Kërkesa e PD-së për heqjen e
mandatit, Ylli: Shashkë politike

Kërkesa e PD-së për heqjen e <br />mandatit, Ylli: Shashkë politike
TIRANE - Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë dorëzuar një kërkesë në Kuvend, ku i kërkohet heqja e mandatit të deputetit të Partisë Socialiste, Fidel Ylli. Lajmi bëhet i ditur nga burime brenda Partisë Demokratike, të cilat konfirmojnë se kjo kërkesë është protokolluar mesditën e sotme në Kuvend.

Deputetët e PD-së i kërkojnë Kuvendit që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë çështje, të cilën e konsiderojnë si shkelje flagrante të nenit 70 të Kushtetutës nga ana e deputetit socialist Fidel Ylli.

Sipas deputetëve të PD-së, Fidel Ylli ka rezultuar të jetë ortaku i vetëm i një radioje në dhjetor të vitit 2009, ndërkohë që ai ishte shpallur deputet me vendim të KQZ-së në gusht të po këtij viti.

Duke qenë se frekuencat e radiove dhe televizioneve janë pasuri publike, demokratët sjellin në vëmendje pikërisht këtë nen të Kushtetutës që thotë se deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse, që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre.

Sipas demokratëve pas katër muajve në shkelje të hapur me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, zoti Ylli rezulton të ketë bërë një shitje fiktive të radios, duke e kaluar atë në pronësi të së motrës, në fund të dhjetorit 2009.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetit të Partisë Socialiste, Fidel Ylli. Në një lidhje telefonike për A1 Report, Fidel Ylli theksoi se kërkesa për heqjen e mandatit është një luftë politike, që sipas tij PD e ka humbur pa e filluar.

Deputeti i PS-së, Fidel Ylli deklaron se këto janë “shashka që PD i hedh sa për të bërë zhurmë”, por shprehet i bindur që figurën e tij nuk e dëmtojnë dot sepse është brenda rregullave.

“Kjo është një luftë politike që e kanë të humbur të pafilluar. Hedhin shashka për të bërë zhurmë. Nuk më prish asnjë lloj pune. Pema që ka kokrra do gjuhet por nuk ka ç’të më bëjë as Sali Berisha, as grupi i deputetëve të PD-së, as Qeveria sepse unë jam brenda rregullave dhe ligjit. Nuk kam bërë asnjë lloj shkelje”, deklaroi Fidel Ylli për A1 Report.

Me tej deputeti socialist sqaroi rastin në fjalë dhe shpjegoi se ka pasur një radio lokale vetëm me muzikë. Fidel Ylli thekson se ka qenë pronar dhe jo administrator i radios, duke qenë brenda ligjit për të kandiduar si deputet. Fidel Ylli sqaron se për shkak të gjobave është detyruar ta shesë radion.

“E kam deklaruar se jam pronar i një radioje lokale por nuk kam qenë asnjëherë administrator i radios, sepse nuk e lejonte ligji që unë të bëhesha deputet. Unë kam bërë kërkesë për të rinovuar licencën dhe institucioni i ILDKP-së ka sqaruar se nuk isha në konflikt interesi. Ajo ka qenë një radio lokale që merrej vetëm me muzikë dhe më vonë e kam shitur atë pjesë që kisha, sepse as interes nuk kisha. Të merresh me një qeveri banditësh, t’i bën një biznes brenda rregulla ata vinë të sulmojnë dhe të vënë gjoba, prandaj unë hoqa dorë. Ata nuk kanë ç’të më bëjnë sepse jam brenda rregullave”, tha Ylli.

YLLI: MBESHTES RAMEN PER PROGRAMIN “RILINDJA”

Pyetjes se “po të sulmojnë sepse je miku i kreu të PS-së, Edi Ramës, Fidel Ylli u shpreh se e mbështet Ramën për programin e tij “Rilindje”, pasi ky program do të ndryshojë jetën e shqiptarëve.

“Nuk ka rëndësi se miku i kujt jam, sepse miqtë shkojnë e vijnë. Mbështes Ramën për programin e “Rilindjes shqiptare" që do të ndryshojë jetën e shqiptarëve. Ata janë xhelozë sepse drafti i programit të sportit i ka bërë keq dhe nuk kanë përgjigje për të dhënë, por na hedhin shashka për lëvizje mbarëkombëtare të sportit. Këtyre nuk u ka ardhur në mend sporti”, përfundoi Fidel Ylli.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Barcelona kërkon ta largojë, Xavi i hutuar: Unë s'di asgjë

Barcelona kërkon ta largojë, Xavi i hutuar: Unë s'di asgjë