HDZ-Hrvatska Demokratska Zajednica-alias Lidhja Demokratike e Kroacisë është forca politike ikonike pas rrëzimit të Murit të Berlinit në vendin e saj.

Është partia e parë antikomuniste e vendit, si PD-ja jonë. Është partia e parë që fitoi zgjedhjet e para pluraliste të vendit, si PD-ja jonë. Është partia që udhëhoqi luftën për pavarësi të vendit dhe që pati lider të saj një figurë epike; partizan antifashist, dissident antikomunist, e më pas lider politik i qendrës së djathtë që pavarësoi Kroacinë, pas një politike të vrullshme kontraversale, por në fund të suksesshme. Autoritar dhe popullor, gjenerali me doktoraturë si historian pasi i dha vendit të tij pavarësiinë dhe e atashoi në Perëndim dhe partisë së tij lavdisë, u nda nga jeta më 10 dhjetor 1999.

Modeli kroat i HDZ-së është shembulli i kundërt se ikja e një figure aq të fuqishme e popullore mund të bllokojë politikën me hijen e tij.

Pas Tugjmanit, HDZ jo vetëm nuk u rrudh, ç’ka ndodh në lëvizjet ku gropa që hap një lider autoritar nuk mbyllet, por vijon të jetë dhe sot e kësaj dite fuqia politike dhe qeverisëse e vendit.

Duke kaluar pengesa dhe hendeqe nga më të mëdhatë, drama nga më të rëndat, përplasje nga më të fortat. Por, modeli politik i vizionin mbi personin ka krijuar një model suksesi në rajonin tonë.

HDZ është partia e të famshmit Ivo Sanader, ish-kryeministrit kroat, i cili hapi i pari në Ballkanin tonë, siparin e mbylljes së pandëshkueshmërisë si pasojë e veprimit të një prokurorie speciale. USOK quhet SPAK-u kroat që arrestoi Ivo Sanaderin, liderin popullor të HDZ-së, i cili pas Franjo Tugjmanit ishte i pari që fitoi dy mandate rresht në zgjedhjet parlamentare të vendit të tij.

Drama e Sanaderit ishte goditje e madhe për partinë e parë antikomuniste kroate, por reagimi i parë i saj qe i fortë. Menjëherë solli në krye të partisë një grua, ministre të Sanaderit. Jadranka Kosor, e cila çoi partinë në një fazë të re. Si të vinte në krye të PD-së, Majlinda Bregu që ishte ministre e Sali Berishës.

Pas Kosorit, HDZ zgjodhi kryetarë Tomoslav Karamarkon, fitoi zgjedhjet presidenciale me Kolinda Grabar Kitaoviç, e më pas mori qeverinë me kryeministrin Andrej Plenkoviç, i cili është edhe sot e kësaj dite kryeministër i vendit me 2 mandate, me gjasë për të marrë të tretin.

Kroacia natyrisht është një vend me tjetër standard, me tjetër nivel, jo më kot është pranuar në BE në 2012. Në të gjitha treguesit është mjaft më mirë se vendet e Ballkanit Perëndimor, e pikërisht për këtë mund të shërbejë si model, si një busull politike pse jo qoftë për të majtën e qoftë për të djathtën. Ku në të gjitha nivelet është më mirë/ TemA