Qeveria ka vendosur që të mbyllë një tjetër institucion arsimor të themeluar nga organizata e Gylen. Bëhet fjalë për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, pas 26 vitesh funksionim dhe vetëm 10 ditë pas nisjes së vitit shkollor.

Në vendim nuk jepet shkaku i mbylljes së këtij gjimnazi privat, por detyron fondacionin “Gulistan” që të paguajë të gjitha detyrimet për nxënësit që do të transferojnë programin mësimor. Vendimi detyron drejtorinë arsimore të ngrejë grup pune brenda 3 ditësh për të mbyllur shkollën private si dhe të kujdeset për transferimin e nxënësve në shkolla të tjera.

Po ashtu, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, fondacioni ka për detyrë të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, të kthejë pagesat e kryera nga prindërit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit. 

Në vendimin e Këshillit të Ministrave theksohet se institucioni arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy” ka këto detyrime:

  • a) Të pajisë çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
  • b) Të mbulojë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
  • c) Të kthejë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;
  • ç) Të vërë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;
  • d) Të dorëzojë në Arkivin Shtetëror Vendor të gjithë dokumentacionin që disponon, si dhe të paraqesë në institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

Gjithashtu institucioni arsimor vendor ka për detyrë:

  • a) të ngrejë grup pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”;
  • b) të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këtë institucion arsimor;
  • c) të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga ky institucion arsimor privat parauniversitar.

Kujtojmë se mbyllja e insititucioneve arsimore të themeluar nga organizata e Gylen ka qenë edhe kërkesë e Erdogan ndaj qeverisë.