Gjatë javës së kaluar, vëmendja e pothuajse gjithë opinionit publik nëpër botë u përqendrua te zhvillimi i punimeve të Samitit të thirrur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për rrezikun e përhapjes së ekstremizmit islamik që kërcënon paqen në nivel ndërkombëtar.

I ftuar në atë takim ishte edhe Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, i cili garantoi që siguria në vend është më e lartë nga sa ka qenë më parë dhe se ka mbështetjen e FBI për zbardhjen e ngjarjeve kriminale këtu. Por, kur veçanërisht luftëtarët e ISIS (pas masakrës që bënë bashkëpunëtorët e tyre ndaj Charlie Hebdo dhe një konference në Kopenhagen) tashmë i bëjnë paralajmërime serioze Italisë, duke deklaruar se me gishtat e këmbëve po i afrohen Romës, a mund të bëhet fjalë për imunitet të plotë të Shqipërisë fqinje dhe tërë Gadishullit të Ballkanit nga kërcënime të tilla?

Aq më tepër vlen të shtrohet kjo pyetje, kur edhe prej këtej nuk kanë munguar rastet, ndonëse të pakta, që njerëz të caktuar – ndonjëherë edhe bashkë me gratë e fëmijët e mitur të tyre – të jenë rekrutuar dhe larguar, për t’iu bashkuar rradhëve të luftëtarëve islamikë radikalë në betejat e armatosura për zgjerimin e kufijve të një Khalifati mesjetar në ofensivë e sipër.

Ky shqetësim, krahas atij për zgjerimin e akteve të dhunës në shtetet e Rajonit, u shpreh edhe gjatë punimeve në Tiranë të një Takimi të rradhës të Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Juglindore (SEECP), ministrat e Jashtëm të të cilave miratuan njëzëri një Rezolutë të përbashkët me 10 pika, ku vihet theksi te vendosja e sigurisë, nëpërmjet aksioneve të përbashkëta të 13 Shteteve pjesëmarrëse të këtij organizmi politik.

Procesi i nisur në Berlin vetëm afro 6 muaj më parë, për të çuar më tej harmonizimin e zhvillimeve kooperuese në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të mos përqendrohet tashmë me një gjeografi akoma më të gjerë, jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në luftën kundër terrorizmit, i cili (siç u artikulua gjithashtu në Takimin e ditëve të fundit) nuk ka lidhje as me nacionalitetet, grupet etnike dhe besimet fetare.

Sigurisht, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit vihet re që kanë marrë hov disa dukuri, të cilat dikur ishin individuale, ndërsa sot kanë karakter më të përgjithshëm. Një prej tyre mjaft shqetësuese e ditëve të sotme është terrorizmi. Duke qenë ky një fenomen mbishtetëror, Këshilli i Sigurimit i OKB është përpjekur të gjejë mjetet më të përshtatshme dhe të zgjerojë rrezen e veprimit të tyre për ta luftuar atë.

Përpjekje të tilla mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara (Kapitulli VII) janë konkretizuar kryesisht me miratimin e Rezolutës nr. 1267 të miratuar më 15 tetor 1999, e cila u plotësua dhe u evolua më vonë me rezoluta të tjera, me anë të të cilave është kërkuar nga të gjitha Shtetet Anëtare të OKB që të marrin masa ndaj çdo personi dhe shoqate të lidhur me Osama Bin Laden, me rrjetin e Al-Kaedës dhe Talebanët, të bllokohen pa vonesë të gjitha fondet, burimet ekonomike dhe aktivet financiare të tyre, të ndalojnë hyrjen në territoret e tyre, ose kalimin tranzit në këto territore të personave të dyshuar si të rrezikshëm, të ndalojnë furnizimin, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, të armëve ose materialeve luftarake të çdo lloji etj. Për të vënë në jetë këto rezoluta, edhe Këshilli i Evropës miratoi përfundimisht më 27 Maj 2002 Rregulloren nr. 881/2002.

Aktualisht, në sintoni me shpërthimet dhe aktet e tjera të zhurmshme të ndërmara nga individë të caktuar vjen edhe rreziku nga forcat ekstreme islamike nën flamurin vdekjeprurës të ISIS, që veç zaptimit të territoreve në shtete arabe i janë vërsulur me akte dhune veçanërisht Evropës civile, të zhvilluar në kushtet e mbrojtjes ndërkombëtare të të drejtave themelore të njeriut, të gjesteve humane dhe tolerancës universale.

Madje, kërcënimet nga ISIS nuk mund të kursejnë as këtë pjesë të Evropës ku zgjerimi i BE është një sfidë politike, ku banojnë si autoktonë, prej brezash, miljona njerëz të besimeve fetare klasike dhe ku pjesa më e madhe e tyre jo vetëm që janë të gatshëm të jetojnë me vlerat perëndimore, por edhe mund t’i pranojnë ato me bindje vetjake. Nga studimet e shumta për këto hapësira gadishullore, mbështetur në një sërë të dhënash të pakontestueshme, interes të veçantë ka treguar dhe vazhdon të paraqesë islami specifik në Ballkan.

Myslimanët e këtij Rajoni dallohen relativisht nga ata që kanë emigruar së fundmi në Evropë. Të këtushmit kanë pasur dhe kanë kontakte të ngushta prej një kohe të gjatë me popullsinë e krishtere fqinje, nga e cila më të shumtët - vetë ose të parët e tyre - rrjedhin nga kjo popullsi, flasin të njëjtën gjuhë dhe në zakone dallohen shumë pak nga ata të shkëputur administrativisht nëpër shtete të afërta. Prandaj është pohuar dhe pranuar që Islami në këtë rajon shquhet, nga njëra anë prej myslimanëve të emigruar së fundmi në Evropën Perëndimore dhe, nga ana tjetër, që termi ‘Euro – Islam’ u përshtatet më mirë myslimanëve të Ballkanit.

Të gjitha këto cilësi kanë ndikuar natyrshëm që, veçanërisht në Shqipëri, të lulëzojë harmonia fetare, çka e shtyu Papa Frençeskun të bënte këtu para 5 muajsh vizitën e parë të tij në Evropë. Ishte ky tipar që ndikoi natyrshëm të përshëndetej prej opinionit të gjerë publik nga të katër anët e globit pjesëmarrja së bashku, krah për krah, e katër përfaqësuesve të komuniteteve fetare të Shqipërisë gjatë homazheve të viktimave të ekstremistëve islamikë në Paris.

Por, ky realitet i admirueshëm mund të mos mbetet unik dhe statik, ai mund të cenohet dhe të deformohet nëse mbyllen sytë ndaj rrezikut të invazionit të elementëve islamikë ekstremistë edhe në territorin shqiptar dhe të mbarë Ballkanit. Këtë e vuri në dukje të premten e kaluar edhe Ambasadori britanik në Tiranë, Cannon, i cili gjatë përurimit të mjadiseve të reja të Prokurorisë në Shkodër i alarmoi strukturat e shtetit me rrezikun që i kanoset vendit prej celulave xhihadiste, që organizohen edhe në Shqipëri.

“Një nga traditat më të rëndësishme shqiptare është harmonia fetare, të cilën ju duhet ta mbroni” – tha Cannon, duke tërhequr njëkohësisht vëmendjen, se “kohët e fundit ajo është prishur për shkak të këtyre personave që predikojnë të shkojnë e luftojnë për xhihadin në Siri”.

Ky konstatim realist e ka bazën sidomos te lajmet e dhëna përgjatë 2 viteve të kaluara, kur disa lajme që pasonin njëri tjetrit tregonin për persona të rekrutuar që kishin shkuar të luftonin përkrah forcave të ISIS në shshbetejat përgjatë Irakut verior, Alepos, Kobanit etj. Këto të dhëna, që u bënë të njohura pas arrestimit nga forcat policore në Turqi të 25 punonjësve të një Fondacioni që operonte në emër të organizatës terroriste Al-Nusra, çuan edhe arrestimin e disa klerikëve myslimanë në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, të cilët me predikime në kundërshtim me idetë e Kuranit përgatisnin trafikimin përkatës.

Atëherë filluan të vinin edhe lajme për vdekjen gjatë luftimeve të njërit apo tjetrit shqiptar, duke lënë në ato territore jo vetëm kockat e veta, por edhe gratë dhe fëmijët e tyre. Në këto kushte, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj të veçantë, në përputhje me aktet juridike ndërkombëtare, për nevojën e zbulimit dhe të ndëshkimit të atyre që rekrutonin, financonin dhe trafikonin njerëz dhe armatime për zgjerimin dhe shumëfishimin e taborreve të kobshme të ISIS.

Pra, megjithë deklaratat e Ministrit të Brendshëm, se rendi dhe siguria këtu është më e garantuar se sa më parë, vështirë të konsiderohet puna e deritashme si shteruese në këtë drejtim. Aq më pak, ajo mund të jetë e tillë, në kushtet e gjallërimit të grupeve të srtrukturara kriminale, që nëse do t’ua sillta rasti do ta kishin më të lehtë të krijonin lidhje me celulat xhihadiste.

Ndërkohë që ata fëmijë, me baballarë të kthyer në ushtarë të ISIS dhe të rënë nëpër beteja, tashmë ekstremistët mund t’i kenë inkuadruar atje në kontigjentet e stërvitjes për ofensiva të reja, ose t’i infiltrojnë pas kthimit në atdhe për interesat e organizatës së rrezikshme dhe sipas udhëzimeve të saj.

Në vëmendje të këtyre situatave dhe kushteve, lufta kundër terrorizmit është e domosdoshme të shoqërohet me një bashkëpunim të ngushtë dhe efektiv të agjencive ligjzbatuese (me rol të veçantë Shërbimin Informativ të Shtetit) brenda vendit, madje përtej kufijve të shtetit. Në këtë kuptim është për t’u përshëndetur edhe Rezoluta e SEECP.       


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 shkurt 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)