Gazetari Osman Stafa ka kallëzuar në Polici se ka marrë një mesazh kërcënues në llogarinë e tij në rrjetet sociale.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se mesazhi është dërguar nga një llogari false. Blutë kanë nisur punën për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Ndërkohë që materialet janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja” ngjarjen e dënoi edhe Partia Demokratike duke bërë thirrje për zbardhjen urgjente të rastit. 

 “Kjo ngjarje është pjesë e një klime gjithnjë e më armiqësore ndaj fjalës së lirë, të krijuar nga një qeveri që i përgjigjet denoncimit me presion, intimidim dhe frikësim. Kur gazetarët kërcënohen sepse dokumentojnë sjelljen e policisë, synimi është i qartë: të heshtet media, të fshihen abuzimet dhe qytetarët të privohen nga e drejta për të ditur të vërtetën” tha zëdhënësja e kësaj force Floriana Garo

Edhe Partia e Lirisë  bëri një reagim për ngjarjen duke kërkuar që autorët e kërcënimit të dalin para drejtësisë. Në një deklaratë për shtyp, Tedi Blushi tha se përgjegjësia bie mbi 'terrorrin e pashembullt të Edi Ramës ndaj gazetarëve'. 

Autorët e këtij kërcënimi duhet të përballen pa vonesë me drejtësinë, por përgjegjësia politike për presionin dhe terrorin e pashembullt ndaj gazetarëve është e Edi Ramës, armikut të fjalës së lirë.

Ky krim shtetëror dëshmon edhe një herë klimën shumë të rëndë të intimidimit dhe sulmeve ndaj fjalës së lirë, si dhe cënimit flagrant të së drejtës së publikut për t’u informuar nga Edi Rama dhe Narkoregjimi. Kërkojmë një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe transparent, garantimin e sigurisë së jetës së gazetarit Osman Stafa, si dhe transparencë të plotë mbi veprimet e strukturave paramilitare të Narkopolicisë të dokumentuara në pamjet e publikuara gjatë protestës" tha Blushi në deklaratën e tij. 

Njoftimi i Policisë:

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas kallëzimit të shtetasit O. S., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në një rrjet social.

Mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Në kuadër të veprimeve hetimore po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal.

Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.

Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve dhe, në veçanti, sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre, duke reaguar ndaj çdo forme kërcënimi, intimidimi apo presioni që cenon sigurinë dhe lirinë e tyre për të ushtruar profesionin.