën qytetare.

Shkrimi u publikua sot (1.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale