Macron për Report Tv: Franca lë pezull procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Serbia të dënojë sulmin në Banjskë! Rama: Skandal shpallja e zisë nga Beogradi

Nga Tirana, presidenti francez Emmanuel Macron tha për Report Tv se Franca ka lënë pezull çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën sepse sipas tij, ajo nuk i ka qëndruar fjalës së dhënë. Kjo deklaratë e Macron u bë teksa komentonte tensionet në veri të Kosovës, ku në sulmin e 24 shtatorit mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u bëri thirrje palëve që të ulen sërish në dialog. 

Për Serbinë, Macron u tregua i prerë duke kërkuar që presidenti Aleksandër Vuçiç të dënojë sulmin në veri të Kosovës. Për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku, presidenti francez tha se Serbia dhe Kosova nuk po e mbajnë fjalën për t’iu rikthyer dialogut.

"Sikurse e dini, ne e ndjekim me shumë vigjilencë tensionet që ekzistojmë mes Prishtinës dhe Beogradit. Franca dhe Gjermania kanë bërë një propozim udhërrëfyes që unë mendoj se është i fortë dhe i mirë dhe presim që të respektohen nga të dyja palët. Mendoj se është përgjegjësia e zotit Vuçiç që të dënojë prerazi aktet e 24 shtatorit sepse kontribuon në rikthimin e qetësisë në kufi dhe më pas etapat e ardhshme dhe ajo çka presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë; riorganizmi i zgjedhjeve në komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje dhe në institucione, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare.

Sipas kësaj radhe, plotësisht dhe totalisht dhe pres që presidenti Vuçiç të jetë përgjegjës, pres të njëjtën gjë nga presidentja dhe kryeministri kosovar. E them me shumë qartësi; ne u kemi besuar për çështjen e vizave, çështja është pezulluar nga ana e Francës sepse ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk po mbahet. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecin përpara në javët e ardhshme. Është kushti i paqes në të gjithë zonën”, tha Macron për Report Tv.

Kryeministri Edi Rama dënoi edhe njëherë zinë kombëtare që Serbia shpalli për anëtarët e grupit kriminal, që u vranë nga Policia e Kosovës në veri, pasi vdiq efektivi Afrim Bunjaku.

“Të gjitha ato që lidhen me çfarë ndodhi në veriun e Kosovës i kemi thënë dhe i përsëris: E papranueshme, e pajustifikueshme, e dënueshme. Zija kombëtare në Beograd, për mua ishte një skandal antieuropian që të shpallësh ditë zie kombëtare për tre kriminelë që vranë një polic dhe që u asgjësuan nga forcat e sigurisë, por ama kjo nuk mund të jetë një arsye për të frenuar procesin, ndërkohë që duhet bërë hetimi, ndërkohë që Bashkimi Europian duhet të bëjë detyrën e vetë, ta ndjekë, ta shohë, ta vlerësojë, ta ndëshkojë nëse dalin të gjitha provat e nevojshme për implikim të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë të Beogradit. Në ndërkohë paqja i intereson Kosovës”, tha Rama.

Sipas kryeministrit Rama do ishte dramatike që Kosova të humbiste të drejtën që lëvizte lirisht, ndërsa të dyja palët kanë në tavolinë planin franko gjerman.

"Nëse bëjmë të paktën me sytë tanë këtu në Tiranë, një llogari të gjërave për tu humbur nga shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoni, Kosovë, është shumë më e madhe se sa llogaria e atyre që duam të fitojmë duke i marrë këto që kemi si të mirëqena se nuk i humbasim. Dramatike të humbiste të drejtën për lëvizur lirisht në BE dhe ndërkohë të dyja palët kanë në tavolinë planin franko-gjerman që është gjëja më e mirë që mund ti ndodhë Kosovës. Kosova duhet të veprojë e pavarur nga Serbia. Këto nuk janë kushte që i vë BE. Këto janë mundësi themeltare për ta çuar para procesin e paqes. Për mua as nuk diskutohet që Shqipëria do vazhdojë të mbajë këtë flamur të paqes dhe dialogut pa u kapur se ca bëri ai tjetri", vijoi Rama. 

Rama zbardhi edhe fjalën e kryeministrit të Holandës, Mark Rutte në darkën informale me liderët e BE dhe Ballkanit, i cili kishte komentuar cështjen e Kosovës dhe Serbisë.

“Dje kemi pasur një bisedë një bisedë informale me gjithë liderët, dua të sjellë këtu i paautorizuar një fjalë të thënë nga Rutte, kur iu drejtua të dyve: Mos harroni kurrë që një kompromis më shumë se çfarë do fitosh është se çfarë nuk duhet të humbasësh”, tha Rama.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama tha se Shqipëria tani është e ankuruar në BE sepse ka bërë një rrugë të pakthyeshme. 

Përgjigjja e plotë e kryeministrit Edi Rama për Report Tv

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për pyetjen dhe dua ta nis nga çfarë presidenti tha në përgjigjen e mëparshme, kur foli për një delegim të vullnetshëm të sovranitetit në duart e Bashkimit Europian për vendet që i përkasin Bashkimit Europian apo që trokasin në derën e Bashkimin Europian. Ky delegim i vullnetshëm i sovranitetit është i lidhur drejtpërdrejtë me atë që unë thashë më parë, nivelin e maturisë europiane të çdo vendi për të bashkëjetuar me këtë fakt dhe në ndërkohë, ne mund të flasim për kapituj, mund të flasim për klastera, mund të flasim për benchmark-e, Bashkimi Europian është shumë i ndjeshëm pikërisht në vlerësimin e kësaj maturie europiane të të gjithë vendeve tona. Me shumë të drejtë.  Këtu hyn ai krahasimi me familjen, me gjeneratat e ndryshme, për sa i takon maturisë.

Dje kemi pasur një bisedë të hapur informale në drekën e punës me të gjithë liderët, përfshirë me dy kryeministrat, e Kosovës dhe të Serbisë dhe dua të sjell këtu i pa-autorizuar, por nuk besoj se ka problem, një fjalë të thënë nga kryeministri i Holandës, Mark Rutte, kur iu drejtua të dyve: Mos harroni kurrë që një kompromis, më shumë sesa çfarë do fitosh, është se çfarë nuk duhet të humbasësh dhe nëse bëjmë, të paktën me sytë tanë këtu në Tiranë, me sytë e mi nga ky podium, një llogari të gjërave për tu humbur nga shqiptarët në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe kudo qoftë, është shumë më e madhe dhe me një kosto shumë më të lartë sesa llogaria e atyre që duam të fitojmë, duke i marrë këto që kemi si të mirëqena që nuk i humbasim. Për mua, shqiptarët sot në rajon janë në ditën e tyre më të mirë në histori.

Shqipëria nuk diskutohet. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kur unë kam qenë këtu në këtë detyrë, vinin për vizitë dhe flisnin për dimensionin që duhet të kishte flamuri shqiptar që të mund të vihej jo nëpër zyra, por në ballkonin e një shtëpie sepse ligji i atëhershëm në Maqedoni, detyronte që flamuri shqiptar s’duhet të ishte kurrë në dimensionin e flamurit të Maqedonisë, duhet të ishte gjithmonë më i vogël.

Sot flamuri shqiptar është krah për krah me çdo të zgjedhur atje pa asnjë problem. Sot gjuha shqipe, që as nuk mendohej, është gjuhë zyrtare e Maqedonisë së Veriut dhe të gjitha mbledhjet, të gjitha vendimet merren me dy gjithë dhe që kur e kanë fituar gjuhën, të drejtën e gjuhës s’e kanë fare problem, harrojnë ta ushtrojnë në ndonjë moment se e kanë të drejtë të fituar. Sot Kosova, është futur vetë në një kurth që ia ka bërë vetes, por s’ka qenë kurrë më mirë. Do të ishte dramatike që të humbiste një të drejtë më në fund të fituar për të lëvizur lirisht në Bashkimin Europian, dramatike dhe ndërkohë të dyja palët, kanë në tavolinë një plan, që është plani franko-gjerman, që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhi Kosovës. Më e mira e mundshme.

E solla dje shembull në takim dhe po e përsëris dhe këtu. Presidenti Clinton kur ishte këtu në verë, për vizitë, ai është kryeçlirimtar i Kosovës, më tha thuaju miqve të mi në Prishtinë se si i ndodhi Palestinës, dhe nuk kishte ndodhur akoma kjo, flas për verën. Yasser Arafat e kishte në tavolinë, në zyrën ovale marrëveshjen më të mirë të mundshme për Palestinën 3 javë përpara se unë të largohesha nga Shtëpia e Bardhë, izraelitët ranë dakord dhe thanë do ta firmosim, ai tha do ta firmos, të nesërmen mori në telefon tha, unë nuk e firmos. Dhe kur i thashë që a e kupton se çfarë po flet dhe a e kupton që kjo marrëveshje që është sot në tavolinë, nëse ti nuk e firmos nuk kthehet më dhe sa më shumë të tentoni të bëni marrëveshje, aq më të këqija do të jenë marrëveshjet, më tha e di, por nuk e firmos dhe presidenti Clinton tha në verë, shiko ku është Palestina. Tani po ju them unë sot në vjeshtë, shikojeni ku është Palestina. Një vend që nuk është shkatërruar nga Izraeli. Është shkatërruar nga klasa e vetë politike dhe nga pengmarrësit e vetë. Izraeli i përdor raketat për të mbrojtur popullin e vetë. Hamasi përdor popullin e vetë, për të mbrojtur raketat sot. Ky është ndryshim fondamental dhe prandaj unë jam i bindur që e mira e madhe e Kosovës, është jo që të ulet në tavolinë, po e mira e madhe e Kosovës është ta firmosi unilateralisht dhe ta ekzekutojë unilateralisht të gjithë marrëveshjen, edhe sikur Serbia të mos ta dojë kurrë e pastaj t’ia lërë në dorë Bashkimit Europian, t’i thotë: Këto ishin obligimet e planit franko-gjerman për ne? Ne i kemi dokumente dhe ne do t’i zbatojmë. As na intereson fare se çfarë bën Serbia. Mjafton që në Bashkimin Europian të hyjmë në një proces ku njohja reciproke me vendet mosnjohëse të Bashkimit Europian të fillojë të funksionojë, sepse e bën për veten e vetë. Paqja bëhet për vete, nuk bëhet për t’i shërbyer armikut dhe paqja bëhet me armikun, nuk bëhet me mikun. Dhe për të bërë paqe me armikun, duhet të flasësh me armikun, nuk duhet të flasësh në telefon me mikun që t’i thotë armikut dhe është e tmerrshme të mendosh që ky është një oportunitet i artë në tavolinë që Kosova ka në krah të gjithë aleatët që duhet të ketë, çlirimtarët dhe njohësit e saj dhe që të mbytet në një lugë ujë me çfarë thotë, çfarë nuk thotë, çfarë bën, çfarë nuk bën presidenti i Serbisë. Kosova duhet të veprojë e pavarur nga Serbia komplet, komplet dhe duhet t’i dedikohet rrugës së vetë europiane duke u sjellë si një tjetër Europë në Ballkan, bashkë me Shqipërinë.

Këto që tha presidenti, këto nuk janë kushte. Këto nuk janë kushte! Nuk janë kushte që i vë Bashkimi Europian. Këto janë mundësi themeltare për ta çuar përpara procesin e paqes. S’janë kushte. Për mua, as nuk diskutohet që Shqipëria do të vazhdojë të mbajë këtë flamur të paqes, të dialogut dhe të veprimit proaktiv në funksion të paqes, pa u kapur se çfarë bëri ai tjetri. Të gjitha ato që lidhen me çfarë ndodhi në veriun e Kosovës i kemi thënë dhe i përsëris: E papranueshme, e pajustifikueshme, e dënueshme. Zija kombëtare në Beograd, për mua ishte një skandal antieuropian që të shpallësh ditë zie kombëtare për tre kriminelë që vranë një polic dhe që u asgjësuan nga forcat e sigurisë, por ama kjo nuk mund të jetë një arsye për të frenuar procesin, ndërkohë që duhet bërë hetimi, ndërkohë që Bashkimi Europian duhet të bëjë detyrën e vetë, ta ndjekë, ta shohë, ta vlerësojë, ta ndëshkojë nëse dalin të gjitha provat e nevojshme për implikim të drejtpërdrejtë apo jo të drejtpërdrejtë të Beogradit. Në ndërkohë paqja i intereson Kosovës. Mua më rrëqethet mishi kur mendoj që mund të ketë rindalesë në procesin e liberalizimit të vizave, por në anën tjetër nuk duhet të rrimë ta kërkojmë te Presidenti i Francës. Duhet ta kërkojmë te vetja dhe duhet ta bëjmë ne paqen, duhet ta bëjë Kosova pjesën e vetë dhe pastaj le t’ia lerë Serbinë në dorë Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara që janë aleatë strategjikë që të merren me të, por jo i ka marrë të gjithë sytë e miqve mbi vete dhe i jep miqve dhe aleatëve çdo javë argumente që të mërziten, që të zhgënjehen, që të humbasin besimin, që të humbasin respektin.

Kjo mund të ketë një kosto që sot ne nuk e llogarisim dot. Qëndrimi im është i njohur edhe nuk ndryshon për asnjë arsye. Shqipëria bedel i politikave të ditës, të çdo faktori shqiptar jashtë kufijve të Shqipërisë, nuk bëhet. Shqipëria do të udhëheqë dhe do të mbështesë një proces europianizimi jo me fjalë, por me vepra të të gjithë faktorit shqiptar dhe çdo shfaqje jo europiane, s’ka lidhje me ne. Faleminderit!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:29
Franca lë pezull procesin e vizave për Kosovën, Basha: Penalizimi i qytetarëve të Kosovës s'është rruga e duhur! Europa të mos mbyllë sytë përballë Serbisë

1697549939_autoLulzimBashaoki15008107871.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të Presidentit Emanuel Macron në Tiranë i cili tha se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet pezull nga ana e Francës, duke e lënë të hapur çështjen pasi sipas tij nuk ka mbajtur premtimet për dialog me Serbinë. Për Bashën penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog.

"Penalizimi i qytetarëve të Kosovës nuk është rruga e duhur për të sjellë palët në dialog e as për ti dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë. Europa nuk mund të vazhdojë të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur me 24 shtator dhe as të mbyllë sytë përballë përgjegjësisë së Serbisë, presidenti i të cilës sfidon hapur, duke refuzuar sanksionet ndaj Rusisë dhe duke u shfaqur në krah të Vladimir Putin.

Skenarët për destabilizimin e gjithë rajonit janë para syve të çdokujt, ndaj është i domosdoshëmi angazhim maksimal Euro-Atlantik në dialogun Kosovë-Serbi, për zbatimin e planit Franko-Gjerman dhe përmbylljen me një marreveshje që ka në qendër njohjen reciproke. Si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe Europë tani është koha që 4 vendet e mbetura të NATO-s ti hapin rrugë anëtarësimit të Kosovës në Aleancë duke nisur me përfshirjen në Partneritetin për Paqe", tha Basha.

Ora 14:56
Franca lë pezull procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, Berisha: Prisja që presidenti francez të sanksiononte Serbinë

 

Ish kryeministri Sali Berisha ka folur për lajmin e dhënë për gazetaren e Report Tv, Danjela Malokun ku Macron njoftoi pezullimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Berisha tha se priste që presidenti francez të sanksiononte Serbinë.

‘Prisja që Macron të njoftonte sanksione ndaj Serbisë por politika e sanksionimit të viktimës nuk mendoj se është një politikë që mund t’i shërbejë avancimit të problemit. Ballkani ky është. Sanksione, ai që kryen një agresion, ai që kryen akt terrorist, stërvit terrorist, i pajis me mjete ushtarake dhe nuk i ka dënuar... Nëse duam të zgjidhim problemin duhet t’i zgjidhim me mend. Kosova ka kriminalitet shumë të ulët.’- tha Berisha.

SI.E./B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Grupi: 17/10/2023 23:04

    Cfare prisnin juve? Franca historikisht ka mbeshtetur serbet dhe greket. Megjithate te presim cfare do thone gjermanet. Nese dhe gjermanet bijen dakrt me kere padrejtesi atehere Kurti duhet te largohet. Kaq eshte!

    Përgjigju
  • populli: 17/10/2023 15:14

    pervers plere qe je mor ditezi !

    Përgjigju
  • pezullimi: 17/10/2023 12:56

    po pse nuk ia pezullon vizat dhe serbise apo e ka ne zemer franca..ca masash keni marre ndaj serbise?

    Përgjigju
    • Tirona: 17/10/2023 15:56

      O më miko ti e di që Franca 1 vlla e motër ka në Botë ene ajo ësht Serbia.Armiku nr 1 ,shteti më anti shqiptar bë Botë Franca ësht e mas tyne vijn klysht e saj Serbi,Greqi e me rradhë

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë

Spahiu: Qeveria teknike e 2017 kishte 10 ministra nga PD por humbi 10 herë më thellë