Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, do të vijojë të qëndrojë në qeli. Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi të rrëzojë kërkesën e tij për zëvendësimin e masës “arrest me burg” me një masë tjetër alternative, edhe kundrejt garancisë pasurore. Vendimi u mor nga gjyqtarja Nertina Kosova, pas një seancë të gjatë këtë të martë që nisi në orën 11:00 dhe përfundoi në 15.30. Kryebashkiaku ishte vetë i pranishëm në seancë, së bashku me avokaten e caktuar nga gjykata, Valentina Teodoresku.

“Veliaj kërkoi të ndryshojë masën, meqë edhe Gjykata Kushtetuese u shpreh që të qëndrojë në detyrë", tha avokatja Valentina Teodoresku. 

SPAK u përfaqësua në seancë nga dy prokurorët, Altin Dumani dhe Olsi Dado, të cilët kërkuan rrëzimin e kërkesës së kryebashkiakut.

“Ata thanë se nuk ka ndryshuar asgjë, madje është rënduar pozita e tij. Ne sigurisht do ta ankimojmë edhe këtë vendim,", tha ajo. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ankimoi vendimin e 1 shkurtit të Etleva Dedës për vijimësinë e arrestit në burg. Ai kërkoi një masë më të butë, duke ofruar edhe garanci pasurore apo çdo masë tjetër veç asaj në fuqi. Kërkesa e tij u bë pas vendimit për kalimin e çështjes për gjykim, që sipas mbrojtjes nuk ka më mundësi të prishë provat. Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa vetëm pak javë më parë çështja kaloi për gjykim.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Shumica e akuzave lidhen me korrupsionin pasiv, të kryer në 9 raste, në raport me disa kompani, për të cilat SPAK thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme. Sipas akuzës, këto subjekte kanë marrë leje ndërtimi dhe kanë përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje të të ardhurave.