Keqkuptimet reciproke të
medies me Edi Ramën në Kosovë

Keqkuptimet reciproke të<br />medies me Edi Ramën në Kosovë
Ka një vërshim komentesh negative të medies nga Kosova mbi takimin e Edi Ramës në Prishtinë, dhe sidomos komentet e tij të shpenguara gjatë debatit me medien apo qytetarë të ftuar në takim. Disa kritikojnë stilin e tij të vrazhdë apo cinik, të tjerë klientelizmin apo shoqërinë me Batonin, dhe të tjerë vështrimin e tij mbi pozitën e shqiptarëve në Ballkan.

E gjitha tregon se ka një keqkuptim dypalësh mes shqiptarëve të Kosovës, që duan ta shikojnë Edi Ramën si kryeministër të të gjithë shqiptarëve dhe doemos serioz, autoritar dhe burrë shteti. Dhe Edi Ramën, që e shikon Kosovën si një shtojcë të shoqërisë shqiptare në Tiranë, ku doemos media duhet të jetë si e Tiranës, politikanët po si këtu, e mbi të gjitha, që mendon se ia njohin jo vetëm meritat, por edhe huqet.

Një skenë ilustruese e shkëlqyer e këtij mentaliteti, ishte kur Edi Rama kthehej nga Serbia përmes Preshevës dhe pastaj nëpër Kosovë, i shoqëruar nga dhjetëra vetura me flamuj kombëtar. I dërmuarr nga rruga dhe udhëtimi i gjatë, ai u prit në Prizren nga Enver Hoxhaj me disa politikanë lokalë, të cilët duhet ta shoqëronin në drekën e vonuar të tij. Sapo u ulën dhe nisën të hanin, zëvendëskryeministri i Kosovës u ngrit në këmbë të çonte një dolli për Edi Ramën si kryeministër të të gjithë shqiptarëve, për “aktin heroik” që kishte kryer në Beograd. Rama, në të vërtetë jo vetëm që nuk e la të ngrinte dollinë, po ia preu vrazhdë, siç e ka zakon “lëri këto budallallëqe tani, por na bjer të hamë se vdiqëm…” Dhe kur e pa hutimin e tij në fytyrë, u kthye nga gazetarët që kishte në krah, duke i thënë: “shikoni si janë bërë, vdiqën për të ngrënë. Lërini këto tani…”

Kjo mizaskenë ilustron më së miri konfliktin që ai prodhon natyrshëm në një vend ku duan ta shikojnë edhe si udhëheqësin e tyre, me huqet e tij tokësore për ta dominuar një mjedis, me veset e veta, dhe jo me virtytet e veta.

Në këtë aspekt, shqiptarët e Kosovës duhet të gëzohen që në Tiranë është një kryeministër që nuk dëshiron të jetë dhe i tyre. Dhe nuk ka asnjë pengesë për t’u sjellë siç sillet në Shqipëri, plot cinizëm, arrogancë dhe veneracion ndaj dikujt, edhe pse pa ndonjë shkak. Ashtu është gatuar dhe është mirë që e ruan gjithandej identitetin e tij. Përpara tij, Shqipëria ka pasur një kryeministër si Sali Berisha, që ka hyrë në konflikt real me çdo lider në Kosovë, se donte të ishte protektor i tyre. E tentoi me Ibrahim Rugovën derisa ai “i vuri kufirin tek thana” dhe nuk e pranoi në Kosovë sa ishte gjallë. Tentoi ta bëjë me Hashim Thaçin e kështu me radhë. Edi Rama është mirë që nuk e ka ndjenjën e paternalizmit mbi Kosovën dhe politikanët atje, dhe akoma më mirë që sillet ashtu siç sillet gjithandej, krejt anormal për të qenë një kryeministër siç i ëndërrojmë ne “burrat e shtetit”.

Deri këtu unë nuk kam asnjë rezervë për Edi Ramën, edhe pse kolegët e mi në Kosovë më duken të skandalizuar. Nuk kam rezerva as për fjalimin e tij dhe kritikat për vizionin e shqiptarëve drejt Europës, edhe pse e ka tepruar duke e analizuar si shkrimtar rrezikun e lodhjes së Ballkanit drejt Europës.

Ajo ku Edi Rama gabon, ka të bëjë me moskujdesin që ai tregon për të kthyer lidhjet personale, në mesazhe kombëtare, dhe në dëmin që shkakton pa qenë nevoja me këto mesazhe.

Kur them se ai nuk është paternalist ndaj politikës së Kosovës dhe i ka bezdi elozhet si kryeministër i gjithë shqiptarëve, kam parasysh që kjo është një vlerë perëndimore e tij. Por, atë që nuk e bën me politikën, e bën pa dashje me medien në Kosovë, duke rënë pre e lidhjeve të tij klienteliste, të cilat edhe kur nuk i merr seriozisht, i bën serioze për shoqërinë. Media në Kosovë nuk është si media në Shqipëri. Ajo është më serioze, më profesioniste, ende më raportuese se e Shqipërisë. Dhe më e vëmendshme ndaj rreziqeve që i vijnë për lirinë e shtypit, nga kapja e pushtetit. Edi Rama mund të bëjë çfarë të dojë në Shqipëri me medien, pasi këtu ka një rregullator që ia merr hakun pasi votohet. Këtu mund ta marrë Sandrin jo në paradhomë siç ka qejfi të vetëkritikohet, por dhe në krevat, mund të grindet e të bjerë në dashuri me Top Channel, Temën apo Bolinon, mund edhe të bëjë humor të zi me secilin nga ne. Nëse ne kjo gjë na pëlqen, aq na vlen lëkura. Nëse nuk na pëlqen, kemi ku ia kthejmë reston. Në Kosovë duhet të bëjë kujdes, pasi adhurimi i publikut për kryeministrin e Shqipërisë, është në kontradiktë me preferencat e tij klienteliste për dikë që njeh në Kosovë. Nuk e kam fjalën për Batonin si mik të tij, timin, apo të shumë gazetarëve në Tiranë, por për fenomenin që bën dëm në Kosovë. “Klan Kosova” është një investim i Klanit të Tiranës në Kosovë, i cili ka qenë më i mirë se i Tiranës sa i përket anës profesionale. Tani ai i përket një grupi biznesmenësh të Kosovës, që e kanë blerë dhe që kanë pozita kyçe në biznes në Kosovë. Përtej tyre, Kosova ka grupe mediatike të konsoliduara dhe profesionale, siç është grupi “Koha”, “Zëri”, “Express” dhe media të tjera, të cilat janë dukshëm më të mira dhe më serioze se ato të Shqipërisë. Kur kryeministri jonë shkon në Kosovë, i këput një dorë gallatë me Batonin, pastaj shkon viziton dhe magazinat e kompanisë që janë kthyer në televizion, jep një mesazh tmerrësisht të rëndë për modelin e shtypit që mbështet dhe rrëzon gjithë fasadën e tij perëndimore karshi politikanëve në Kosovë. “Klan Kosova” nuk është një medie për t’u përgojuar, por nuk është një model për t’u respektuar nga një kryeministër. Ata janë punëtorë të medies, financuar nga një grup milionerësh dhe aq.

Edi Rama duhet të sillet ndaj medies në Kosovë, ashtu siç sillet ndaj politikanëve, i barazlarguar dhe pa ndonjë preferencë paternaliste. Përfshirja e tij në lojëra të tilla të vogla klienteliste, si për “gallatë me Batonin”, e bëjnë atë pa nevojë, një personazh qesharak në Kosovë. Dhe vë në dyshim gjithë bagazhin e tij real kulturor, politik dhe mbi të gjitha, sqimën e tij si njeri i ardhur në politikë prej shtypit.

E njëjta simptomë duket se u vërejt edhe në festën e Vitit të Ri që organizoi në Pallat të Brigadave, ku tek tavolina e gazetarëve të Kosovës ishte një gjymtim i vërtetë i asaj që përfaqëson shtypi i Kosovës. Ishte një listë prej Batoni, i cili di t’ua tregojë vendin atyre në Kosovë, që nuk e respektojnë për hesap të tyre. Kur vjen fjala për lidhjet me Shqipërinë, trajtohen për hesap të Batonit. Ky është një gabim i rëndë. Ishte mirë të mos ftonte asnjë gazetar nga Kosova, se nuk është kryeministër i tyre. Ata i ftoi për t’i plotësuar dëshirën Batonit për disa shokë të vet, por u bë qesharak, pasi dëshmon jo vetëm mosnjohje të Kosovës, por dhe një dëshirë për të mos i njohur realisht ata.

Zgjatimi i këtij gabimi është ajo çfarë bëri sot në Kosovë, ku kishte shans dhe ta korrigjonte gabimin. Futja e tij “si një elefant në një dyqan porcelanësh” në medien e brishtë të Kosovës, është një ngatërresë fatkeqe mes autoritetit që ai ka si kryeministër i Shqipërisë dhe mesazheve që jep pa e vrarë shumë mendjen, madje duke i futur dhe një dorë gallatë.

Aq perëndimor sa është, kur e trajton politikën e Kosovës si një lider jo paternalist, aq joperëndimor dhe me vese është kur bie fjala tek media, e cila i duket si zgjatim i medies që ka futur mes shalëve në Shqipëri. Është kjo arsyeja që nuk ua shpjegoj dot kolegëve të mi në Kosovë, pse i bën këto gomarllëqe kryeministri im. I vetmi ngushëllim është që nuk është kryeministër i tyre dhe është mirë që edhe vet, nuk do të jetë i tyre. Së paku kështu bën më pak dëm.

*Marre nga Gazeta Tema

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së

Azgan Haklaj: Sali Berisha nuk është kryetar i PDSH-së