Policia greke ka arrestuar mëngjesin e sotëm 32-vjeçarin shqiptar Adriano Bushi, pas një operacioni të koordinuar me forcat speciale EKAM dhe strukturat e tjera të policisë. Ai u kap në një banesë ku qëndronte përkohësisht, në zonën e Ovryas në Patra.

Arrestimi u krye pasi ndaj Bushit ishte lëshuar një urdhër arresti nga Prokuroria e Shkallës së Parë të Akaisë. Ai akuzohet për tentativë vrasjeje me dashje, si edhe për shkelje të ligjit për armët dhe lëndët plasëse.

Sipas policisë greke, ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur më 7 prill 2026. Adriano Bushi, së bashku me tre persona të tjerë, kishte lënë një takim në rrugën Ryakiou, në zonën N. Souli të Patrës, me dy persona të tjerë, pas një konflikti që kishte nisur më herët mes tyre.

Sapo dy personat mbërritën në vendin e takimit, Bushi dhe një person ende i paidentifikuar dyshohet se hapën zjarr ndaj tyre me qëllim vrasjen. Si pasojë mbeti i plagosur Panagiotis Moraitis.

Sipas autoriteteve, Moraitis mori plagë nga plumbat në të dyja këmbët dhe pësoi edhe thyerje të kockës së fibulës në këmbën e majtë.

Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.