Kërkesa e Jurgis Çyrbjas për lirim nga burgu 3 muaj pas shpalljes së dënimit nga GJKKO, është rrëzuar nga Apeli i GJKKO-së. Vendimi është shpallur nga gjyqtarët Daniela Shirka, Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj.

Sipas avokatit, Çyrbja duhet të lirohej sot, por gjykata ka thënë se i kanë mbetur edhe disa orë.

Ai u dënua me 3 vite më 3 nëntor 2025 tregim të sekretit shtetëror dhe përkrahje e autorit të krimit, por me gjykim të shkurtuar vuajti 2 vite. Gjatë kësaj periudhe, pjesa më e madhe e dënimit është kryer në paraburgim.

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më datë 20.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 73 akti, datë 18.02.2026 regjistrimi, mbi kërkesën e të pandehurit J.Ç, me objekt: “Shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, caktuar me vendimin nr. 126, datë 20.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024 të kësaj gjykate, për shkak të përfundimit të dënimit të dhënë me vendimin nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, si vijon: - Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit J.Ç. U shpall në Tiranë, sot më datë 20.02.2026”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Çyrbja ka qenë deputet i Kuvendit për dy legjislatura dhe ka dhënë dorëheqjen nga mandati në tetor 2024, në kohën kur hetimet e SPAK kishin hyrë në fazën përfundimtare.

Ai u arrestua më 20 tetor të atij viti, pasi në hetimet e SPAK rezultoi se kishte dekonspiruar aksionet policore, kishte nxjerrë të dhëna nga TIMS dhe informacione të tjera për të ndihmuar personat në kërkim që të mos kapeshin.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se ish-deputeti Çyrbja ka pasur miqësi me të kërkuarin ndërkombëtar të drejtësisë, Altin Hajrin. Hajri është në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Sipas SPAK, Çyrbja ndihmoi Hajrin për të siguruar vota. Lidhur me këtë, Hajri akuzohet për korrupsion pasiv në zgjedhje dhe tregim i sekretit shtetëror.

Sipas hetimit, ka rezultuar e provuar se Jurgis Çyrbja, Altin Hajri dhe Ahmet Masha kishin koordinuar aktivitete të ndryshme kriminale përmes komunikimeve në “Sky EÇ” dhe “Matrix”.

Aktivitetet lidhen me informacione të planeve të Policisë së Shtetit për mbarë territorin dhe qarkun e Durrësit për kapjen e personave në kërkim dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të krimit të organizuar.

Komunikimet në “Matrix” zhvilloheshin mes Hajrit dhe personave të tjerë pas arrestimit të Çyrbjas dhe Mashës në tetor-dhjetor 2024, ku janë nxjerrë në pah takime me efektivët e policisë.