Tre persona janë arrestuar në Shkodër për ushtrim të aktivitetit të kundërligjshëm në prodhimin e produkteve ushqimore, si dhe për kanosje ndaj dy personave (babë e bir), me qëllim përfitimin e pasurisë.
Të arrestuarit janë identifikuar si Elis Bala, Gëzim Bala, dhe Artan Bala.
Gjatë kontrolleve policia zbuloi se dy prej tyre Elis Bala dhe Gëzim Bala, prodhonin produkte ushqimore (bulmet, fruta, perime) pa miratimet përkatëse dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare. Sipas informacioneve biznesi ishte në emër të Elis Balës.
Aktiviteti u bllokua, ndërsa u sekuestruan etiketa dhe stampa për 8 produkte ushqimore, si dhe 3 telefona celularë.
Njoftimi i policisë:
Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i një pune të mirëorganizuar, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Produkti”.
Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga shtetasit:
G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), dhe A. B., 61 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Këta shtetas dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur për motive të dobëta 2 shtetas (babë e bir), me qëllim përfitimin e pasurisë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në aktivitetin tregtar të shtetasve G. B. dhe E. B., është konstatuar se këta të fundit prodhonin produkte ushqimore të pamiratuara nga autoritetet përkatëse, si dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare për ushtrimin e këtij aktiviteti.
Në vijim të veprimeve procedurale u bë bllokimi i ushtrimit të aktivitetit dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, etiketa dhe stampa për 8 produkte të ndryshme ushqimore, si dhe 3 aparate celularë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale:
“Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajm ne perditesim...
Komente








