Aktorja e Teatrit Kombëtar Anila Bisha, imazhi dhe zëri i së cilës përdoret nga Ministrja virtuale Diella, ka ngritur një padi përmes së cilës kërkon që të dhënat e saj të mos përdoren më nga avatari qeveritar, duke pretenduar dhe një dëmshpërblim 1 milion euro për dëmtim imazhi. Bisha thotë se ajo kishte rënë dakort që zëri dhe figura e saj të përdoreshin vetëm për modelin e asistentit virtual të e-Albanias.
***
Telashe të reja në horizont për kryeministrin Edi Rama dhe kabinetin e tij. Pas zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, një tjetër anëtare e qeverisë rrezikon “pezullimin”. Këtë herë në telashe është përfshirë ministrja virtuale “Diella”.
Aktorja e Teatrit Kombëtar, Anila Bisha, imazhi dhe zëri i së cilës, janë përshtatur për avatarin qeveritar, ka depozituar një sigurim të kërkesëpadisë në Gjykatën Administrative ku si palë janë Këshilli i Ministrave, Kompania Apel shpk, AKSHI dhe kryeministri Edi Rama.
Deri në përfundimin e procesit gjyqësor, ajo kërkon që të dhënat e saj personale të mos përdoren më. Ndërsa në padinë që do të pasojë në Gjykatë, Bisha ka parashikuar si objekt, dhe një dëmshpërblim 1 milion euro, për dëmtim të imazhit, si rrjedhojë e përdorimit të pautorizuar të të dhënave personale. E jo vetëm kaq, Qeveria, Akshi dhe Kompania Apel do duhet të paguajnë dhe kamatat ligjore mbi vlerën e dëmit të shkaktuar, deri në ekzekutimin e vendimit.
Aktorja Bisha shprehet se ajo ka patur një kontratë që imazhi i saj të përdorej vetëm si asistente virtuale për shërbimet në e-Albania, dhe se shfaqja e Diellës si minister, është bërë pa miratimin e saj dhe në shkelje të kontratës.
Sipas sigurimit të kërkesëpadisë, të cilën Report TV e disponon, aktorja ka firmosur më 3 dhjetor të vitit 2024 një kontratë me shoqërinë “Apel” “Për përdorimin e imazhit, zërit dhe figurës së artistes Anila Bisha”.
“Në dispozitat kontraktore theksohet se përdorimi do të jetë ekskluzivisht për Asisitetin Virtual në portalin e-Albania, dhe do të ndalohen riprodhime të tjera pa miratimin e posaçëm nga pala e dytë”, thuhet në kërkesën për sigurim padie.
Në dokumentin dorëzuar në Gjykatën Admninistrative vihet në dukje se krijimi I avatarit të Ministres Diella është realizuar “pa marrë asnjë miratim paraprak të aktores Bisha për përdorimin e të dhënave, madje dhe pa e vënë atë në dijeni”.
Kur kryeministri e prezantoi Diellën për herë të parë në shtator 2025, aktorja thotë se është ndjerë tërësisht e befasuar kur ka konstatuar se avatari ishte ndërtuar sipas imazhit të saj.
Në dokument theksohet se në situatën e krijuar, aktores “i është sekuestruar çdo e dhënë personale (imazh e zë) që përbëjnë tiparet e jashtme identifikuese të saj, dhe, duke u përdorur në kundërshtim me ligjin, kanë krijuar një duplikat digjital të paditëses”.
Sigurimi i kërkesëpadisë ngre madje dhe shqetësimin për problemet që publiciteti i madh I Diellës, mund t’i krijojë Bishës dhe në profesionin e saj si aktore. "Realizimi i personazheve si pjesë e profesionit të saj do të ishte mjaft i vështirë, madje pothuajse i pamundur, kur imazhi i saj në public, njihet si imazhi i Diellës, ministres për Inteligjencën artificiale”, thuhet në kërkesën për sigurim padie.
Ajo kërkon, përmes një sigurimit të kërkesë padisë, që imazhi dhe zëri i saj që lidhet me avatarin e Ministres për Inteligjencën artificiale të mos përdoren, deri në përfundim të procesit gjyqësor.


Diella
Qeveria ka reaguar pas kallëzimit që aktorja Anila Bisha ka depozituar në Gjykatën Administrative të Tiranës, ku kërkon pezullimin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella.
Drejtoresha e Agjencisë për Median dhe Informimin, Manjola Hasa është shprehur se qeveria e sheh këtë si një të drejtë ligjore të ushtruar nga Bisha, por e konsiderojnë pretendimin e ngritur nga ajo si të pabazë.
Sipas saj, Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të ndjekin rrugët ligjore kundër qeverisë, ndërsa vlerësimi përfundimtar i takon gjykatës.
“Shqipëria është një vend i lirë dhe demokratik, ku qytetarët kanë të drejtë të mendojnë dhe të veprojnë përmes mekanizmave ligjorë kundër qeverisë. Në këndvështrimin tonë pretendimi s’ka asnjë bazë, por i mbetet gjykatës ta vendosë kush ka të drejtë”, u shpreh Hasa.
Komente












