Kërkesa e Leskaj për përkujtimin e viktimave të komunizmit ndez debat në Kuvend! Alizoti: Po të mos ishte Partia Punës ti dhe Olsi do shpërndanit çadra! Rama: Enver Hoxha u ngjall përmes jush

Kërkesa e Leskaj për përkujtimin e viktimave të komunizmit ndez debat në Kuvend! Alizoti: Po të mos ishte Partia Punës ti dhe Olsi do shpërndanit çadra! Rama: Enver Hoxha u ngjall përmes jush

Qafa e Barit dhe burgu i Spacit

TIRANË- Përvjetori i Revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit solli debate të ashpra në Kuvend mes opozitës dhe kryeministrit Edi Rama. Ishte deputeti demokrat Bujar Leskaj i cili ngriti në Kuvend përvjetorin e dy revoltave dhe u bëri thirrje të gjithë deputetëve t’i bashkohen, duke thënë se data 21 maj ose 22 maj duhet të jetë dita e qëndresës dhe se në vendin tonë nuk i është dhënë rëndësia që meriton.

“Besoj se ju të gjithë bashkoheni me mua, data 21 maj ose 22 maj duhet të jetë dita e qëndresës anti-komunizëm. Me një VKM të vitit 2006 kjo ditë quhet ditë e qëndresës historike të viktimave së komunizmit. Fatkeqësisht në vendin tonë nuk i është dhënë ai vend që meriton”, tha Leskaj.

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit Edi Rama i cili tha se ata donin një Shqipëri ku e drejta e pronës të ishte e garantuar, por PD kur ishte në pushtet e shkatërroi atë të drejtë. Rama i tha Leskajt se fillimisht duhet të lajë gojën dhe më pas të flasë për ata që dhanë jetën.

Një ndërhyrje pati edhe deputeti demokrat Tomorr Alizoti, i cili më pas ndezi debate të shpara. Alizoi i tha Ramës se të mos ishte për Partinë e Punës, ai dhe vëllai Olsi Rama do shpërndanin çadra në Dhërmi. Alizoti tha se kur ai jetonte në kasolle i internuar, Rama ishte në mes të Tiranës duke gëzuar privilegjet e partisë së punës. Rama iu përgjigj se një nga të këqijat më të mëdha që la komunizmi, është se sot edhe antikomunistët flasin njëlloj si komunistët.

Enkelejd Alibeaj i tha Ramës se Alizoti e ka kaluar jetën burgjeve dhe nëse do të ndjente diçka për të do e lartësonte, por askush nuk po i kërkon që të mbajë përgjegjësi se çfarë kanë bërë të parët e tij. Kryeministri iu përgjigj se Enver Hoxha është gjallë përmes partisë Demokratike.

Në vazhdën e këtyre debateve, vëmendje mori edhe ‘non grata’ ku Alibeaj i tha Ramës që fillimisht duhet të shohë ‘non gratat e PS-së’, kur përmend gjithë kohën atë të PD-së. Rama i kërkoi t’i tregojë se cili është ‘non grata’ nga grupi parlamentar i PS-së.

21 maji shënon 49 vjetorin e revoltës së Spaçit. Në vitin 1973 regjimi komunist pushkatoi katër të dënuar politik: Skënder Dajën, 21 vjeç nga Fieri, Dervish Bejkon nga Pogradeci 24 vjeç, Palë Zefin, 30 vjeç nga Durrësi, Hajre Pashain, 32 vjeç nga Mallakastra. Nga ana tjetër 22 maji shënon 38 vjetorin i revoltës së Qafë Barit. Në vitin 1984 u vranë Sokol Sokoli, 32 vjeç nga Tropoja, Tom Ndoja, 32 vjeç nga Shkodra, dhe Sandër Sokoli.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:30
Alibeaj-Ramës: Shiko non gratat e tu! Përgjigjet kryeministri: M’i trego ku janë

TIRANË- Përpos debateve për komunizmin në kreu i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj i tha kryeministrit Edi Rama të shikojë non gratat e tij, duke iu referuar kështu sulmeve të Ramës për Berishën. Duke e cilësuar Ramën si ‘monument më i lartë i komunizmit në vendin tonë’, Alibeaj i tha Ramës se ka ardhur koha që mbeturinat e komunizmit të largohen.

“Thjesht për simetri logjike dhe për të qenë i ndershëm do i shihni non grata e tu. Lexo njoftimin e DASH, kjo di të ishte fisnikëri politike, kjo do të tregonte ty pro perëndimorin. Ti që parashikon shumë gjëra që ndodhin në të ardhme, e ke të shkruara në raportin e DASH. Pse s’të vjen mirë. Nuk ti përmenda me emër se e kam aq edukatë, vetëm për faktin që fatkeqësisht je ulur në atë vend, mund të jesh jo kaq hipokrit e i dhunshëm. Nuk e kam fjalën për nostalgjiket që s’të bëjnë asnjë lloj përshtypje plagët e diktaturës janë ende të gjalla, prandaj ka ardhur koha që mbeturinat e komunizmit të largohen nga salla, bashkë me to edhe ti, ti je monumenti më i lartë komunizmit në këtë vend”, u shpreh Alibeaj.

Rama i kërkoi Alibeajt t’i tregojë ku janë non gratat e Partisë Socialiste, ndërsa e pyeti nëse do që t’i tregojë se ka PD non grata në mes të sheshit.

”Ma trego në grupin paralamentrar të PS kush është non grata. Sepse provove atë që të thash unë, njësoj siç mësonte shoku Enver dhe partia e non gratës tuaj, shko te djali kërko llogarinë për babanë, dil te nipi kërko llogari për dajën. Kë ke non grata? Do ta kujtoj unë se kë keni non grata në mes të sheshit”, tha Rama.

Ora 20:16
Rama i përgjigjet Alibeajt: Sa për tim atë, ju përthyeni kërbishten kur shkoni atje! Enver Hoxha është gjallë përmes jush

 

Kryeministtri Edi Rama i ka kthyer përgjigje Enkelejd Alibeaj, i cili i kujtoi të parët e tij, teksa tha se plagët e diktaturës janë të gjalla.

Enkelejd Alibeaj: Nuk e di pse kur flitet për çështje kaq delikate fillon acarohesh, askush nuk thotë se duhet ët mabsh përgjegjësi se çfarë kanë bërë të parët e tu, por je kryeministër i vendit dhe vetëm për këtë arsye, për të qenë demokrat i besueshëm, të paktën një gjë duhej ta bëjë. Një shkrim nga 93’ Bedri Spahiu, i vetmi në atë kohë që pati një lloj... Ulu se skam mbaruar, ulu (ngrihet Rama) mirë rri në këmbë. Te di që ai gjithë jetën e vet e ka kaluar burgjeve. Do të lartësonte nëse realisht do ndjeje diçka. Askush nuk të thotë të mbash përgjegjësi se çfarë kanë bërë të parët e tua. Thjesht për simetri logjike dhe për të qenë i ndershëm do i shihni non grata e tu. Lexo njoftimin e DASH , kjo di të ishte fisnikëri politike , kjo do të tregonte ty pro perëndimorin. Ti dhe kushdo tjetër, edh ene për ata që s’kemi bërë, kemi një borxh ndaj atyre njerëzve, të parëve të atyre ikën, jo tua themi lart e poshtë që u kemi bërë nder, duhet të tregosh ndjesinë njerëzore për të mos e politikuzar. Ty të dalin me yll të kuq e ti nuk pipëtin.

Edi Rama: Nëse e ke me tim at, ai është përpara e veprës së të cilit, ku të gjithë ju shkoni dhe përthyni kërbishten, ai është im atë. Nëse e ke me gjyshërit, merr lexo kush ishin dhe ashtu me stërgjyshit, unë në Bllok nuk kam jetuar kurrë, e kam pasur shpinë te rruga Muhamet Gjollesha pallati 18, kam pasur një shtëpi si të gjithë të tjera, ai nuk ka qenë anëtar i Komitetit Qendror, sic tha i që ka lëshuar me pëllumba e sorra që ka pasur, dhe nuk ka asnjë problem me atë që më thoni ju mua, përveç një gjëje, përveç faktit që jeni shembull i keq i ideologjisë së Enver Hoxhës, ai është gjallë vetëm përmes jush, mënyrën se si ju e sulmoni kundërshtarin me ndryshimin që ju nuk keni fuqinë që kishte ai  që në fund të fuste plumbin ose në burg, unë nuk pres respektin e asnjërit prej jush, se më mjafton dhe më tepron respekti që kam pasur nga ata që kur dolën nga burgu pas shumë e shumë vitesh, se tani kanë ndërruar jetë, ato ishin komplet e kundërta e juaj se ishin e kundërta e Enver Hoxhës. Ajo parti shumë prej jush ju bëri prej vetes, futi urrejtjen për tjetrin dhe kompleksin e inferioritetin dhe kjo nuk është koha e Enver Hoxhës dhe kundërshtari nuk përballet me këto argumente, se ju u rritët në vatrën e një sekretari të partisë së Hpxhës, që e mori PD pikërisht se ishte nxënës i Enver Hoxhës dhe gjithçka që bëri ishte rezultati faktit që ishte sekretar dhe iu mësoi juve si veten, që shani njësoj dhe nuk dalloni nga njëri tjetri, nuk dua falenderime nga ty, por nga asnjë rast nuk fola për ndere, e kam unë për nder, jo të ma dish ti, por e kam unë për nder që PS ka bërë ato gjëra në respekt të atyre njerëzve që ju nuk i bëtë kurrë, sepse jeni udhëhequr nga një bolshevik, nga dikush që është më i ziu i të zinjve, nuk ka njeri më të zi se komunisti anti-komunist, dhe ju nuk kishit cbënit tjetër përveç të imitonit atë dhe sepse përtej tij, ju nuk keni asnjë kuptim ardhmërie. Ju u demaskuat me ato konventa e Kuvende, të gjithë duke vjedhur vota, dhe aty te votat që ia vodhët njëri tjetrit sikur ishin kecat e Leskos që ia hedh eshtrat në lum, kemi bërë sa kemi mundur, dhe tani na lexoni gjithë ato emra dhe na thoni hajde t'i kujtojmë dhe prandaj u cova erdha u bashkova me ty për ata, por ndahem me ty që je hipokrit që nga njëra anë qan për të pëndjekut, naga ana tjetër ngren flamurin e 'Non Gratës'. Nuk jemi në tavolinë duke ngrënë kec, ulu uli se s'po pi raki me kërmë këtu. Sa i përket atyre që the që janë disa që dalin me ujë, po ca problemi ke me ata, ata janë një grup që jeton në antikitet, po ti e ke pasur në mes të oborrit të partisë tënde dhe i bëje temena, ato janë viktima që nuk më bëjnë përshtypje, po ju jeni vazhdimi i asaj mënyre për të bërë politik me kundërshtarin. Ju jeni njësoj sic do ju donte hasmi.

Ora 20:10
Tomor Alizoti-Ramës: Po të mos ishte Partia e Punës ti dhe Olsi do shpërndanit çadra në Dhërmi, ndërsa ne fisnikët do drejtonim Shqipërinë! Përgjigjet kryeministri

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti kërkoi që PS të shkëputet nga krimet e komunizmit. Alizoti tha se PS duhet të kishte nderuar figurat e kryengritjes më të ashpër ndaj diktaturës, asaj të Qafë-Barit.

Ai tha se kur vetë jetonte në kasolle i internuar, Rama ishte në mes të Tiranës, ndërsa u shpreh se Rama ka pasur privilegjet e Partisë së Punës, ndërsa mori duartrokitjet e deputetëve demokratë.

“Kur unë jetoja në kasolle ju ishit në mes të Tiranës. Jo se kishit faj. Shqipëria duhet ti respektonte, Pal Sokolin…Po të mos ishte partia e punës ju dhe Olsi do shpërndanit çadra në Dhërmi dhe Vuno. Ju të paktën duhet për dy fisnikë që sfiduan diktaturën, ti nderonit. Sepse kjo parti e majtë është pronë kombëtare duhet të shkëputet nga krimet e komunizmit, por edhe arroganca juaj. Kjo arroganca juaj ndonjëherë ju bën edhe injorant. Refuzoj që t’ju dëgjoj, dhe do iki të pi një kafe për qefin tim.”, tha Alizoti.

Kryeministri Edi Rama ka replikuar duke i thënë se një nga të këqijat më të mëdha që la komunizmi, është se sot edhe antikomunistët flasin njëlloj si komunistët. Rama theksoi se kur ai dhe Ardian Klosi kërkuan rishikimin e Enver Hoxhës dhe lirimin e të burgosurve politikë, Berisha tha ata që kërkojnë lirimin e burgosurve nuk meritojnë të jenë në PD, pasi kërkojnë lirimin e llumit të shoqërisë.

“Iku zoti Tomorr se këtë bën gjithmonë, por një nga gjërat që komunizmi bëri për fat të keq, është se i bëri si veten edhe anti-komunistët. Të shash tjetrin dhe të merresh me tjetrin kurrë tjetri merret me argumentin është mungesë argumenti. Të thuash që ne na vratë ju, është njësoj siç thonin komunistët për ata që vranë. Ndryshimi është se sot nuk është mundësia për të marrë hak për të vrarë, se në mos Alizoti do gjente një tjetër për të bërë të njëjtën gjë. Ndërsa faktet nuk lëvizin janë aty. Unë do ta dëgjoja me vëmendje dhe me më shumë respekt dikë që minimalisht do ta kishte jetën e vet politike në koherencë me atë të kaluar të cilën e sjell për ta pasuruar personazhin e vet politik, por kjo koherencë nuk ekziston.

Atë i thashë zotit Leskaj këtë do i thoja dhe Alizoti. Nuk është askush i detyruar të jetë hero, heronjtë janë të rrallë, ashtu sikundër askush nuk mban përgjegjësi nga vjen, dhe askujt nuk i ngarkohet përgjegjësi për nga vjen. Këtë bënë komunistët këtë bën dhe Alizoti, kur thotë se ne aristokratët do ishim ku do ishim dhe ju të tjerët do shpërndanit çadra, për cilën arsye. Unë di që kur unë sëbashku me Ardian Klosin mblodhëm firmat për të parin peticion të nënshkruar në Shqipëri, që të rishikohej figura e Enver Hoxhës dhe të liroheshin të burgosurit politikë, 1 kopje e çuam ke presidenca, tjetër tek Rilindja Demokratike, RD nuk e publikoi.

A ka ditë më pas kur u përplasa me non-gratën, më tha se ju nuk mund të vini në partinë tonë se ju doni të nxirrni rrugëve llumin e shoqërisë që janë të burgosurit politikë. Dhe RD nuk e publikoni se të burgosurit politikë ishin llumi. Ai zotëria që iku duhet të dijë se në këtë sallë vetëm një ka qenë sekretar i Enver Hoxhës. Çfarë poezie më reciton kur ti mban të vdekurin në krah”, tha Rama.

Ora 19:54
Leskaj përkujton të vrarët në revoltën e Spaçit dhe Qafë Barit, Rama: Dosjet e sigurimit të shtetit i hapëm ne! Laj gojën kur t’ju përmendësh emrat

 

Deputeti demokrat Bujar Leskaj ka përkujtuar Revoltën e Qafë Barit dhe Revoltën e Spaçit.

“Sot është një datë të cilën duhet ta përkujtojmë Dy janë ngjarjet që dëshmojnë se edhe në vitet e diktaturës kishte revolta dhe qëndrestarë. Kujtoj revoltën e Spaçit është 49 vjetori i saj dhe 38 vjetori i Revoltës së Qafë Barit. Ky përkujtim i imi ishte veracion për ta dhe besoj ju të gjithë jeni në një mendje”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama ka replikuar duke i thënë se fillimisht duhet të lajë gojën dhe më pas të flasë për ata që dhanë jetën.

“Meqë zoti Leskaj bëri thirrje të bashkohem me të , ndaj e mora fjalën të bashkohem me të dhe të ndahem. Të bashkohem në respekt të emrave që përmendi dhe të ndahem pasi gjithë vëmendjen e tyre që janë të paharruar humbet çdo kuptim kur ata që i përmendin nuk jetojnë me idealet , parimet qëllimet dhe shembullin e tyre. Ju flisni këtu për ata, por ata donin një Shqipëri ku e drejta e pronës ishte e garantuar, ju përfaqësoni këtu partinë që e shkatërroi të drejtën e pronës. Ata donin një Shqipëri që të mos ishin si këmbët e dhisë, ju nuk patët kurajon të hapnit dosjen e sigurimit të shtetit të cilët i hapëm ne. Ju i mbajtët mbyllur. Ata luftuan për një Shqipëri të drejtë, ju duhet të bëni edhe një listë të atyre që vdiqën ën demokraci dhe nuk morën asnjë lek shpërblim nga ju. Ata donin një Shqipëri të orientuar nga Perëndimi dhe jo nga Lindja dhe ju sot përfaqësoni palën antiamerikane në krahun tuaj dhe jeni krenar në krah të atij që e ngritët si flamur dhe në vend të logos së PD ka damkën e DASH dhe si i korruptuar domethënës dhe kur mendoj të gjitha këto se si më duket që ju rreshtoni emra të vdekurish në ferrin e komunizmi dhe na kërkoni të bashkoheni, jo bashkohuni ju me ta. Kështu laje mirë njëherë gojën për të gjitha ato që ke thënë në mbështetje të atij flamuri të rreckosur dhe pastaj flisni për ata që dhanë jetën”, tha Rama.

Leskaj iu përgjigj sërish. 

“Kryeministër nuk fola për të vdekur të zakonshëm fola për heronj i përmenda ato emra dhe do i përmend gjithmonë, detyrimi moral është i gjithëve. Janë heronj nuk janë vdekatarë të zakonshëm, jeni ju, jemi ne që do ikim po lënë gjurmë nga kjo jetë. Heronjtë e vërtete të anti-komunizmit janë ata”, iu përgjigj Leskaj.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë