Komisioni Vetingut, në 10 dhjetor 2020, ka vendosur të ndërpresë procesin e rivlerësimit për Prokurorin në Prokurorinë e Përgjithshme Bilbil Mete, duke e përjashtuar për 15 vjet nga sistemi i drejtësisë.

Mete, me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, i paraqiti dorëheqjen Këshillit të Lartë të Prokurorisë, më 15 tetor 2020, me argumentin se kishte mbushur moshën e pensionit.

Për prokurorin, procesi i Vetingut kishte nisur që nëntor 2028. Kërkesa e prokurorit Mete për të dhënë dorëheqjen për shkak të mbushjes së moshës për të dalë në pension është bërë objekt debatesh në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pasi mosha e daljes në pension është 67 vjeç dhe jo më 65 vjeç.

Në fund të mbledhjes, anëtarët e KLP-së vendosën deklarimin e mbarimit të statusit të Bilbil Metes për shkak të dorëheqjes dhe jo të moshës së pensionit, siç edhe kërkonte prokurori. Këtë vendim ë KLP, Mete e ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit. Sipas tij

“Këshilli me aktin administrativ individual që ka nxjerrë për mua ankuesin ka mbivlerësuar ligjin për statusin e magjistratit dhe ka nënvleftësuar, madje nuk ka përfillur aspak, ligjin për sigurimet shoqërore, ose, e thënë me fjalë të tjera, ka mbivlerësuar guaskën dhe ka injoruar thelbin, çka e bën këtë akt të papranueshëm. Mosha e pasjes/zotërimit të statusit deri në 67 vjeç nuk mund të kufizojë dhe të kushtëzojë moshën e daljes në pension, që me ligjin themelor të sigurimeve shoqërore ka qenë dhe është 65 vjeç”.

Megjithatë, Komisioni i Vetingut ka arsyetuar se nga dokumentet e paraqitura Bilbil Mete rezulton se aktualisht nuk ushtron më funksionin e prokurorit dhe statusi i tij ka përfunduar. Sipas KPK-së “nuk ka shkaqe për të pritur zgjidhjen e ankimit të ushtruar nga z. Bilbil Mete në Gjykatën e Apelit Administrativ, pasi në çdo rast mbetet i pandryshuar vullneti i shprehur i subjektit për të mos ushtruar funksionin e prokurorit...”.

Për rrjedhojë, Komisioni i Vetingut, me trupë gjykuese të përbërë nga Lulzim Hamitaj, Pamela Qirko dhe Valbona Sanxhaktari kavë vendosur ndërprerjen e Vetingut për Bilbil Meten dhe përjashtimin e tij nga sistemi për 15 vite.