TURQI - Sulmuesi i Sivassporit në Ligën e Parë turke, Rey Manaj, u përfshi në një aksident rrugor mbrëmjen e djeshme në rrugën 'Bagdat' në periferi të qytetit të Sivasit. Raportohet se futbollisti 28-vjeçar është në gjendje të mirë shëndetësore, teksa aksidenti ishte vetëm me dëme materiale për makinën e tij private. Sipas medieve turke, sulmuesi shqiptar po mbahet nën vëzhgim në spital si masë paraprake.

Pas ndeshjes kundër Adana Demirspor, Manaj u rikthye në Sivas së bashku me ekipin dhe qëndroi për një kohë në ambientet e klubit. Më pas, gjatë rrugës për në shtëpi, lushnjari u përfshi në një aksident me automjetin që drejtonte.

Rey Manaj dhe rikthimi te Sivasspor

Rey Manaj pati një sezon të suksesshëm me Sivassporin vitin e kaluar, ku shënoi 34 gola në 63 paraqitje për ekipin bardhekuq. Në fillim të sezonit 2025-26, ai luajti për Sharjah FC në Emiratet e Bashkuara Arabe. Manaj, i cili u rikthye te ekipi i Sivasspor gjatë afatit kalimtar të janarit, ka shënuar 2 gola në 3 ndeshje deri tani.