Ka filluar me shtyrje procesi gjyqësor lidhur me kërkesën e Aldo Bares për rivendosje në afat të vendimit të konfiskimit të Lagunës së Karavastasë dhe një garazhi, brenda në qytetin e Lushnjës.
 
Shkak i kësaj shtyrje, është bërë mungesa e deklaratës së përfaqësimit të Aldo Bares nga avokati mbrojtës. Nisur nga kjo situatë, gjykata ka vendosur të shtyrë seancën e radhës për në datën 28 shtator.
 
Kërkesa penale është dorëzuar nga avokatët e Bares që prej 30 korrikut 2015 në sekretarinë e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Kreu i “Bandës së Lushnjës” në kërkesën e tij drejtuar gjykatës kërkon që procesi gjyqësor për konfiskimin së ish-pronave të tij në Lushnjë, përfshirë këtu dhe lagunën e Karavastasë,është bërë në mungesë të tij dhe pa dijeninë e tij.
 
Në kërkesën penale Bare, shton se gjatë kohës kur është zhvilluar ky gjyq ai ka qënë në Turqi dhe se nuk ka pasur asnjë dijeni se prokuroria dhe shteti shqiptar kishin nisur një proces gjykimi për konfiskimin e pasurisë së tij, aq më tepër nuk është njoftuar ai por edhe avokati i tij mbrojtës.
 
Nisur nga kjo situatë, Bare pretendon se i janë shkelur të drejtat themelore të njeriut dhe për pasojë kërkon nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që të rifillojë nga e para gjykimin për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së tij në Lushnjë, përfshirë këtu dhe Lagunën e Karavastasë. Më tej në kërkesë Bare shpjegon se rinisja nga e para e këtij procesi, do të çonte në vendin e duhur parregullsitë që janë bërë gjatë gjykimit në mungesë për konfiskimin pasurisë.
 
Nga ana tjetër prokuroria pretendon se kërkesa për rivendosje në afat të gjyqit për konfiskimin e pronave, është e vonuar kjo pasi për këtë vendim Bare ka marrë dijeni që në ditët e para të ekstradimit nga Turqia, pra në 2009 dhe se për 5 vite me radhë Bare nuk ka kryer asnjë lëvizje, duke nënkuptuar se ishte dakord me vendimin.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)