Prokurorët Altin Dumani dhe Klodian Braho gabuan kur e dërguan për gjykim ish kolegun e tyre, Aurel Zarkën dhe kërkuan dënim vetëm 4 vite burg, pasi duhet ta kishin akuzuar për grup të strukturuar kriminal.
Me këtë argumentim kryesor, GJKKO e Apelit e prishi dënimin në shkallë të parë për ish kryeprokurorin e Vlorës, i cili ishte i vetmi apelues dhe kërkonte pafajësi në shkallën e dytë të gjyqësorit. Ai do të vuante përfundimisht 2 vite e 8 muaj burg pas gjykimit të shkurtuar, i shpallur fajtor për ndikim të paligjshëm në disa raste në bashkëpunim, korrupsion pasiv e aktiv në disa raste në bashkëpunim, sipas kërkesës së SPAK.
Por treshja e gjyqtarëve të Apelit Miliana Muça, Dhimitër Lara e Saida Dollani thonë se me këtë çështje është gabuar që në fillim kur prokurorët kanë ngritur akuzën, është vijuar në seancë paraprake kur është kaluar ccështja për gjykim e deri te vendimi i gjyqtarëve të Shkallës së Parë, Erjon Çela, Rudina Palloj dhe Bib Ndreca, të cilët e cilësuan si bashkëpunim të thjeshtë në rrethana rënduese dhe jo grup kriminal.
Fakti që Zarka është gjetur fajtor për të pesta episodet e akuzara, 3 prej të cilave ishin në bashkëpunim me 3 të pandehurit e tjerë Erjona Daupaj, Radovan Çela dhe Astrit Vladi, për Apelin përbën një formë të veçantë bashkëpunimi, atë të të grupit të strukturuar kriminal
Kolegji i Apelit të Posaçëm thekson se bashkëpunimi konstatohet në ndikimin e paligjshëm në rastin e zëvendësimit të masave të sigurimit ndaj të pandehurve për çështjen “Toyota Auris”; në rastin e mosfillimit të procedimit dhe të hetimit pasuror të kryer atëherë.
Gjykata e Apelit thotë se do ta bënte vetë rikualifikimin e veprës penale dhe dhënien e një dënimi më të rëndë, por në këtë rast e ndalon Kodi i Procedurës Penale që thotë se “Apeli nuk mund të japë dënim më të rëndë kur ankimues është vetëm i pandehuri”. Këtë çështje e çoi në shkallë të dytë vetëm Zarka dhe jo Prokuroria e Posaçme e cila e konsideroi të drejtë dënimin.
Por përballja e radhës për çështjen e ish drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës nuk do të jetë në shkallë të parë por në Gjykatë të Lartë. Ka qenë vetë Aurel Zarka i cili ka bërë menjëherë rekurs duke kërkuar prishjen e këtij vendimi të GJKKO-së së Apelit, pikërisht me argumentin kryesor se ajo nuk mund t’ia rëndonte situatën penale. Relator është caktuar Sokol Binaj, i cili pritet të caktojë datën se kur do zhvillohet seanca. Nga ana tjetër Burime për Report Tv bënë me dije se edhe vetë SPAK po mendon të bëjë rekurs në Gjykatë të Lartë.
Sa i përket dosjes, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në disa dosje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje që lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve. Një prej çështjeve penale e njohur si “Toyota Auris”, u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit, në qershor të vitit 2018, të 3.4 milionë eurove ‘cash’ të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.
Komente









