Myrteza Caushi nuk do të dalë nga burgu me kusht. I forti i Vlorës në seancën e sotme në gjykatën e Korçës u tërhoq nga kërkesa për lirimin me kusht që kishte bërë. Fillimisht Caushi kërkoi që t'i njihet dinamika e gjykimit, me argumentin se ka kryer 3/4 e dënimit.

"Kam bërë 31 vite burg" u shpreh Caushi. Por në mes të seancës, Caushi vendosi në mënyrë surprizë që të linte në mes betejën e nisur me drejtësinë duke u tërhqeur nga kërkesa për lirimin me kusht. Në dijeni të kësaj lëvizje nuk ishte në dijeni as avokati i tij. 

Edhe pse prokuroria sot nuk arriti që të shprehej, Report Tv mësoi dje se organi i akuzës ishte kundër kërkesës, ashtu sikur edhe drejtoria e Burgjeve, ku Agim Ismaili tha se Caushi nuk është rehabilituar, prandaj duhet të qëndrojë në qeli në Drenovë, ku u transferua nga Burreli në 2011.

Pikërisht ky fakt duket se ka ndikuar që Caushi të tërhiqej, teksa gjyqtari Selaudin Pysqyli i vendosi vulën duke e cilësuar si të papranueshëm kërkesën për lirimin me kusht dhe pushuar çështjen. 

Avokati i Zani Caushit, Arben Lena shpjegoi tërheqjen e klientit të tij nga kërkesa për lirimin me kusht. "Nuk ishte e parashikuar nga ana ime, e morëm në momentin e fundit. Në lidhje me shkakun e tërheqjes ka të bëjë më përllogaritjen e viteve të burgimit, pretendon që një pjesë e paraburgimit nuk i është llogaritur. Pasi të bëhet edhe llogaritja do të shikojmë.

Normalisht veprimi i ligjit penal është në kohë, nëse Zani Caushi është dënuar me një ligj penal të vitit 2000 është në funksion ai ligj penal, jo ai i 2020, që nënkupton që lirimi me kusht në vitin 2000 ka qenë me 25 vite. Ka pasur një masë disiplinore, ka bërë ankim, normalisht edhe ai gjykim vazhdon.

Ka pasur një konflikt të vogël me dikë. Dosja e Zani Caushit është komplekse, është trashëgimi nga çmenduria kolektive e 1997, ku janë ndërthurur shumë faktorë. Cdo i dënuar përjetë, të cilët janë dënuar nëse mbushin 25 vite dhe kërkesat specifike kanë të drejtë të kërkojnë lirimin me kusht" tha ai.

Seanca e sotme u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Të gjitha rrugët që të çonin në gjykatën e Korçës u bllokuan nga policia, që rrethoi të gjithë zonë. Caushi qëndron në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës ndërsa ndaj tij rëndon dënimi me burg përjetë për vrasje, trazirat e 1997 dhe grup kriminal.

1594645777_zanicaushi.jpg

Myrteza Caushi