‘Kërcënimi’ i Macron, analisti Koçi: Franca ka zero mundësi për pezullimin e vizave për Kosovën! Eksperti Kamberi: Çfarë parashikon rregullorja e Këshillit të BE-së

Presidenti Emmanuel Macron, tha sot në Tiranë se Franca bëri një "gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën", por kjo e fundit sipas tij nuk i është përmbajtur premtimit për asociacionin, ndaj ka deklaruar se mund ta lënë pezull procesin e liberalizimit të vizave. Por a ka vërtet mundësi Franca që të pezullojë liberalizimin e vizave për Kosovën në një kohë që zbatimi i vendimit pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024?

Analisti Melazim Koçi në një lidhje "Skype" për emisionin "Kontrast" në Report Tv me Denis Mingën ka deklaruar se Franca ka zero mundësi për pezullimin e vizave të Kosovës.

“Macron me këtë deklarim tenton të neutralizojë atë goditje të BE në raport me Kosovën. Në aspektin teknik mundësia e pezullimit të vizave për Kosovën është zero”, tha ai.

Eksperti i Çështjeve ndërkombëtare Geron Kamberi tha se marrëveshja për liberalizimin e vizave të Kosovës është miratuar dhe e vetmja gjë që mund të bëjë Franca është të ngrejë pretendime dhe të vërë në lëvizje mekanizmin në Këshillin e BE-së. Kjo mund të bëhet me kërkesë ose nga Komisioni Evropian ose nga ndonjë shtet anëtar. Për ta pezulluar këtë vendim duhet të merret një vendim tjetër nga Këshilli i BE-së. Në çdo rast sipas tij bëhet fjalë për mekanizëm pezullimi dhe jo bllokimi.

“Që në 2018 KE e ka quajtur të kryer procesin e Kosovës për liberalizimin e vizave. Rregullorja, neni tete, ka një pikë që flet për mekanizmin e pezullimit të vizave, të gjithë vendet anëtare të cilat për shkak të procesit të liberalizimit të vizave mund të vënë këtë mekanizëm të pezullimit të vizave. Marrëveshja ka hyrë në fuqi, sepse është miratuar. Franca mund të ngrejë pretendime si një nga vendet anëtare për të vënë  lë lëvizje këtë mekanizëm. Nga pikëpamja e procedurave të brendshme që ka Be për të miratuar këtë procedurë kjo procedurë quhet e kryer.

Në momentin që marrëveshja ka hyrë në fuqi është botuar në fletoren zyrtare të BE. Kosova ka nisur dhe një fushatë ndërgjegjësimi për këtë proces. Deklarata e Macron lidhet me këtë mekanizëm, që vihet në funksion kur shkelet kjo rregullore. Një rast kur vihet në lëvizje është për shkak rrezikut të shtuar për sigurinë e shteteve anëtare  Ky nuk është rasti.

Gjithmonë bëhet fjalë për një mekanizëm pezullimi dhe nuk bëhet fjalë për mekanizëm bllokimi. Periudha e pezullimit duhet të votohet në këshill dhe duhet që të gjithë anëtarët të bien dakort. Siç ishte rasti me Shqipërinë që nuk ranë dakort. Sot është kërkuar nga ambasada franceze në Kosovë që të bëhet një koment dhe s’ka pasur përgjigje. Nga ana e Gjermanisë e zyrës përfaqësuese, u tha se nuk ka asnjë problem”.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Azgan Haklaj u shpreh se presidenti i Francës barazoi Kosovën me Serbinë.

“Ka një mekanizëm kur aktivizohet pezullimi i vizave apo suspendimi. Macron tha kemi bërë ç’është e mundur që Kosova të marrë liberalizimin e vizave sipas planit franko gjerman. Pamë deklaratën e zyrës së shtypit të Presidentit, pamë dhe daklaratën e Kurtit. Ai kërkon siguri për Kosovën. Macron i barazoi Kosovën me Serbinë kur në fakt Kosova është viktima kurse Serbia agresori. Në këtë samit kishim 3 kryeministra shqiptar, një Serbe, kryeministrin grek që shkeli statusin e samitit dhe bëri deklaratë politike. Në vend që të ishim unik tre kryeministrat shqiptarë, pati servilizëm të Abazoviç dhe ndarja mes Kurtit dhe Rama”, tha ai.

Edhe analisti Indrit Vokshi e quajti të padrejtë deklaratën e presidentit Macron për pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Qëllimi i kësaj deklarate sipas tij ishte për t'i bërë presion Albin Kurtit.

"Tentativë për ti bërë presion Kosovës, për ta futur në hulli për marrëveshjen. Është pjesë e planit për ta shantazuar qeverinë e Kosovës. Kjo është e padrejtë sepse faktori në këtë mes nuk është Kosova dhe as Albin Kurti, ky i fundit është thjesht një kryeministër i radhës. Faktori destabilizues nuk është Kosova, aq Kurti. Faktori i destabilitetit është Serbia dhe Vuçiç. Macron mbajti qëndrim të padrejtë dhe të paqartë. E padrejtë të shantazhohet Kosova kur nuk është ajo faktor destabiliteti. Asocacioni i komunave në vend që të jetë një mekanizëm në funksion të bashkëjetesës së Komuniteteve, ka rrezik të kthehet në mekanizëm destabilizimi të Serbisë në Kosovë dhe këtë frikë ka edhe qeveria e kosovës. Për mua deklarata e Macron është shantazh kundrejt qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me Ramën. Është qokë për Edi Ramën. Del Rama dhe thotë se Kosova e ka futur veten në Kurth. Në çfarë Kurthi e ka futur veten Kosova?".

Deri më tani  vetëm një herë ka  ndodhur që një shtet anëtar i BE-së të kërkojë pezullimin e liberalizimit të vizave për një vend të rajonit. Në 2019, Holanda kishte kërkuar që të pezullohej liberalizimi i vizave për Shqipërinë. Si arsyetim Holanda kishte përmendur rrezikun që shqiptarët të përfshirë në krim të organizuar në Holandë paraqesin për sigurinë kombëtare të këtij vendi. Por, Komisioni Evropian e kishte hedhur poshtë këtë kërkesë.

B.K/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë